Dekurajimet dhe zhgënjimi, të cilat sjellin shqetësimet dhe depresionin, nuk mund të zënë vend në zemrën ku banon mirënjohja, përkundrazi është toka e një zemre jomirënjohëse që i mirëpret.
Shpesh herë citojmë Shkrimin dhe e shpallim fuqinë e Fjalës , pa marrë parasysh që toka e zemrës përpara se të punohet me anë të lutjes, duhet të plugohet përmes rrëfimit. Vetëm plugu i thellë i rrëfimit, do të heqë nga rrënja barin e keq të mosmirënjohjes nga zemra e të drejtit.
Tregohet për një burrë i cili zbuloi një hangar (depo) në të cilin djalli mbante gati farat e tij të cilat planifikonte t’i mbillte tek zemrat e njerëzve. Burri zbuloi se midis gjithë farave, fara e zhgënjimit gjendej me shumicë dhe se kjo farë ishte modifikuar që të mbinte kudo… Por kur u pyet djalli për fuqinë e kësaj fare, ai pranoi se kjo farë nuk mund të mbinte vetëm në një tokë. “Ku është ky vend?” I tha burri. Pergjigja e djallit ishte: “Kjo farë nuk mund të mbijë në zemrën mirënjohëse.”
Miq, kultivoni në tokën e zemrës tuaj farën e duhur. Ruani dhe kultivoni mirënjohjen në zemrën tuaj.
Mirënjohja është një derë e mbyllur për të ligën, por një portë e hapur të pranojë bekimet e mirësisë qiellore.
Thomas à Kempis do të thoshte:
“Jini mirënjohës pra dhe për të mirën më të vogël dhe ju do të çmoheni të denjë të merrni më shumë. Më e pakta të jetë për ju si më e shumta dhe më e vogla si me e madhja. Nëse do të konsideroni madhështinë e Dhënësit, asgjë që ju është dhënë s’do t’ju duket e vogël dhe pavlerë, sepse asgjë nuk është e vogël nëse iu është dhënë nga Perëndia më i Lartë.”
Me bekime dhe lutje për një zemër mirënjohëse!
Leave a Reply