Një rreze drite në mes të mugëtirës së skajshme të kësaj anemie që na karakterizon për 28 vjet. Një rreze drite që vjen prej botës studentore. Duken të ngjashme momentet e përsëritjes së ngjarjeve të ndodhura 28 vite më parë. Një rreze e krijuar prej nevojës për dritë, dije.
Tregohet një histori e cila zanafillën e ka shekuj më parë. Dikush vendos në qendër të saj Diogjenin e dikush tjetër Aristotelin, por çka është e rëndësishme, është mesazhi që historia mbart. Historia vijon kështu:
Aleksandri i madh i Perandorisë Greko- Maqedone, kthehet pas fitores në pallatin mbretëror dhe kërkon t’i japë lajmin e gëzueshëm mësuesit të tij Aristotelit. Ky i fundit ishte duke bërë banjë dhe i kënaqur i gëzohej një rrezeje drite që hynte nga dritarja. Perandori hyn me vrull brenda dhe nis të ndajë me mentorin e tij lajmim e madh e të gëzueshëm të fitores.
“Kërkomë ç’të duash dhe është e jotja, çdo gjë…” i tha Aleksandri i madh mësuesit të tij.
“Vetëm një kërkesë kam, mos më blloko rrezen nga më vjen drita,” përgjigjet Aristoteli.
Nëse shqyrtojmë me kujdes kërkeseat e studentëve, në thelb ata kërkojnë që askush të mos bllokojë rrezen nga ata e marrin dritën. Protesta e tyre për dritë, është një dritë shprese në mes të anemisë tonë shoqërore.
Thirrja e studentëve imponon urgjencë. Urgjencë për të njohur realitetin që shumica e njerëzve të cilët administrojnë pushtetin politik dhe financiar s’e njohin, pasi fëmijët e tyre nuk studiojnë në Shqipëri.
Kërkesa për ulje tarifash dhe përmirësim kushtesh?
Mbase në thelb, më shumë se kaq!!!
Klithma e studentëve për dije trondit themelet e një shoqërie e cila dështoi këto 28 vjet demokraci të ndërtonte për ta një qytet më të mirë. Një shoqëri anemike në adn-në e saj dhe indiverente në aktivizimin publik.
Miq studentë! Mos lejoni askënd t’ju bllokojë rrezen nga e merrni dritën.
Në një fragment të udhëtimit tuaj jetësor ju mund të ndryshoni historinë. Ju mund të mundni gjigandët. Ju mund të shkallmoni zgjedhën e frikës. Me angazhimin tuaj publik, ju mund t’i jepni fund indiferentizmit shoqëror. Me klithmën tuaj ju mund të pezulloni politikat shtrënguese mbi arsimin. Ju zotëroni talentin të spikatni, forcën për të dashur dhe energjinë të sillni ndryshimin. Mos lejoni askënd t’ju zvogëlojë e qeshë me ëndrrat tuaja.
Ju s’jeni vetëm! Njerëzit e mirë të këtij vendi janë me ju!
Jam krenar për ju!
Leave a Reply