Poemë mjerimi në kohë moderne!

Dy fjalë mbi ngjarjen e Pejës!
Ndërsa shihja i shtangur pamjet e kobshme të dhunimit fizik që ushtrohej ndaj nënës në Pejë, dhimbja nisi të sjellë tek unë copëza nga Poema e Mjerimit.
Mjerimi i Migjenit ishte mungesë, uri, padije, pafuqi!
Mjeshtri i penës së mjerimit as që e imagjinonte që një ditë në kohët moderne ‘kafshatë që s’kapërdihet’ nuk do te ishte mungesa e parave, por mungesa e vëmendjes. Nuk do të ishte uri për bukë por etje për t’u dashur. Jo padije intelektuale, por bollëk informacioni. Jo mungesë hapësirash, por vetmi e skajshme. Nevojë për të ndjerë, për të dashur, për të kuptuar, për të vështruar tjetrin në sy. Nevojë për t’u ndalur, për të dëgjuar, për të dialoguar, për të reflektuar. Nevojë për të thënë të vërtetën, për të guxuar, për të shpresuar.

Pena e mjerimit nuk mund të parashikonte që ‘kafshata që s’kapërdihet’ në ditët moderne, do të rezultonte në dhunë ndaj nënës.
Varfëria më e madhe në këtë botë është varfëria shpirtërore. Pafuqi për të dashur, kujdesur, nderuar. Vullnet për të dhunuar dhe dehumanizuar nënën., gruan, motrën, bijën.

Tragjedia jonë është se ndërsa endërrojmë dhe punojmë të pasurohemi çdo ditë në një drejtim, varfërohemi me shpejtësi në drejtime të tjera.

Kjo histeri kolektive, është anomali e skajshme, tjetërsim dhe keqfunksionim i njeriut, braktisja e vetes.
Mësimi i hidhur këtë herë na vjen nga Kosova e plagëve të dhimbjes. Kosova që shumë e duam, por nuk e duam kështu. Këtë herë dhimbja thërret si nuk duhet të jetë bija, motra, kolegia, punonjësja e kujdesit, qytetarja, njeriu.

Lapidarët e nderimit janë thyer… Monumentet e mirënjohjes janë shkërmoqur. Jetojmë në mbretërinë e konsumit ku shëmbëllimi i njeriut është më pak i ngjashëm me njeriun çdo ditë në pasqyrën ku ai shihet.

Përshkak se nuk kemi dëgjuar zilkat e alarmit në ndërgjegjen e vulosur me dyllin e lakmisë., trembemi nga sirenat shokuese të alarmit në laboratorin ku gradualisht kemi ndërtuar antinjeriun. Qenien tjetër, atë me thelb të kundërt. Qenien pa shpirt, moral e dhembshuri njerëzore.
Zot ndihmona në udhëtimin tonë🙏
Akil Pano

Dy fjalë mbi Astrologjinë dhe Horoskopin

Magjepsja me astrologjinë dhe horoskopët padyshim pasqyron dëshirën e njerëzve për mençuri përtej tyre dhe drejtimin për të ardhmen. Në modernitet si rrjedhojë e boshatisjes së krijuar kryesisht nga zhvlerësimi i besimit monoteist dhe praktikës fetare, shohim një rritje të numrit të njerëzve të cilët i drejtohen astrologjisë dhe horoskopit si medium i rëndësishëm në jetën e tyre shpirtërore.

Çfarë është astrologjia?

Astrologjia është besimi i lashtë se fati i një personi mund të gjendet në modelin e yjeve dhe planetëve në kohën e lindjes. “Horoskopi” është grafiku që përpiqet të përshkruajë këtë fat.

Por çfarë sugjeron Astrologjia dhe horoskopët!

1- Njeriu mund të njohë të ardhmen dhe fatin e tij i cili është shkruar tek yjet. Në këtë demension njeriu ekspozohet ndaj një bote emocionesh të cilat janë subjekte të parafabrikuara nga ‘receta’ e yjeve për atë ditë ose javë.

Ky realitet e ekspozon njeriun ndaj stresit, ankthit dhe pritshmërive të gabuara….

2- Bie ndesh me konceptin e Vullnetit të Lirë. Thënë ndryshe: Fati është përcaktuar tek yjet, nuk mund të bësh asgjë për ta ndryshuar atë, vetëm të lëvizësh brenda tij. Pra, njeriu nuk është Zot I fatit të tij, por thjesht një automat i vendosur brenda një bote automatesh të programuara më parë.

Shën Agustini (354-430) besonte se determinizmi i astrologjisë binte ndesh me doktrinat e krishtera për vullnetin dhe përgjegjësinë e lirë të njeriut dhe se Zoti nuk ishte shkaku i së keqes, por ai e bazoi kundërshtimin e tij edhe filozofikisht, duke përmendur dështimin e astrologjisë për të shpjeguar. binjakë që sillen ndryshe edhe pse janë ngjizur në të njëjtin moment dhe kanë lindur afërsisht në të njëjtën kohë.

Bibla përmend astrologët në oborrin mbretëror në Babiloni dhe paaftësinë e tyre për të treguar ose interpretuar ëndrrat mbretërore (Danieli 2:10-11 dhe 4:7).

Profeti Isaia foli për astrologët me tallje: “Astrologët tuaj le të dalin përpara, ata vëzhgues të yjeve që bëjnë parashikime muaj pas muaji, le t’ju shpëtojnë nga ajo që do t’ju ndodhë” (Isaia 47:13).

3- Astrologjia është fyese për Zotin sepse u atribuon planetëve dhe yjeve fuqinë që i takon vetëm Zotit dhe sepse përpiqet të gjejë vullnetin e Zotit me mjete të tjera nga ato që ka caktuar Zoti. Përgjatë Biblës Zoti na thotë se Ai do të na udhëheqë; lexo Psalmin 23:1-2, 25:9, 12, 32:8; Lluka 1:79; dhe Gjoni 7:17.

Një besimtar nuk ka nevojë t’i drejtohet astrologjisë për sugjerime, këshilla, udhëheqje, apo qoftë dhe kureshtje, për këto arsye:

⁃ Sipas Biblës, Astrologjia është një medium i rremë për të treguar të vërtetën.

⁃ Zhvendos njeriun nga raporti i marrëdhënies me Krijuesin përmes Shkrimit të Shenjtë, në një raport varësie me objekte të krijuara.

⁃ Zhvendos nga njeriu vlerën e lirisë.

⁃ E ekspozon njeriun me një botë okulte.

⁃ E ekspozon njeriun drejt intensitetit në rritje të ankthit dhe pritshmërive të gabuara.

Ruajeni besimin

Miq, ruajeni besimin tuaj te thjeshte dhe pa komplikime. Shihni veten, shihni boten dhe universin pjese e te cilit jemi. E gjitha eshte nje mrekulli. Nuk mund ta spjegojme, por mund te mahnitemi me magjine e krijimit.
Shkenca na Tregon c’ka eshte, por eshte e pagoje te na flase perse-ne e ekzistences tone, e me tej…cdo te ndodhe? Si do te jemi, e cfare do te jete? Akil Pano

Koha kur mund të heshtni me njerëzit!

Nëse njerëzit që doni shumë, ju kanë lënduar, më mirë heshtni. Nëse dashuria juaj nuk i kthen, fjalët nuk do ta bëjnë. Vjen një kohë kur zgjidhja më e mirë është të heshtni me njerëzit dhe të flisni me Perendinë.
Zoti ju bekoftë miq!
Akil Pano

Suedi. 25 vite më pas!

Pas fiks 25 vitesh u kthyem në Suedi. E vizituam Suedinë për herë të parë në vitin 1997, kur Shqipëria digjej dhe sundonte kaosi.
25 vite më parë mund të kishim bërë një përpjekje shumë të vogël për të qëndruar në Suedi, por atëherë s’e bëmë. Në atë kohë Shqiptarët, kryesisht zgjidhnin Italinë dhe Greqinë (pasi këto ishin mundësitë që paraqiteshin) për t’u larguar nga vendi. Vendet Skandinave, Britania dhe SHBA-ja ishin të paarritshme për shumë Shqiptarë, ndaj lëvizjet e mëdha emigratore u përqendruan në vendet fqinje.

Në vitin 1997 e lamë pas Suedinë dhe u kthyem në Shqipëri. Ishte një nga vendimet më të guximshme që kemi marrë si çift. Por, pasi u kthyem nuk i thamë shumë njerëzve se kishim qenë jasht vendit. Në të kundërt do të na shihnin si të marrë.
Në sytë e atyre që na njihnin ishim mjaftueshëm të marrë që ishim larguar nga vendlindja ime Tirana dhe po jetonim në Shkodrën e cila dita ditës boshatisej nga qytetarët e saj që vinin në Tiranë dhe shpërndaheshin në kryeqytetet e botës.
Ishte viti 1997. Dyqanet ishin bosh. Njerëzit vriteshin ‘aksidentalisht’. Jeta kishte humbur vlerë. Në mungesë të shtetit, njeriu ishte kthyer në gjendjen e tij natyrore.
E sotmja ishte e pasigurtë. E nesërmja një ëndërr e largët!

Por ne u kthyem dhe ky ishte vendimi më i mirë që morëm. E donim Zotin më shumë se jetën. I donim njerëzit tek të cilët Zoti na dërgoi t’i shërbenim. E deshëm Shkodrën, Vlorën, Tiranën… qëndruam.

Por vendimi që morëm na vendosi përballë sfidash që vijuan, e që një pjesë vijojnë dhe sot. Nuk e di se si do të ishte jeta ime, nëse do të isha larguar nga Shqipëria 25 vite më parë! Natyrisht që nuk do të isha përballur me sfidat që u përballa, por do isha ndeshur me sfidat e emigracionit njëlloj si miqtë e mi që pasi u larguan nga Shqipëria ndoqën rrugëm e vështirë të integrimit në nje tokë të huaj.

Ne morëm vendimin më të mirë dhe qëndruam në Shqipëri, sepse Zoti na thirri të qëndronim, shërbenim dhe ndërtonim kulturën e besimit mes një populli të cilin komunizmi i rrëmbeu çdo të drejtë themelore, e tjetërsoi, e klanizoi, e skllavëroi dhe e sundoi përmes pushtetit të frikës.

Nuk paragjykoj asnjë Shqiptar që në këto 32 vjet vendosi të largohet nga Shqipëria. Vendimi për t’u larguar s’ka qenë i lehtë, kështu dhe vendimi për të qëndruar.

Tani vështroj Shqipërinë e vitit 2022. Djemtë dhe vajzat tanë që vijojnë të largohen nga Shqipëria. Janë kryesisht fëmijët e atyre si unë, që vendosën 25 a 30 vite më parë të qëndronin në Shqipëri me shpresën se do ta bënin Shqipërinë një vend mundësish, ku drejtësia do të rridhte si uji dhe puna e ndershme do të shpërblehej mjaftueshëm. Ku, pasaporta Shqiptare do të kishte të njëjtën vlerë si çdo pasaportë tjetër e vendeve anëtare të BE-së.

Por këto nuk ndodhën dhe unë vijoj të kthehem, ndërsa këto mendime i shkruaj i ulur në tren rrugës për Stokholm.

Mikpritje e veçantë nga pastori Peo Svensson dhe kisha në Sävsjö. Gëzim i veçantë ishte të takonim familjet e Shqiptarëve që jetojnë këtu.

Dy fjalë për legalizimin e bixhozit

‘Legalizuesit e mëdhenj’ që kanë propozuar: legalizimin e bixhozit, kanabisit, shtëpive publike dhe disa aktivitete të tjera që i kanë përzemër, e kanë seriozisht kur thonë:
“T’i legalizojmë sepse kushtu do të kontrollojmë krimin. T’i legalizojmë sepse kështu do të ulim dhunën ndaj punonjëseve të seksit! T’i legalizojmë sepse kështu do të përfitojmë para përmes taksimit.”

Propozimi për rihapjen e qendrave të basteve me pretendimin se një pjesë e fitimeve nga ky aktivitet mund t’i shkojë sportit, duhet më parë të shqyrtohet përmes pyetjes:

  • Sa e varfëron ky aktivitet ekonominë e familjeve Shqiptarëve dhe sa nxit tek njerëzit varësinë ndaj bixhozit?

Mjaft t’i hedhim një sy të ardhurave vjetore të kompanive të basteve sportive (gjatë kohës kur funksiononin) për të kuptuar që këto para, vërtetë pasuronin një pakicë pronarësh të këtyre kompanive, por varfëronin një shumicë të familjeve me të ardhura modeste, kryefamiljarët e të cilave kishin varësi ndaj këtij vesi.

Rritja e depresionit, varësisë ndaj drograve dhe divorci i shkaktuar prej konflikteve familjare si rrjedhojë e bixhozit, ishin tregues të problematikave sociale të cilat qeveritë e kohës ishin të pafuqishme t’i jepnin zgjidhje.

Tani, jini të vëmendshëm ndaj çfarë po ju shkruaj;

Jo çdo aktivitet që premton përfitime financiare është një e mirë për shoqërinë. Mjaft të marim si pikë referimi vitin 97’ i cili kulmoi në dramë të madhe shoqërore, sepse shumica vlerësoi më shumë përfitimet financiare, se sa dëmet e paimagjinueshme ndaj njeriut, familjes dhe shoqërisë, që bashkëlidheshin më këto përfitime.

Proverbi i lashtë Biblik na kujton të vërtetën e pamohueshme e cila shpall:

“Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund të çon në shkatërrim.”

Çdo aktivitet që dëmton shëndetin mendor, integritetin e njeriut dhe paqen sociale për familjen dhe shoqërinë është një e keqe e cila duhet ndalur dhe jo legalizuar.

Politikat dhe ligjet që në thelb relativizojnë të keqen, ose më keq akoma, e legalizojnë atë, janë politika të cilat shembin themelin e shoqërisë.
Akil Pano

Përgjigje ndaj krimeve të përbindshme.

Në Shqipëri sot djali vret të atin se ai i thotë të gjejë punë. Vëllai vret vëllanë dhe kunatën për çështje prone. Një person vret ish vjehrrin dhe ish kunatin. 5 burra përdhunojnë të miturën 11 vjeçare në Kosovë.

Jetojmë në ditët kur arsyeja njerëzore është errësuar deri në masën kur frerët e moralit, të fesë, apo çdo sentimenti njerëzor të së mirës, janë pezulluar. Krimet e përbindshme brenda familjes marrin çdo ditë jetë te pafaj.

Duke e parë paranë si të vetmen mundësi pasurimi, u varfëruam aq shumë, sa ndërtuam njeriun njëdimensionalësh. Ndërsa bota e tij materiale rritet, bota dhe jeta e tij shpirtërore zvogëlohen çdo ditë. Zhvendosëm vlerën nga njeriu, familja, jeta dhe fetishizuam pasurimë, pronat dhe zotërimet.

Duke zbrazur veten nga jeta me besim, integritet dhe virtyt, mbushëm jetën me zbrazëtinë e sendeve dhe objekteve të pakrahasueshme për nga vlera me njeriun.

Shkurt, në garën e jetës, zëvendësuam qëllimet me mjetet. Kështu, babain, vëllain, bashkëshorten, kunatën, fëmijët, të afërmin, i shohim si MJETE që realizojne qëllimet për më shumë.

Duke mos pasur një Zot më të lartë se paraja, mohuam Zotin e vërtetë dhe kemi ndërtuar një univers unik tonin i cili për qendër s’ka asgje më të madhe se njeriun e sëmurë nga egoizmi i tij. Njeriu mes nesh çdo ditë e më shumë largohet nga vetja, njeriu, familja, vlerat e besimit dhe jeta me virtyt.

Ajo që kërkohet është një rikthim!

Përballë kësaj drame që ndodh pothuaj çdo ditë në vendin tonë, përgjegjësia jonë e padiskutueshme mbetet rithemelimi i njeriut!!!

Me besimin e palëkundur tek Zoti, që kjo ndërmarrje më e vështira mes njerëzve, mund të realizohet; jam i vendosur në përpjekjen time të përditshme të lutem, të flas, të shkruaj, të punoj, të denoncoj, të mjekoj, të shpresoj që sëbashku të jemi ‘Samaritani i Mirë’ që do të sjellë shërimin tek njeriu, tek familja jonë e përbashkët, Shqipëria jonë. Kërkohet një angazhim i përbashkët. Mendoj se sëbashku mund t’ia dalim. Duhet t’ia dalim!
Akil Pano

Pasqyra e mendimeve që shpërfaq portretin tuaj!

“Fitorja mbi veten është e para dhe më fisnikja nga të gjitha fitoret. ” – Platoni.
Miq, a jeni gati që pasi të përjetoni forcën e “thikave” të përzjerësit të kohës, të mbeteni po ata…?
Të paprekur në integritet, të pastër në dashuri, të sinqertë në qëllime, të papërzier në shpirt dhe të pa konceptuar nga e keqja në jetën tuaj shpirtërore?

Çfarë lloj njeriu mbeteni pasi stuhia ka pushuar dhe jeta ka lënë shenjat e saj tek ju?
Pasi breshëri shkatërrues ka ndalur dhe beteja ka përfunduar?
Betejat, vuajtjet dhe dhimbja ju kanë bërë njerëz më të mirë, apo më të ligj?
A ia keni dalë të ruani zemrën tuaj të butë, të dashur e të dhembshur?
A mbeteni mirënjohës ndaj Zotit dhe njerëzve pa të cilët rrebeshi s’do të kishte ndalur?
Keni nisur të flini me shpresën se dallgët e vështirësive dhe betejat nuk do të kthehen më drejt jush, apo jeni vigjilent?

Shiheni veten në pasqyrën e këtyre mendimeve dhe s’do ta keni të vështirë të dalloni portretin tuaj!

“Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes. Kur thashë: “Këmba ime ngurron”, mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur. Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.”
Psalmi 94:17-19
Akil Pano

I kujt është faji?

Shpesh, kur gjërat në jetë nuk shkojnë mirë, fajësojmë fatin, njerëzit, ngjarjet, rrethanat, Zotin! Kjo pikëpamje e cila në një aspekt funksinon si valvul shkarkimi e tensionit të mbledhur, gjeneron problemin e papërgjegjshmërisë mbi vendimet që marrim.
Mirëpo, ekziston një ligj universal i “mbjelljes dhe korrjes” i cili zbulon pushtetin e lirisë së zgjedhjes dhe përgjegjësinë personale, si faktorë kryesorë në ndërtimin e të ardhmes që s’e shohim. Njeriu është i privilegjuar e njëkohësisht përgjegjës të ndërtojë fatin dhe botën e tij.

Shekuj më parë Bibla shpalos të vërtetën e realitetit që jemi dhe botës që duam të zotërojmë:

Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Galatasit 6:7

Ndaj, të paktën pas këtij shkrimi, nga sot, ndalni së fajësuari fatin,njerësit, ngjarjet, rrethanat, Zotin dhe nisni të ‘mbillni farat’ e mira e merrni vendimet e duhura, pasi kështu do të ndërtoni një botë më të mirë rreth vetes dhe do të merrni një të korrë të bekuar.

Me ndihmën e Zotit le të bëhet e mundur 🙏

Dy fjalë për anonimët që fshihen pas artikujve në vetën e parë!!!

Pjesëmarrja dhe fjala ime mes disa intelektualëve, në tryezën e ftuar nga Dr. Berisha mbi temën e familjes, duket se ka shqetësuar disa media, të majta në Shqipëri.

Nuk e kuptoj arsyen e ‘shqetësimit’, pasi “Familja në rrezik” duhet të na shqetësojë mjaftueshëm për t’u mbledhur, e jo për të qenë të ndarë, për të folur e jo heshtur, për t’u angazhuar e jo për të qenë indiferent.

E kuptoj arsyen e ‘shqetësimit’, pasi “Familja në rrezik,” si tryezë diskutimi dhe propozimesh u organizua nga Dr. Berisha dhe Partia Demokratike. Kjo është tema e jetës, që sjell sëbashku të madh e të vogël, të majtë e të djathtë. Nëse nuk e keni ndjekur bisedën dhe propozimet e kësaj tryeze, ju ftoj ta bëni.

E dua Dr. Berishën. Mbase duhet ta doni dhe ju, pasi nëse në këtë jetë s’doni askënd veç vetes dhe rrethit tuaj të ngushtë familjar, kjo s’përbën ndonjë meritë, a vlerë që ju dallon nga të tjerët.

Pikërisht këtë tha Jezusi i Nazaretit:

“Por po t’i doni ata që ju duan, ç’meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.” Luka 6:32

I dua shumë dhe komunistët, socialistët, globalistët, etj; por nuk dua ideologjinë e tyre. Ideologji që ka vrarë më shumë njerëz në shekullin e fundit, se çdo luftë e njeriut apo e natyrës në çdo shekull tjetër.
Problem kam të dua ‘anonimët’ dhe ata që fshihen pas pseudonimeve në artikujt e tyre, pasi sillen sikur të ishin dikush tjetër;
pasi janë entitete pa fytyrë, pa karakter, pa adresë, pa përgjegjësi, pa moral. Qenie me dy a më shumë emra, identitete, funksione, të cilët sot janë në shërbim të pushtetit, e nesër do te nxitojnë të ofrojnë aftësitë e tyre tyre në kërkim te padronit tjetër.

Metoda tipike komuniste. Më kujtojnë sterotipin e ‘spiunëve’ që në komunizëm s’jetonin përmes punës së ndershme, por kishin shndërruar në mënyrë jetese spiunllëkun, përbaltjen, intrigat, prapaskenat, hipokrizinë, anonimet, fletërrufetë etj.

Nuk kam si t’i dua, jo përshkak të antivlerave që i karakterizojnë, por përshkak se këto entitete janë anonimë-jorealë. Një botë fantazmash të cilën refuzoj dhe ta mendoj.

E kam ndërtuar jetën mbi vlera të cilat jo kushdo i kupton, i beson, a praktikon. Ky themel besimi, më shtyn të ecë në shtegun e ngushtë të dashurisë. Dashuria e Zotit, më shtrëngon dhe motivon të dua të gjithë njerëzit.

Ka kaq shumë urrejtje në këtë vend. Urrejtje nga të gjithë, për të gjithë. Urrejtje me përmbajtje etnike, krahinore, rracore, sociale, klanore. Kjo e fundit është në rritje. Në cilin kamp politik bën pjesë? Cili është lideri që ndjek?
Por ka dhe urrejtje brenda llojit. Më e rrafinuara ndër nënndarjet e urrejtjes, maskohet me buzëqeshje, dhurata, elozhe.

Urrejtje për udhëheqësit politikë.

Urrejtje për liderin, cilido qoftë ai, me sjelljen ‘Pse të jetë ai!? Çfarë ka ai më shumë?’

Urrejtje për të kamurin, me qëndrimin; ‘Pse ai ka dhe unë s’kam!?’

Urrejtje nga të gjithë, drejtuar te gjithëve. Jetojmë në një vend të helmuar nga urrejtja.

Por, problemi është se urrejtja s’mjafton. Urrejtja individuale e kolektive e familjes, klanit, grupit politik, social, etnik dhe urrejtja e çdo lloji a forme nuk mjafton për të ndërtuar shtetin dhe shëruar familjen Shqiptare që vuan.

Martin Luter Kingu në përpjekjet e tij për të trimëruar komunitetin që ai drejtoi në betejën për liri, u zbuloi atyre një udhë më të lartë se dhuna që deri atëherë ishte konsideruar si e vetmja mënyrë për t’i fituar këto të drejta. Ai parashtroi dashurinë si platformë lirie dhe rezistencën paqësore si mjetin efikas për të fituar të drejtat e mohuara.

“Unë kam vendosur të qendroj i lidhur me dashurinë. Urrejtja është një barrë tepër e madhe për ta mbajtur.”

Përgjigjja ime është dashuria.
Pak më shumë dashuri për njeriun, liderin, familjen dhe shtetin. Dashuri për Shqipërinë që lëngon. Dashuria për të cilën shkruaj, ecën krah me të vërtetën, integritetin, drejtësinë dhe dhembshurinë. Është e vetmja kurë që shëron dhe ndërton familjen dhe shtetin.
Miq progresistë (siç dhe ju pëlqejnë t’ju quajnë) më lejoni t’ju kujtoj çka jam i prirur të mendoj që e dini se, nuk ekziston progres më i madh në një shoqëri, se mirëqënia dhe progresi i familjes.
Nëse nuk bashkoheni me ne të mjekojmë e begatojmë familjen në Shqipëri, për arsye që ju mund t’i dini, të paktën mos e pengoni kauzën e shenjtë për familjen!

Çështja e familjes për ne, nuk është loja për pushtetin. Nëse do ta shihnim kështu, unë dhe ata që besojnë si unë, do të ishim ishim të kapur nga mediokriteti i një jete pafuqi, pa besim, pa ideal.

Çështja e familjes është beteja për jetën dhe kombin.

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑