Çështja e ditës, është fjala qëndrore e këtij çerek shekulli; emigracion. Mijëra, miliona, dhjetra a qindra milionë. Numra… Fatkeqësia jonë është se i shohim të tillë; numra që ecin e marrin frymë! Bota tashmë është një kamp i madh, jo shumë i ndryshëm prej kampeve të treçerek shekulli më parë. Drama e njeriut është se harron ç’është në gjendje të krijojë dhe se maja e kurbës së tij, herët a vonë kthehet në instrumentin që e shkatërron vetë atë, njeriun.
Demokracia? Rregjimet totalitare? Pushteti, paraja? Më thoni, cila është kura për skamjen, mjerimin, shtegëtimin, braktisjen, trishtimin, frikën, shpërnguljen e detyruar prej tokës së të parëve? Qeveritë? Religjoni? Shkenca? Arti? Vetë njeriu? A mundeti ai? Por, nëse njeriu është shkaktari, si mundet ai të jetë njëkohësisht dhe kura? Nëse ai është agresori dhe viktima, a mundet ai të jetë dhe mjeku i cili zotëron formulën e shërimit? A mjafton morali i tij? Por për ç’moral pyes unë? Të kulluarin, të cilin s’e njohim, e kështu s’mund ta rrokim dhe nëse do të dëshironim një të tillë? Apo, relativin i cili na shërben si një vendstrehim për më së paku indiferentizmin tonë!?
Njeriu është ç’bërë nga të qenurit njeri. Imazhi ynë i sotëm më kujton historinë e modelit që artisti i madh Leonardo Da Vinçi kërkonte për kryeveprën e tij. Historia është kështu:
Kur Leonardo Da Vinci ishte një artist i ri gjatë epokës së Rilindjes në Itali, dokumetohet se ai ka pikturuar një portret të mrekullueshem të një djali të vogël i cili paraqitet si një engjëll. Artisti ishte kaq i kënaqur me punën e tij saqë këtë pikturë e mbajti në studion e tij të punës si një objekt frymëzimi. Është thënë për këtë portret që vetëm nëse e sheh, të pushton një ndjesi ngushëllimi dhe qetësie. Shumë kohë më vonë gjatë jetës, pasi kishin kaluar shumë vite, Da Vinçi ishte duke nisur nje portret tjetër. Për këtë projekt artisti kishte nevojë të gjente si model portretin e një burri, pamja e të cilit do të ishte personifikim i së keqes. Për një kohë të gjatë e me shumë durim ai kishte kërkuar për këtë model dhe më në fund kishte gjetur njeriun e përshtatshëm.
Karakteristikat e pamjes ishin kaq të vrazhda dhe plot plagë, trishtimi, dhimbja dhe pafuqia ishin të dukshme. Burri (modeli) ishte kontrasti i skajshëm i portretit të femijës i cili ishte pikturuar vite më parë.
Por, dicka e habitshme ndodhi në studion e artistit. Modeli (burri) i tregoi artistit se ai kishte qenë fëmija, portreti i të cilit ende qëndronte i varur në murin e studios. Ky burre i vrazhdë me këtë etiketim të bërë nga vetë paraqitja e tij, vite më parë kish qenë fëmija me paraqitje engjëlli i cili kishte personifikuar gjthcka të mirë. Një ilustrim tronditës që na përshkruan më së miri. Gjithçka e çiltër e fëminore, ajo ç’ka është e dëlirë dhe e pafaj, duket sikur është fshirë një herë e përgjithmonë prej natyrës tonë përmes gomës së një lapsi që pezullon virtytin dhe punëson dhimbjen.
Shpërngulje që dhemb, e shkuar që s’mbetet pas por udhëton me mërgimtarin kudo. Historia jonë lidhet pazgjidhshmërisht me mërgimin. Kësisoj, jemi ne, Shqiptarët që kuptojmë më mirë se çdo komb tjetër, ç’do të thotë shpërngulje e detyruar nga nevoja për mbijetesë. Por a janë gati Shqiptarët të mirëpresin emigrantët? Ne të cilët kemi mërguar dhe vazhdojmë të shpërngulemi të detyruar nga nevoja në çdo vend të botës, a jemi gati ne të dëgjojmë trokitjen në mesnatën e errët të shpërnguljes së detyruar të dhjetëra, a qindra mijëra qytetarëve të tokës të cilët trokasin në portën tonë? A mund të unifikohemi sot me shpalljen e guximshme të të parëve tanë se “shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut?” Trokitja në mesnatë, është guri ynë i provës. Kjo trokitje është testimi ynë, ç’lloj njerëzish jemi ne? Dhimbja e tyre, na ul; shërimi i tyre na lartëson. Ata janë pasqyra ku të gjithë humanët mund të shihen. Ata janë pasqyrimi i humanitetit tonë. Nuk mund të shprehemi më se disa prej nesh i përkasim nje kaste tjetër njerëzish. Nuk ka më të shkolluar e as intelektualë, nuk ekziston njeriu i pasur e as i pushtetshmi. Të gjithë jemi emigrant. Ne jemi ata; ata janë pasqyrimi ynë. Nuk egziston Amerikani, Britaniku, Gjermani, Greku e as Shqiptari. Dhimbja e tyre na asgjeson të gjithëve. Nëse mbetet të zgjedhim se cilët do të ishim, le të zgjedhim të jemi një Samaritan i cili në historinë qe tregon Jezusi i Nazaretit, është humani joindiferent. Personi që refuzon rehatinë e tij, përballë plagëve të Judeut anë rruge, të cilin e vështron me dhembshuri dhe nis ta mjekojë.
Tregoni kujdes si e trajtoni çështjen e emigrantit!
Mbani mend, Shpëtimtari i botës ishte njëri prej tyre… e kujtoni Egjiptin?
Ne fund po ndaj me ju çfarë Bibla porosit si duhet të sillemi me emigrantët.
1- Duajini emigrantët si veten tuaj.
“Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq. Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.” Levitiku 19:33-34
2- Kujdesuni për ushqimin e të nevojtarit dhe të huajit.
“Kur do të korrni tokat tuaja, nuk do të korrësh deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mbledhësh kallinjtë që kanë mbetur pas korrjes sate; dhe në vreshtin tënd nuk do të kthehesh prapë, as do të mbledhësh bistakët e mbetur nga vreshti yt; do t’i lësh për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.”
Levitiku 19:9-10
3- Zoti e do të huajin që banon në mesin tuaj.
“sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zotëria i zotërive, Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm që nuk është fare i anshëm dhe nuk pranon dhurata, që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje. Duajeni, pra, të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.”
Ligji i Përtërirë 10:17-19
4- Mëkati i Sodomës; nuk u kujdes për të varfrin dhe nevojtarin
“Ja, kjo qe paudhësia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në kryelartësi, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar, por nuk përkrahnin dorën e të përvuajturit dhe të të varfërit.”
Ezekieli 16:49
5- Mos e shtypni të huajin
“Mos shtyp të huajin, sepse ju e njihni shpirtin e të huajit, sepse keni qenë të huaj në vendin e Egjiptit.”
Eksodi 23:9
6- Mos is grabisni drejtësinë të huajit
“Kështu unë do t’ju afrohem për gjykim dhe do të jem një dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kundër shkelësve të kurorës, kundër atyre që bëjnë betime të rreme, kundër atyre që vjedhin mëditjen e punëtorit, që shtypin të venë dhe jetimin, që dëbojnë të huajin dhe nuk më kanë frikë”, thotë Zoti i ushtrive.”
Malakia 3:5
7- Mbajeni të hapur portën tuaj për shtegtarin
“përveç kësaj asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit.”
Jobi 31:31
8- Ftojeni të huajin dhe kujdesuni për të
“Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë”. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: “Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?”. Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.”
Mateu 25:35-40
9- Duajeni të afërmin si veten tuaj
“Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”.
Galatasve 5:15
Leave a Reply