Kam vendosur të ndaj me ju formulën më efikase për një martesë të shëndetëshme dhe të qëndrueshme. Fillimi dhe fundi i saj gjenden tek një fjalë e vetme. Dashuria. Nuk do të flas për erosin dhe sensualitetin, e as për fileon që gjendet mes miqsh. Po ju jap formulën e dashurisë në llojin e epërm trashandental. Jam i sigurt se nëse do të lejoni këtë lloj dashurie t’ju mbushë zemrën dhe drejtojë marrëdhëniet, gjithçka në ju dhe rreth jush do të ndryshojë.
Tregohet historia e një çifti që e donin shumë njëri-tjetrin. Ishte Krishtlindje dhe të dy po mendonin per një dhuratë. Ata ishin një çift i varfë dhe nuk kishin shumë mundësi ekonomike t’i bënin njëri-tjetrit dhurata të shtrenjta.
Por secili prej tyre zotëronte diçka me vlerë. Gruaja kishte flokë shumë të shëndetshëm, të gjatë dhe të shkëlqyeshëm. Flokët ishin gëzimi dhe mburrja e saj. Ndërsa burri, zotëronte një orë xhepi me kapak floriri që e kishte trashëguar nga babai i tij.
Një e ditë përpara Krishtlindjes, gruaja nuk kishte para ti blinte dashurisë së jetës së saj një dhuratë. Por megjithëkëtë, ajo donte t’i blinte burrit të saj dicka që atij i pëlqente. Kështu, ajo doli nga shtëpia dhe shiti flokët e saj për 20$ dhe me këto para, i bleu burrit që e donte shumë, një zinxhir platini për orën e çmuar që ai e kishte trashëgim nga babai.
Bashkëshorti kthehet vonë atë mbrëmje nga puna dhe kur pa gruan me flokë të prerë, mbeti pa fjalë.
Dhurata e tij ishte një set karficash prej perlash që i kishte blerë për flokët e saj te gjatë. Ai kishte shitur orën prej ari për të blerë karficat për gruan e tij.
Secili prej tyre, kishte dhënë gjithçka!
Kjo ndodh, kur në qendër është dashuria.
Dashuria e vërtetë, në llojin e saj të epërm, nuk mbrohet. Ajo është e zhveshur dhe për çudi nuk ka ftohtë. Nuk trembet dhe për këtë e akuzojnë se është e marrë. Sheh me sytë e shpirtit, ndaj e quajnë të verbër. Sfidon vdekjen dhe s’ka frikë. Kjo dashuri refuzon status quo’n e pafuqisë. Ndryshon rrjedhën e lumenjve të asaj që quajmë normë. Qëndron indiferente ndaj egoizmit. Priret të ndryshojë qendrën e universit të njeriut i cili jeton të përmbushë vetëm dëshirat e tij.
Ajo, jep pa u lodhur, madje deri në vetflijim. Nëse kjo dashuri ka këputur vargonjtë e frikës në zemrën tuaj, atëherë doni vërtetë. Vetëm kështu do të përjetoni diçka më shumë se grimcat e një lumturie të brishtë që priret të vrapojë larg. Vetëm kështu, dashuria do të ruajë martesën tuaj.
Lutem, Zoti t’ju mbushë me këtë lloj dashurie!
Leave a Reply