Kam dëgjuar njerëz të thonë: “Ti je një diamant. Ti je thesar i çmuar!”
Fjalët përkëdhelëse të dashurisë dhe mirënjohjes vlerësohen nga të gjithë njerëzit. Mos jini të kursyer me to. Shpesh, këto fjalë janë si një termostat që rregullon temperaturën. Ndodh që marrëdhëniet ftohen, thyhen e shpesh hyjnë në labirinthe prej ku arsyeja kërkon të gjejë rrezen e humbur të dritës. Këto janë momentet më të vështira në të cilat ndodh të harrojmë shumë prej elementëve të rëndësishëm të jetës. Harrojmë vlerën e asaj që deri aty e ruanim me mjaft xhelozi dhe e kishim të çmuar; familjen, miqtë, marrëdhëniet. Por beteja për të fituar ç’ka kemi humbur, gjithmonë bëhet më e vështirë atëherë kur harrojmë vlerën tonë. Në rendje të shpëtojmë atë ç’ka mbetur, harrojmë atë çfarë jemi!
Kjo është arsyeja që kam vendosur t’ju shkruaj për këtë element të rëndësishëm, vlerën tuaj.
17.8 milion $ u vlerësua pak kohë më parë në ankandin e Honkongut diamanti pink.
Miq, Bibla tregon se vlera juaj është pakrahasueshmërisht e çmuar dhe pafundësisht e madhe, krahasuar me vlerën e këtij diamanti!!! Arsyeja është e thjeshtë:
Çmimi përcakton vlerën! Çmimi që u pagua për ju është shumë herë më i lartë se vlera e këtij diamanti; Në sytë e Autoritetit më të lartë të gjithë krijimit ju vleni me shumë se çdo pasuri e kësaj bote. Ah, sikur të njihnit vlerën tuaj të vërtetë në momentet tuaja më të vështira.
Miq, mos lejoni pluhurin e harresës, të mbulojë vlerën tuaj. Kujtoni që vlera përcaktohet nga çmimi. Bërësi ynë, pagoi për të na kthyer mbrapsht në familjen e përjetëshme të krijuar prej dashurisë së Tij.
Shkëlqimi ynë do të jetë i plotë vetëm atëherë kur do të lejojmë këtë dashuri qiellore t’i japë kuptim dhe qëllim jetës tonë!
“duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë,” 1 Pjetri 1:18-19
Leave a Reply