Ndershmëria dhe drejtësia mungojnë, sepse mungon e Vërteta!
Mesazhi i filozofit Grek Diogjeni i cili jetoi në shekullin e IV para Krishtit, ka mbetur mëse real në çdo kohë, veçanërisht në ditët tona.
Diogjeni lëvizte gjatë ditës në tregun e Athinës me një llambë në dorë dhe kur e pyesnin se çfarë ishte duke bërë, ai përgjigjej:
“Jam duke kërkuar të gjej njeriun e ndershëm.”
Diogjeni kërkoi për një njeri të ndershëm, por në mënyrë të përsëritur ai nuk gjeti veçse mashtrues dhe hipokritë.
Tre shekuj përpara se Diogjeni të jetonte, Isaia shkruan:
“Ndershmëria është larguar dhe drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta nuk ndodhet më në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të.”
Bibla (Isaia 59:14)
Tashmë kanë kaluar mbi 2700 vjet prej konstatimit që profeti Isaia deklaroi për popullin e tij dhe pak a shumë bota jonë ka mbetur e njëjta. Mbrëmë, gjatë festimeve të 20 vjetorit të emisionit Opinion, po bisedoja me një profesor të nderuar me të cilin kemi qenë sëbashku në disa debate televizive. Konstatimi i tij ishte i përafërt me sa më sipër.
– “Pastor, arsyeja që njerëzit largohen nga Shqipëria, është e thjeshtë! Këtu, ata nuk ndihen të vlerësuar dhe asesi që mund të realizojnë ëndrrat e tyre.” Më tej, pa ngurruar, ai vazhdoj: “Mediokriteti është ulur në pozita drejtuese dhe njerëzit e aftë nuk vlerësohen.” Më të drejtë, profesori fliste realitetin e dhimbshëm Shqiptar të këtij çerek shekulli të fundit. Nuk ishte e vështirë të bija dakord me mikun tim. Konstatimet e tij ishin të hidhura, trishtuese, por të vërteta. E megjithëkëtë, mbeten konstatime të këtij realiteti të trishtë, i cili është krijuar prej një faktori tjetër, pothuajse i padukshëm nga analistët në vend dhe i paprekur prej penës së tyre.
Ky është faktori ‘”Isaia” i cili në ndryshim nga Diogjeni që konstatonte se ndershmëria kishte humbur sëbashku me njeriun, prek rrënjën e vërtetë të problemit. “Faktori Isaia” vendos njeriun brenda skanerit, dhe që aty e nxjerr me diagnozën e vërtetë për shkaktarin e sëmundjes së tij.
Kush e kishte menduar më parë që shpirtërorja, mund të ndikojë standartet politiko-shoqërore, në një mënyrë gati të frikshme?
Në fakt, kjo është ajo që ka ndodhur. Standartet e ndershmërisë dhe drejtësisë mungojnë, përshkak se kemi refuzuar të ‘Vërtetën’. Për adhuruesin e së Vërtetës dhe lexuesin e zellshëm të Biblës, e ‘Vërteta’ nuk është një, apo disa parime, por një person. Një person i cili me lindjen, jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Tij, përkufizon të vërtetën si koncept dhe standart. Mbajeni larg Të Vërtetën (si person) dhe ndershmëria sëbashku me drejtësinë do të mungojnë dhe shoqëria do të vuajë. Hapjani derën Të Vërtetës (si person) dhe jeta e Tij do të ripërkufizojë standartet dhe konceptet tuaja për jetën dhe shoqërinë.
“Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.” Jezusi
Leave a Reply