Mbi Origjinën e Lëvizjes së Sotme Majtiste në SHBA. Dr. Ernest Nasto

Mbi Origjinën e Sotme Majtiste në Shtetet e Bashkuara
Një shkrim të cilin me kënaqësi e ndaj në faqen time dhe ju rekomandoj ta lexoni. Nga, Dr. Ernest Nasto, Studiues i politikës Amerikane, Çikago. Botuar sot në Gazetën Panorama.

Në Amerikë e në vende të tjera perëndimore po vërehet së fundmi një interes në rritje për idetë majtiste, siç tregohet nga dalldisja pas “political correctness”, pas rrëzimit të statujave e pas rishkrimit të historisë. Kjo “lëvizje për drejtësi sociale” (LDS), e njohur edhe me termin “woke” (1) po shkakton pështjellim të ndjeshëm, prandaj është me interes të shikojmë disa tipare të saj dhe origjinën e tyre. Një karakteristikë kryesore e LDS është ndarja e shoqërisë në grupe, me kontradikta antagoniste që duhen zgjidhur jo me marrëveshje, por me përballim. Ky vështrim u bën jehonë disa ideve marksiste, të cilat, në vend që të ishin harruar, po fitojnë përsëri popullaritet më se 30 vjet pas rënies së komunizmit në Lindje. Ndër to veçohen, përveç ndarjes së lartpërmendur, edhe raportet ndërmjet bazës e superstrukturës së shoqërisë.

Baza, sipas Marksit, janë marrëdhëniet ekonomike, ndërsa superstruktura është bota e ideve: kultura, politika, feja, arti etj. Ato përbëjnë forma tjetërsimi, me qëllimin e vetëm të ruajtjes së paprekshmërisë së bazës ekonomike. Njerëzit merren me to thjesht nga pakënaqësia me gjendjen materiale (prej ku parulla “feja është opium për popullin”), e prandaj roli i intelektualëve marksistë është demaskimi i rolit të superstrukturës për të arritur e transformuar marrëdhëniet e pronësisë në favor të punëtorëve. Kjo bëhet vetëm duke antagonizuar grupet shoqërore, duke parë historinë si luftë të pashmangshme klasash, njëra detyrimisht “shtypëse” e tjetra detyrimisht “e shtypur”. Të shtypurit duhet të edukohen e të ndërgjegjësohen vazhdimisht, duke përjashtuar çdolloj bashkëpunimi me shtypësit. Ngjashmërisht e majta e sotme hedh poshtë idetë dhe rregullimet politike ekzistuese, historinë, kapitalizmin etj., pa shpjeguar aspak se me çfarë të zëvendësohen. Dhe mjeti kryesor i nxitjes së antagonizmit mbetet kurdoherë dhuna.

Një tipar i dytë i kësaj lëvizjeje është relativizimi i së vërtetës, shpallet se s’ka të vërtetë absolute, dhe e vërteta ime, jotja apo e tjetrit, janë njësoj të vlefshme. Në këtë mori të vërtetash relative, dominuese është vetëm forca e vullnetit, ose ndryshe vullneti i më të fortit, e kjo na vjen kryesisht nga Friedrich Nietzche (1844-1900), autori famëmadh i Zarathustrës. Një ide madhore e tij ishte ajo e “vdekjes së Zotit”, një shtyrje e mëtejshme e ateizmit marksist. Duke zëvendësuar Zotin me arsyen (ose Arsyen), filozofia perëndimore kish prerë degën, mbi të cilën qe ulur, sepse baza e gjithë arritjeve të saj në kuptimin e ekzistencës, të së vërtetës dhe të vlerave morale kishte qenë kurdoherë ideja e Zotit dhe parimet e etikës kristiane. Pa Zotin, s’ka bazë për kategori absolute, të gjitha të vërtetat janë, siç thamë, njësoj të vlefshme, prej ku mungesa e normave objektive dhe dominimi i vullnetit të më të fortit.

Kjo mungesë objektiviteti shihet sot edhe në vështirësinë e komunikimit të qartë me palën përballë. Mediat sociale janë, me përkufizim, tribuna deklamacioni, jo arsyetimi: duhet shpallur vetëm ideja jote, edhe nëse fare pa bazë dhe pa kuptim. Prandaj pakkush bindet sot të ndryshojë mendim nga “Tweets”, apo nga shkëmbimet në “Facebook”. Dhe nëse s’ka asgjë absolute, atëherë përse mundohemi kot? E rëndësishme është vetëm realizimi i vetvetes, pohimi heroik i vullnetit individual(2).

Karakteristika e tretë e LDS është kultura e pohimit dhe rikrijimit të vetvetes: vetëm aspiratat individuale kanë rëndësi, prandaj mund ta zgjedhim vetë seksin, gjininë, racën, orientimin seksual etj. Ky zell për ripohim konstant të individit na kujton pa dyshim Jean-Paul Sartre (1905-1980), filozofin e madh frëng të ndikuar ndjeshëm nga Nietzche. Sartre shpallte parimin themelor se ekzistenca e njeriut si individ i paraprin esencës, d.m.th., mjedisit ku ai lind e zhvillohet. Në kuptimin tradicional ky i fundit është parësor, sepse njeriu vjen në botë në një shoqëri që ka qenë aty prej kohësh, dhe përpiqet të përshtatet me rregullat e saj. Organizimi dhe morali shoqëror kushtëzojnë kështu ekzistencën dhe i tregojnë individit të mirën e të keqen, pra si të jetojë. Por Sartre, gjithmonë bazuar te mohimi i Zotit, i quan ato struktura joobjektive, duke konsideruar ekzistencën e njeriut si primare ndaj esencës. Individi do të zgjedhë rrugën e tij, pa ndjekur traditën e familjes e shoqërisë, pa asnjë referencë, pra, ndaj esencës. Ai është i lirë të vizatojë ekzistencën e tij tek Asgjëja, ashtu si i duket atij më e mira.

Një veçori e fundit e majtizmit është preokupimi me kontrollin e gjuhës e të fjalëve, me qenien “politikisht korrekt”. Kjo lidhet me idetë e frëngut tjetër, Michel Foucault (1926-1984), mendimtari me ndikimin më të madh te LDS, i cili në veprën e tij përpiqet të zbulojë tërë fazat paraardhëse të kuptimit aktual të normave shoqërore. Larmia e madhe e kuptimeve të tilla e bën Foucault të ripohojë vendosmërisht idetë nietzcheane të mungesës së moralit objektiv shoqëror.

Të gjitha normat, sipas Foucault, s’janë veçse raporte force, varësisht nga grupi shoqëror sundues. Ai grup bën çmos të ruajë situatën, përshtat botën e ideve, e bile manipulon e transformon edhe gjuhën, duke përcaktuar kuptimin e fjalëve. Në shoqëri ka kësisoj një shumëllojshmëri grupesh “shtypëse” dhe “të shtypura” (jo dy, si te Marksi) dhe janë “shtypësit” ata që vendosin, siç thamë, kuptimin e gjuhës. Kemi, pra, te Foucault kombinimin e antagonizmit social marksist me theksin e Nietzche-s te dominimi, pushteti dhe te roli i veçantë i gjuhës si armë e tyre.

Jehonat e Foucault në lëvizjen e sotme duken në fjalorin e LDS, mbushur me kategori të panumërta “të shtypurish”, doemos antagonistë ndaj “shtypësve” përkatës, me të drejtën dhe moralitetin gjithmonë në anën e “të shtypurve”. Logjika bazë është se sa më “i shtypur” të jesh, aq më lart qëndron moralisht. Zezakët “shtypen” nga të bardhët, punëtorët nga kapitalistët, femrat nga meshkujt, homoseksualët nga heteroseksualët etj., etj. Meshkujt e bardhë heteroseksualë janë kështu grupi më shtypës dhe ata përcaktojnë edhe mënyrat e të folurit në funksion të ruajtjes së dominimit të tyre. Ato mënyra janë kryesisht të pavetëdijshme, prandaj detyra e intelektualit është të demaskojë raportet “shtypëse” dhe padrejtësinë e tyre. Prej këtu edhe diskutimet pa fund rreth “mikroagresionit”, rreth “dhunës së fjalëve” që quhen raciste, seksiste, homofobike etj. E po ashtu edhe përdorimi i konceptit të fshirjes (“cancel culture”), si arma më efektive e kësaj “policie gjuhësore” sui generis, që nga absurditeti ngjan sikur ka dalë nga faqet orwelliane të 1984.

Kjo sjell doemos autocensurën, sepse individët, sidomos personalitetet publike, i druhen hakmarrjes nëpërmjet fshirjes, që s’mbetet vetëm në rrjetet sociale. Ajo shpesh shoqërohet me presione për pushim nga puna të “fajtorëve” (atyre që guxojnë të shmangen sadopak nga “vija zyrtare”), viktimë e të cilave kanë rënë mjaft pedagogë në universitete e shkolla të mesme.

Një kufizim i tillë i lirisë së fjalës është pa dyshim tipari më totalitar i kësaj lëvizjeje. Majtizmi i sotëm s’po mjaftohet të shpallë thjesht barazinë, por siç e përmendëm, edhe superioritetin moral të “të shtypurve”. Nuk ka rekomandime pozitive për përmirësim të shoqërisë, por më tepër nota hakmarrëse, përderisa grupeve të konsideruara “shtypëse” (të bardhëve) u thuhet pak a shumë të mbyllin gojën, sepse prej tyre s’mund të pritet më ndonjë ndihmesë serioze.

Ide të tilla filozofike shoqërohen detyrimisht edhe me pasoja praktike në situatën e sotme politike amerikane, te të cilat do të ndalemi më me hollësi te një artikull i ardhshëm. Por, sidoqoftë, njohja e origjinës së këtyre ideve dhe rivendikimi i moralit tradicional janë krejt të domosdoshme nëse qytetërimi amerikan e ai perëndimor në përgjithësi, synon ta kalojë me sukses pështjellimin aktual.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: