Toleranca, intoleranca, apo problemi me të vërtetën?

Perëndimi, thuhet, po vuan nga intoleranca – nuk është kështu. Po vuan nga toleranca. Toleranca ndaj së drejtës dhe së gabuarës, së vërtetës dhe gabimit, virtytit dhe së keqes, Krishtit dhe kaosit.

Bota nuk është e tejmbushur nga fanatikët, sa është e mbingarkuar me njerëzit ‘mendjegjerë’ dhe indiferentët. Jetojmë në kulturën ku toleranca tejkalon të vërtetën dhe vesi promovohet në vend të virtytit, sepse mbi të gjitha kemi keqkuptuar lirinë.
Akil Pano

Derisa Dita të Zbardhë

Jemi të gjithë të ngjashëm me farën. Fara, përjeton proçesin transformues të rritjes, zhvillimit dhe ndryshimeve të mëdha; por paradoksi është se e gjitha ndodh në errësirë. Ndaj, mos druani errësirën, pasi nuk jeni të pashpresë, nëse ajo ju rrethon.


Ju jeni të ngjashëm me farën. Potenciali që është në ju është gati për metamorfozën. Gati të shpallë, manifestojë, shprehë dhe të jetësojë frutat e jetës. Ndaj, ngrini vështrimin lart, njëlloj si embrioni në shpërthimin e tij, teksa sfidon errësirën dhe zgjatet të kapë dritën.

Dhe pak… vuajtje, trishtim, mungesë, durim, ngulm, mosdorëheqje, derisa dita të zbardhë dhe vaji i trishtimit t’i lerë vendin këngës së gëzueshme të jetës!
Zoti me ju miq!

Pakëz Dritë në Natën e Errët

“Menjëherë e falim fëmijën i cili ka frikë nga errësira, por tragjedia e vërtetë e jetës është kur njerëzit kanë frikë nga drita.”

Kjo ishte e vërteta e njeriut sipas Platonit. Paradoksi ynë: Kemi frikë dritën (të vërtetën) ndërkohë mallkojmë errësirën.

Miku im! Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një llampë dhe shkëlqe dritën tënde. Shumë njerëz ankohen nga errësira që i rrethon. Ankesat s’e largojnë, kufijtë nuk e zmbrapsin… Pakëz dritë dhe errësira tërhiqet në krahët e së shkuarës.
Mos mendo t’i vesh kufij errësirës, t’i veç shkëlqe.
Akil Pano

Traktat mbi Dashurinë

Dashuria e pandryshuar në esencë, është më e fortë së vdekja. Ka ndodhur jo pak herë kur njerëzve dashuria i është shfaqur në formën e saj sublime. Një nënë e cila jep vullnetarisht jetën për fëmijët e saj,! Një burrë i cili pranon vdekjen e një heroi për një kauzë të lartë!

Por, një të Premte rreth dymijë vite më parë njeriut iu prezantua manifesti më i lartë i dashurisë! Mbi kryq Dashuria mundi Vdekjen.

Cilën vdekje, mund të pyesë dikush? Universalen që na mundon të gjithëve. Vdekjen tonë. Atë që u ngjiz në Eden me rënien fillestare të primatëve tanë.

Kemi dëgjuar të na flitet për traktat mbi tolerancën, Kjo për të cilën ju shkruaj është një traktat më i lartë; është traktat mbi dashurinë. Për këtë shkroi dhe apostulli Pal në letrën drejtuar Romakëve, të cilin po ju a citoj:

“Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët. Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Romakëve 5:6-8

Shën Pali e përshkruan gjendjen njerëzore, pa forcë dhe në armiqësi me Zotin, përshkak të mëkatit i cili pas Edenit, është pjesë e natyrës tonë. Kjo është e vërteta e trishtë e njeriut. Pa forcë, “i vdekur në faje dhe mëkate” Efes.2:1.

Me pak fjalë; ky është përshkrimi i gjendjes njerëzore. Fenomeni njeri vuan, Kjo vuajtje shpërfaqet pandërprerë nga simptomat e gjendjes tonë të sêmurë. Dikush duhet të ndërhyjë aty ku askush s’mund të hyjë veç Zotit, në thellësinë e natyrës së njeriut që të mbërrijë të prekë dhe transformojë thelbin e tjetërsuar nga mëkati dhe vdekja. Kjo është një vepër sui generis; një mrekulli e cila mund të realizohet nga Zoti. Kjo ndodhi në kryq!

Dashuria nuk pezullon të vërtetën, por e merr në kraharor, udhëton me të dhe ndalet mbi Kryq.

Vallëzimi i Stërkalave

Njerëzit gjithmonë kanë kërkuar t’i përkasin diçkaje. E çuditshme, por kjo ka ndodhur gjithmonë. Duket se është e pamundur që njeriu të jetojë i lirë nga ndjenja e përkatësisë.
“Unë dua të jem pjesë e kësaj shoqërie. Unë dua të kem lidhje me këtë apo atë.” Këtë e bëjmë me një emër të famshëm, me një bankë, me një parti politike, me një klub apo me një rreth të caktuar nga një shtresë e shoqërisë.


Skllavi i mëkatit, tashmë prej shumë epokave, e ka harruar aromën e flladit të lirisë. Pafundësisht i varur, i lidhur dhe në pritje të padronit (mëkati) të radhës, njeriu i gjorë vazhdon të presë agimin e nesërm me shpresën që mugëtira e mbrëmjes do të kalojë shpejt.
A e ke menduar ndonjëherë se sa e lehtë është t’i përkasësh diçkaje? Shpesh ndodh që për t’u bërë pjesë e diçkaje jo domosdoshmërisht duhet nënshkrimi i një marrëveshjeje. Mjafton një zgjatje dore, një lëvizje e kokës për të pohuar apo mohuar diçka, një premtim, një garanci, një ftesë e marrë, mbase dhe një vizitë e “rastësishme.”
Vizitori i kopshtit atë pasdite nuk kishte aspak qëllime të mira. Në fakt atë ditë ai kishte vendosur të ishte vetja e tij. Dinak!
Një sekondë krenarie për bukurinë dhe pozitën e tij të admirueshme kishte qenë mjaft që qielli ta nxirrte jashtë portave të tij. Reaksioni kimik kishte ndodhur. Metamorfoza e zilisë dhe e krenarise kishte shtrirë të gjitha tentakulat prej përbindëshi brenda tij. Me një shpejtësi të madhe, hidhërimi, ligësia, frika, hipokrizia, ndyrësia, shthurja dhe hakmarrja pushtuan tërësisht këtë qenie. Mutacioni vazhdoi të ndodhte deri pothuaj në pafundësi, aq herë sa “Dinaku” pranonte me gëzim kompleksitetin e qenies së tij në ligësi të tejskajshme.
Diagnoza për të ishte dhënë kohë më parë në qiell : “I pakthyeshëm” dhe i “pashërueshëm.” I pashpresë për të njohur mëshirën, i ndarë përjetësisht nga Bërësi i gjithçkaje, me një natyrë të rënë që zvarritet deri në pluhur.
Rebeli i hershëm i qiellit, që për nga xhelozia nuk kishte të dytë, këtë pasdite kishte ardhur në kopsht.

Hidhërimi duhej të vishte pallton e një miku që të manifestohej në formën më të sofistikuar dhe të padukshme. E kjo nuk përbënte problem, pasi hipokrizia dhe shtirja ishin atribute që tashmë i zotëronte mjaft mirë.
Një zgjatje e dorës së brishtë dhe të bukur që Adami shpesh e ledhatonte! Kjo ishte ajo që i duhej!
Kishte vëzhguar me shumë kujdes çdo karakteristikë të banorëve të kopshtit. “Evës, ashtu si çdo gruaje që do të lindë prej saj, i pëlqejnë detajet dhe vëmendja. T’i afrohesh në mënyrë komplimentuese dhe do t’i japësh dhuratën. Vetëm një zgjatje e dorës së saj dhe…”

Dhe në fakt Eva e zgjati dorën e saj të brishtë dhe së bashku me burrin që e donte shumë, pa e kuptuar e lidhën veten në mënyrë të pazgjidhshme me mëkatin, prishjen dhe vdekjen.
Skllevër të vetë ëndrrës së tyre; për më shumë: Skllevër të mëkatit. Dramatikisht pa e kuptuar kishin përjetuar rënien e madhe. Me shpejtësinë e dritës ishin shpërngulur prej tokës ku takoheshin çdo ditë me dritën, prej aty ku gjithçka ishte dritë. Të ndarë nga Perëndia vendosën të marrin në dorë fatin e tyre. Zgjedhja dhe pasojat e paralajmëruara më parë nga Bërësi, tanimë ishin vetëm histori e trishtë braktisje nga ana e tyre.

Tashmë ditët e njeriut mbanin të gdhendur historinë e dramës së tij. Histori zhgënjimi, dhimbjeje, humbjeje dhe lotësh; veç, shumë lotë të derdhur. E në se për ne të gjallët do të ishte e mundur të udhëtonim prapa në kohën ku fatet tona u caktuan, e të gjendeshim në kopsht për të parë dhe një herë duart e çiftit që drejt mëkatit u zgjatën, kam frikë se s’do të përjetonim shumë, veç shtangies, trishtimit e habisë që ngërthen zemrën.

Dhe duart zgjaten sërish. Por këtë herë mbi një dru që qe shkulur prej tokës së njerëzve të rënë!
Aty mbi dru, Ai nuk ishte për t`i dhënë formën lëndës që aq mirë e njihte prekjen e Tij. Mbi kryq Mjeshtri do t`i jepte formën jetëve tona. Duart e Tij, që me mjeshtëri përdornin mjetet e lashta të ndërtimit, kësaj here do të linin dikë tjetër t’i përdorte. Tingulli mjeshtëror i çekiçit, i cili thyente hapësirat e akullta të kohës në botën e njerëzve, ndërsa mbahej prej duarve të Mjeshtrit, modelonte pa fund lëndën e brishtë.
Tingulli mjeshtëror tashmë i kishte lënë vendin trokitjes së dhunëshme mbi drurin e rëndë. Goditje të forta hidhërimi për çdo betejë të humbur njerëzore, goditje frikërash prej njeriu të kapluar prej errësirës, goditje prej dikujt që s’mund të copëtojë i vetëm prangat e tij.
Tanimë stërkalat po binin mbi lëndën, duke e mbuluar atë si me një vel të ndezur. Mbi drurin e rëndë e të dalur ngjyre, i cili kishte kohë që qe shkulur prej tokës së njerëzve të rënë, ishin ngulur vështrimet zhbiruese të turmës.
E përhimta që rrethonte drurin, turmën dhe që mbante të prangosur çdo zemër njeriu, po mbulohej nga e kuqja flakë e stërkalave.
Po, aty mbi dru, stërkalat kishin nisur kërcimin e tyre të dashurisë. Vallëzimi mahnitës i tyre, dhimbja dhe dashuria të përqafuara në këtë kërcim qiellor stërkalash.
Vallëzimi i tyre është i ngjashëm me kërcimin legjendar të heronjve të kthyer pas betejës së fituar. Tabloja nis e bëhet më e qartë. Mbi kryq ndodhet Mjeshtri, Arkitekti, Prijësi, Bërësi i jetës. Çekanin në duar e mban dikush tjetër. Dikush që prej së largu dallohet lehtë që nuk e përdor këtë instrument për të ndërtuar.
Pa hezitim ngre krahun dhe godet. Godet dhe gozhdët lehtësisht shpojnë duart që botën mbajnë. Dhe stërkalat nisin vallëzimin e tyre. Kërcejnë dhe kur bien mbulojnë gjithçka. Kërcejnë duke u ngjitur drejt qiellit si këngë dashurie që dëgjohet vetëm atje lart. E në këto hapësira të paimagjinueshme prej tokësorëve, kënga e stërkalave fton çdo krijesë inteligjente qiellore të bashkohet me nderim hyjnor në zëra mijëra engjëjsh të cilët nisin të këndojnë këngën e Qengjit.
E kur stërkalat bien, hapësirat e pafundme gri të botës sonë mbulohen prej tyre. Horizontet e shkelura dhe ato të panjohura më parë nga njerëzit. E dukshmja dhe e padukshmja, tokësorja dhe qiellorja.
Qielli nuk heziton të shpalosë mantelin e tij mbështjellës për të përshëndetur këtë vallëzim qiellor, që po ndodh në tokën e njerëzve të rënë. Çdo sekret i ruajtur që prej kohërave, ku fillimi ende nuk njihej në kalendarin e njerëzve, u zbulua përpara madhështisë mahnitëse të stërkalave.

Ai që s’njeh as fillim e as fund ditësh, me gëzim të pakuptueshëm nga njerëzit vështron vallëzimin e stërkalave të gjakut që rrjedh nga damarët e Tij. Ai të sheh ty të mbuluar. Ti, brenda hapësirave gri e të akullta në botën ku linde. Ti, i mbuluar dhe i falur nga vallëzimi i stërkalave.
Ti, i çliruar nga errësira dhe i sjellë në dritë. Ti, i lirë dhe me një përkatësi të re. Ti, përgjithmonë i Krishtit.

E Shtuna e gjatë e heshtjes!

Sot është dita në të cilën mendoj për vdekjen më shumë se ditën kur u ndava nga gjyshi, babai, mamaja e shumë njerëz të dashur.
Vdekja rrëmben prej nesh njerëzit më të çmuar, duke lënë pas përjetesa dhimbje dhe trishtimi, boshatisje, kufijsh, heshtje, frikë… Por sot, veç pritjes nuk përjetoj asgjë tjetër. Një pritje në ankthin të cilin përshkruhet mjeshtërisht prej Kierkegaardit.
Pres me gëzim ditën kur e Shtuna jonë e gjatë t’i lerë vendin takimit mahnitës në të Dielën e ringjalljes.
Pritje me durim për të dëgjuar borinë e kryeengjëllit ditën kur unë do të kërcej në krahët që mbajnë peshën e botës.
Sot, jetoj të Shtunën dhe pres…

Problemi ynë është se jetojmë të Shtunën, pa kuptimin e kufijve të orëve të saj. Kështu jo vetëm humbim magjinë e përmasave të së nesërmes, por zvogëlojmë kuptimin e qëllimit të ekzistencës sonë mbi të sotmen, vlerën dhe sfidat e saj.

Të flasësh për vdekjen, do të thotë të njohësh përmasat e jetës. Shumë prej nesh e shmangim subjektin, duke shpresuar që kështu do të shmangim ngjarjen. Paradoks të rriturish që mendojnë e sillen si fëmijë kur diçka i tremb.

Po e mbyll këtë meditim të shkurtër mbi vdekjen dhe heshtjen e së Shtunës pas kryqëzimit, duke cituar mendimin e puritanit Thomas Watson.

“Bota s’është veçse një hotel i Madh Në te cilin ne qëndrojmë një ose dy ditë dhe më pas largohemi. Çfarë marrëzie është të lidhim zemrën tek hoteli dhe të harrojmë shtëpinë.”

Dy fjalë mbi legalizimin e Kanabisit.

Lakmia për perfitim të shpejte është fëmija anemik i kapitalizmit.

Përpara rreth një viti, e majta në pushtet nisi të përpunojë opinionin publik mbi temën e aspekteve pozitive që lidhen me legalizimin e kanabisit në Shqipëri. Për këtë natyrisht që në ekranet televizive filluan të dalin liberalë të majtë, pjesë e onturazhit të mendimit që nxit idenë se, gjithçka që sjell një përfitim financiar mund të legalizohet.

Disave prej nesh kjo u dukej një retorikë për të mbushur programet televizive me tema të cilat në thelb kishin përmbajtje morale, por se do të vinte kaq shpejt dita që qeveria do të propozonte legalizimin e asaj që shpall se luftoi më shumë për vite, ‘kanabizimin e vendit’ nuk e mendonim.
Kam mbrojtur fort përmes argumentave morale arsyet pse kanabisi nuk duhet të legalizohet, madje që herët mos gaboj viti 2014 kur asokohe deputeti Z. Kokëdhima ishte i pari i cili shprehu në publik këtë propozim.
Në emisionin Opinion kujtoj që debati ishte i nxehtë dhe me argumenta nga të dyja kahet. Më pas u duk sikur propozimi u la në harresë, por hera- herës risillej mbi të njëjtën bazë argumentesh.
Përpara rreth tre muajsh ky propozim mori sërish vëmendje mediatike, kur përfaqësues të se majtës, e lidhën legalizimin e kanabisit me aspektin pozitiv të uljes se krimit, çka për mua është një dialektikë jo vetëm e palogjikshme, por në thelb ka një problem moral.

Problemi është se veprimtaria kriminale që lidhet me kanabisin, nuk ka lidhje me përdorimin e tij për arsye mjekësore, por siç dihet lidhet me përdorimin e tij si ‘bar’ kënaqësish dhe varësie. Si rrjedhojë: pse do të ulte nivelin e krimit kur nuk ka lidhje me krimin për këtë arsye?

Propozuesit e ‘legalizimeve të mëdha’ e shohin legalizimin e ‘barit’ si një anije shpëtimi, mundësi përfitimesh ekonomike dhe taksimi, punësimi, hapje tregu, por kryesorja është:
zhvillimi i sektorit të turizmit të kënaqësive (këtu përfshihet legalizimi i kanabisit dhe prostitucionit/shtëpive publike, për të cilin kam folur jo pak dhe e kam quajtur ‘legalizimi i dhimbjes’) dhe sa herë është folur për njërën, aq herë është folur dhe për tjetrën në debatet televizive.

Për propozimin e legalizimit të kanabisit mbi premisën se ul krimin dhe legalizimin e prostitucionit mbi idenë se ul trafikimim dhe dhunën ndaj vajzave, kemi NJË PROBLEM TË MADH LOGJIK DHE NJË TJETËR MORAL.

Është njëlloj sikur kemi thënë: Legalizimi i krimit minimizon krimin
dhe legalizimi i dhimbjes(në rastin e prostitucionit) minimizon dhimbjen.

Por që krimi të lihet krim dhe të legalizohet, kjo përjashton logjikën. Si rrjedhojë, kërkesa që parashtrohet është; përpjekja për të parë të keqen jo si të keqe (këtu kemi problemin moral) dhe për te gjetur mënyra si mund të përftohen të mira nga e keqja (që s’duhet të jetë më e keqe).

Është njëlloj sikur themi: Pse mos të legalizojmë vrasjet (vendosim me ligj që vrasja nuk është krim) kështu kemi mbërritur në pikën ku mund të shpallim Shqiptarët të lumtur dhe vendin të lirë nga krimi. Në momentin që vrasjen se konsiderojmë më krim, krimi nuk ekziston, pavarësisht se vrasjet vijojnë!

E vetmja mënyrë që e keqja të legalizohet, është të mos shihet më si e keqe. Për këtë duhen që panelet e diskutimit publik të popullohen nga ‘moralistë të rinj’ të cilët herë shpallin se e keqja nuk ekziston, herë të tjera e keqja është relative, e herë te tjera mund te perfitohet prej saj.
Por në rastin e propozimit të legalizimit të kanabisit, idea nuk vjen më si një propozim, a projekt ide, por si një vendim të cilin tashmë e kanë marrë Shqiptarët përmes informacionit që qeveria ka mbledhur nga pyetësori i ndarë disa muaj më parë.

Lidhur me pyetësorin, faktet flasin se kanë dhënë mendimin e tyre vetëm 14.5% e Shqiptarëve nga të cilët 61% janë shprehur po.

Pyetja që kam është: a mjafton!? A është e mjaftueshme që pak më shumë se gjysma e 14% të Shqiptarëve të merren si referencë për të legalizuar atë që deri tani që shkruaj është krim!?

Historia si mësuese e mirë na kujton që ka pasur momente në historinë e shoqërisë njerëzore, kur kombe të caktuara kanë dakordësuar luftën, genocidin, spastrimet etnike.

Mbi këtë premisë a mund ta marim si pikë referimin mendimin e shprehur të një pakice të shoqërisë për legalizimin e çka deri tani konsiderohet vepër kriminale në Shqipëri?
Dje dëgjova propozimin e një deputeti të njohur të së majtës që propozoi rihapjen e qendrave të basteve me pretendimin se një pjesë e fitimeve nga ky aktivitet mund t’i shkojë sportit!

Pyetja që shtrohet është: sa e varfëron ky aktivitet ekonominë e familjeve Shqiptarëve dhe sa nxit tek njerëzit varësinë ndaj bixhozit?
Mjaft t’i hedhim një sy të ardhurave vjetore të kompanive të basteve sportive për të kuptuar që këto para, vërtetë pasuronin një pakicë pronarësh të këtyre kompanive, por varfëronin një shumicë të familjeve me të ardhura modeste, kryefamiljarët e të cilave kishin varësi ndaj këtij vesi. Rritja e depresionit, varësisë ndaj drograve dhe divorci i shkaktuar prej konflikteve familjare si rrjedhojë e bixhozit, ishin tregues të problematikave sociale të cilat qeveritë e kohës ishin të pafuqishme t’i jepnin zgjidhje.

Jo çdo aktivitet që premton përfitime financiare është një e mirë për shoqërinë. Mjaft të marim si pikë referimi vitin 97’ i cili kulmoi në dramën më të madhe shoqërore pas komunizmit, sepse shumica vlerësoi më shumë përfitimet financiare, se sa dëmet e paimagjinueshme ndaj njeriut, familjes dhe shoqërisë, që bashkëlidheshin më këto përfitime.

Proverbi i lashtë Biblik na kujton të vërtetën e pamohueshme e cila shpall:

“Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund të çon në shkatërrim.”

Politikat dhe ligjet që në thelb relativizojnë të keqen, ose më keq akoma, e legalizojnë atë, janë politika të cilat shembin themelin e shoqërisë.
Akil Pano

Shqipëria e 5 Anarkive. Fan Stilian Noli

Shkrimet e Nolit janë sot më aktuale së kurrë. Është e qartë që përgjatë dekadave të kohës nuk kemi mundur dot të përparojmë në çështjet për të cilat Noli flet gati një shekull më parë. F. Noli në analizën e tij tregon që, Shqipëria sundohet nga pesë anarki. Vijon:

E para: Anarkia fetare. Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta: Anarkia sociale.
Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu, dhe beu më bujk se bujku.Kemi një shembull për partinë popullore, e cila sot mbahet në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta: Anarkia morale. Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen, dhe ndërrojnë formë nga dita në ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre, e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha, dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta: Anarkia patriotike. Këtu brënda një dite si për magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si tradhëtorë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtar e të shikojë interesat e tij, sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesermen të proklamohet si patriot i madh.

E pesta: Anarkia e idealeve. Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit të Buharasë përfyten e përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, me elegantët e më të shndritshmet e Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpusha që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqisësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë.
Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e se lëshonte, gjersa ja prenë e atëherë e kapi me dorën e mëngjë, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikurse të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike.
Që t’i shqisës këta tanët nga kolltuku duhet t’i presësh jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët dhe trupin.

Kur Instrumenti i Jetës shndërrohet në Gijotinën e vdekjes!

Senatori demokrat propozon ligjin qè lejon nènat të vrasin foshnjat e tyre deri 28 ditè pas lindjes!

Propozimi që më la pa fjalë!

Deri këtu kisha menduar që propozimet të cilat në dukje i ofrojnë njerëzimit ‘lirinë në një pjatë të argjendtë’ përveçse bëjnë të kundërtën, avancojnë agjendat globaliste antinjerëzore që lidhen me tkurrjen e popullsisë, shpopullimin e kombeve, sundimin e masave dhe ngritjen e rendit të ri botëror.

Por ndërsa u prezantova me këtë propozim, nisa të mendoj që kurrsesi ky s’mund të jetë një propozim prej njeriu, a force leftiste ‘progresiste’ (siç u pëlqen të paraqiten në publik.) S’mund të jetë asgjë më pak se propozim ardhur nga thellësitë e një bote obskure nga përtej varrit, për të ‘vjedhur, vrarë e shkatërruar’, njeriun, familjen dhe jetën në tokë.

Kam disa herë që e përsëris në debate të ndryshme televizive idenë që ‘ferri është ngritur mbi sipërfaqen e tokës!’

Doja ta ruaja këtë shkrim të shkurtër të zhveshur nga çdo ngjyrim fetar, në mënyrë që dhe mendjet anti-fe të mos pengohen nga kjo dialektikë mendimi e të lexojnë pa paragjykuar atë që po ndodh sot në botë. Por metafora e ferrit që sfidon dhe arsyen më të paarsyeshme me synimin t’i vërë frerë të keqes që depërton ndër ne dhe të na mbajë përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet tona, në këtë rast duket e pamjaftueshme. Humanizmi dhe përgjegjësia njerëzore për të ruajtur jetën janë të pamjaftueshme gjithashtu, ndërsa shoqëria prezantohet me një propozim të tillë.

Propozimi nga senatori Amerikan synon vrasjen e fëmijëve deri një muaj (28 ditë) pasi fëmijët kanë lindur!!

Propozimi formulon idenë se ‘aborti’ (përdoret fjala abort dhe jo vrasje) mund të ndodhë nëse nëna që e ka lindur fëmijën, për arsyen më të thjeshtë, edhe nëse është e mërzitur me foshnjen, apo në një moment depresioni pas lindjes, vendos ta vrasë fëmijën.

Ky projektligj më kujton vrasjen masive të foshnjeve të sapolindura në fillimet e antisemitizmit në Egjiptin e lashtë, rreth tremijë vite më parë. Në kohën kur popullsia Hebreje po shtohej në numër mamitë u porositën nga Faraoni i Egjiptit t’i vrisnin fëmijët Hebrenj në Egjipt.

Historia e shfarosjes se foshnjeve vijon me Herodin, i cili dekretoi ligjin e shfarosjes masive të fëmijëve meshkuj nga dy vjeç e poshtë, nga frika se mbreti që kishte lindur mund t’i merrte fronin e pushtetit. Kjo sa i takon vrasjes se fëmijëve pas lindjes, pasi ‘holokausti i heshtur’ aborti me zgjedhje, i merr jetën çdo sekondë një foshnjeje sot ne botën tonë.

Gjithnjë abortin e kam parë vrasje, përveçse në rastin kur rrezikohet jeta e nënës.

Por ky propozim është VRASJE e shumëfishtë. Po ju paraqes argumentat:

⁃ Propozimi për të vrarë njeriun, është asgjesim ndaj njeriut, qoftë ne ditën e parë të lindjes, në ditën e tij të 28 pas lindjes, apo në vitin e 100 pas lindjes.

⁃ Vrasja e foshnjeve një muajshe, s’është vrasje vetëm ndaj foshnjeve, por ndaj njeriut në tërësinë e tij, pasi ka asgjesuar më të mirët e llojit: njeriun e pafajshëm.

⁃ Këtë vrasje e dakordësojmë të gjithë, pasi s’mund të bëjmë asgjë përballë ligjit. Këtu vrasja legalizohet përmes konsensusit të grupit dhe në emër të lirisë. Moralisht, kjo e dëmton shoqërinë më shumë sa e mendojmë pasi e shndërron atë në një shoqëri vrasëse e cila nxitet të maskojë dhe fshehë antinjerëzoren brenda koracës së padepërtueshme të ligjit. Kjo ndërton një shoqëri në thelb mizore dhe me ligje antihumane.

⁃ Njeriu (foshnja e lindur) shihet si aksesor, objekt, send i një kategorie inferiore. Përballë tij qëndron antinjeriu (xhelati) që kërkon t’i marrë jetën përmes ‘të drejtës së zgjedhjes’ kush jeton e kush jo.

⁃ Më e keqja; Xhelati që vret nuk është një i panjohur!Qenia gati hyjnore, më e dashura brenda llojit, tani mund të vrasë fëmijët e saj. Tani, xhelati që vret fëmijë nuk është Faraoni, as Herodi, propozimi është që xhelati të jetë nëna.

Kështu, instrumenti i jetës shndërrohet në gijotinën e vdekjes. Qenia më e dashur dhe më e bukur, nëna, shndërrohet në përbindëshin më të egër e të shëmtuar.

Vras mendjen, ku janë nënat, gratë, motrat pasi panë këtë lajm? Po lëvizjet feministe? Apo për një moment (që ka zgjatur dekada) kanë harruar të shohin gruan si dhuruesen e jetës, si nënë, pasi më së shumti e kanë parë si forcë prodhuese dhe si një domein që duhet të zgjerojë kufijtë e saj të lirisë dhe barazisë? Në fakt gruas tani po i prezantohet mbi pjatën e argjendtë një domein i ri lirie. Liri tunduese mbi premtimin se ajo mund të hedhë pas krahëve natyrën, detyrën, përgjegjësinë, përkushtimin! Ndërmarrje e madhe është rritja e një fëmije, më e madhja. Është e vërtetë që një pjesë në rritje e çifteve të reja refuzojnë të lindin fëmijë nga frika e përgjegjësisë, ndryshimit, përkushtimit! Tani propozimi është; mund të lindni dhe keni kohë 28 ditët në vijim ta mendoni dhe një herë çdo të bëni me foshnjen që keni sjellë në jetë!

Mund ta mbani, por dhe mund ta vrisni. Për të fundit, mos kini merak, ligjin e rregullojmë ne. Po fëmija? Po njeriu?

Po nëse me ligj mund të rregullojmë se kush do të jetojë nga ata që lindim, a mund të përcaktojmë me ligj se kush do të vdesë nga ata që jetojnë? Kriteri do të jetë i thjeshtë, përcaktojmë kufirin e moshës se kë të mbajmë e kë të përcjellim në botën tjetër!?

Shkruaj ne këtë mënyrë që te kuptoni rëndësinë e propozimeve të tilla dhe precedentet që ato krijojnë në shoqëri. Të kuptoni rëndësinë që kanë kolonat e palëvizshme të moralit mbi shenjtërinë e jetës, përgjegjësinë ta ruajmë e të kultivojmë vlerat më të mira në ruajtje të jetës, familjes dhe shoqërisë njerëzore.

Për ta mbyllur;

Gruas e cila prej natyre, është e lidhur me një fill të padukshëm më të fortë nga ai i burrit me fëmijën, tani i thuhet që mund ta këpusë (natyrisht nëse do) këtë fill dashurie. Tani gruaja mund të sillet si një automat që kryen një shumësi funksionesh, por që pezullon atë më të lavdishmin, atë që e dallon nga burri dhe nga engjëjt; të qenurin Dhuruese e Jetës.

Paradoksi ynë!

Njeriu; zot i natyrës, por skllav i makinerisë që krijoi dhe arkitekt i shkatërrimit të vetes. Megjithë njohurinë ndriçuese mbi materien, thellësisht mbetet i paditur si mund të jetësojë të mirën dhe si të shndërrojë botën në vëllazëri.

Shumicës prej nesh nuk na pëlqen të shikojmë brenda vetes për të njëjtën arsye që nuk na pëlqen të hapim një letër që ka lajme të këqija.

Lajmi i keq është se jemi të sëmurë, ndërsa lajmi më i keq akoma është se ndërsa shohim simptomat e sëmundjes tonë, s’bëjmë asgjë. Kjo zgjedhje fatale e të mos bërit asgjë, është treguesi i anemisë së mendjes se cilës i mungon forca e vullnetit.
Arsyeja e kësaj gjendje vjen si rrjedhojë e korruptimit të natyrës tonë dhe dorëzimit të vullnetit njerëzor forcës që e kontrollon atë pa mëshirë. Shën Pali e spjegon kështu paradoksin e natyrës njerëzore:

“Por unë jam i mishtë, i shitur mëkatit si skllav. Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.”
(Letra drejtuar Romakëve 7:14-15)

Zot ndihmona të çlirohemi nga e keqja që mbartim brenda vetes, shëroji plagët që i hapim njëri-tjetrit, kujdesu për të vegjlit të cilëve u kemi rrëmbyer prindërit dhe i kemi lënë jetim, vëri frerë arsyes dhe kur ajo ka humbur arsyetimin. Falna që jetën e kemi projektuar me veten në qendër, ndërsa botën e kemi shndërruar në një fushëbetejë të përgjakshme!🙏

Blog at WordPress.com.

Up ↑