‘Legalizuesit e mëdhenj’ që kanë propozuar: legalizimin e bixhozit, kanabisit, shtëpive publike dhe disa aktivitete të tjera që i kanë përzemër, e kanë seriozisht kur thonë:
“T’i legalizojmë sepse kushtu do të kontrollojmë krimin. T’i legalizojmë sepse kështu do të ulim dhunën ndaj punonjëseve të seksit! T’i legalizojmë sepse kështu do të përfitojmë para përmes taksimit.”
Propozimi për rihapjen e qendrave të basteve me pretendimin se një pjesë e fitimeve nga ky aktivitet mund t’i shkojë sportit, duhet më parë të shqyrtohet përmes pyetjes:
- Sa e varfëron ky aktivitet ekonominë e familjeve Shqiptarëve dhe sa nxit tek njerëzit varësinë ndaj bixhozit?
Mjaft t’i hedhim një sy të ardhurave vjetore të kompanive të basteve sportive (gjatë kohës kur funksiononin) për të kuptuar që këto para, vërtetë pasuronin një pakicë pronarësh të këtyre kompanive, por varfëronin një shumicë të familjeve me të ardhura modeste, kryefamiljarët e të cilave kishin varësi ndaj këtij vesi.
Rritja e depresionit, varësisë ndaj drograve dhe divorci i shkaktuar prej konflikteve familjare si rrjedhojë e bixhozit, ishin tregues të problematikave sociale të cilat qeveritë e kohës ishin të pafuqishme t’i jepnin zgjidhje.
Tani, jini të vëmendshëm ndaj çfarë po ju shkruaj;
Jo çdo aktivitet që premton përfitime financiare është një e mirë për shoqërinë. Mjaft të marim si pikë referimi vitin 97’ i cili kulmoi në dramë të madhe shoqërore, sepse shumica vlerësoi më shumë përfitimet financiare, se sa dëmet e paimagjinueshme ndaj njeriut, familjes dhe shoqërisë, që bashkëlidheshin më këto përfitime.
Proverbi i lashtë Biblik na kujton të vërtetën e pamohueshme e cila shpall:
“Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund të çon në shkatërrim.”
Çdo aktivitet që dëmton shëndetin mendor, integritetin e njeriut dhe paqen sociale për familjen dhe shoqërinë është një e keqe e cila duhet ndalur dhe jo legalizuar.
Politikat dhe ligjet që në thelb relativizojnë të keqen, ose më keq akoma, e legalizojnë atë, janë politika të cilat shembin themelin e shoqërisë.
Akil Pano
Leave a Reply