Jetojmë në vendin ku dhimbja e krijuar prej tragjedisë së humbjes së jetëve të pafaj, është bërë diçka e zakonshme.
Problemi është se këtu tek ne, tragjedia përngjet me zhurmën e një treni që s’dëgjohet më prej banorëve, shtëpitë e të cilëve ndodhen pranë shinave ku trenat kalojnë disa herë në ditë. Kështu, zhurmën s’e dëgjojmë, e dhimbjen s’e ndjejmë.
Dhimbja ka humbur fuqinë përshkak të zakonshmërisë, pafuqisë, apatisë dhe indiferentizmit. Korrupsioni gërryen si gangrenë. Dështimet serviren sikur te ishin fruta nga Edeni në pjatën e argjendtë të arritjeve. Vizioni për të nesërmen është errësuar nga mesnata e gjatë e frikës nga pushteti. Pushteti i cili përdor frikën si instrument efikas sundimi; retorikën e suksesit si mohim për dështimet; relativizimin e së keqes duke e kthyer në normë dhe kostumin e arrogancës si mjet mosllogaridhënie, herët a vonë do të bie si rrjedhojë e erozionit bashkëjetues.
Jemi deshmitarë të rasteve të përsëritura të dhunës në familje, dhunës në rrugë me pasojë vdekjen, dhunës së shkeljes së ligjit me pasojë aksidentet e shpeshta rrugore, dhunës në plazhet e pushtuara prej administratorëve privatë, dhunës së shkelësve e dhunës së patronëve të tyre, në tokë e në det.
Ngjarja tragjike e ndodhur dje në brigjet e Jonit, rizbulon dhe një herë plagët që na mbulojnë e prej kohe s’i ndjejmë. Shëmtinë e një shoqërie që i ka dhënë konsensus shtetit të përdorë të ‘fortët’ si paterica ku mbështetet, sepse përshkak të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, kolonat e ligjshmërisë i ka të dobëta sa s’e mbajnë në këmbë.
Në këtë habitat, në mungesë të sundimit të shtetit ligjor ku njeriu ndodhet në gjendjen semi-natyrore lind natyrshëm tragjedia.
Sot përcjellim ngushëllimet dhe lutjet tona për familjen Avdia.
Një copëz qielli dhe paqe në mes dhimbjes që fjalët refuzojnë ta përshkruajnë.
Shpresë për çdo zemër të thyer në mesnatën e gjatë
Leave a Reply