Të flasësh për vrasjen nuk është ndërmarrje e lehtë. Diskutimi bëhet më i vështirë kur vrasja nuk shihet vrasje, sepse përpjekjet për ta maskuar nën petkun e lirisë dhe të drejtës së zgjedhjes e legjitimon.
Kjo është historia e abortit.
Bota është e ndarë në dy grupe. Tek të dyja njerëzit luftojnë të ruajnë lirinë. Dallimi është ky:
Njëri grup përpiqet të ruajë lirinë për të vrarë përmes abortit. Grupi tjetër përpiqet të ruajë lirinë për të mbrojtur jetën që në embrion të saj. Unë natyrshëm bëj pjesë tek i dyti.
Liritë e mëdha nisin me të drejtën e jetës. Kjo është çka të gjithë duhet të mbrojmë, duke nisur me foshnjet që s’mund të mbrojnë të drejtën e tyre të jetës, pasi ndodhen në fazën e hershme të zhvillimit të tyre. Një embrion në të cilin gëlon jeta, çdo sekondë transformohet për t’u bërë gati të mbërrijë përmes lindjes në familjen e tij. Kjo është historia ime, e të gjithëve ne. Historia e patjetërsueshme e udhëtimit tonë në të cilin vazhdueshëm i nënshtrohemi procesit të rritjes, zhvillimit, ndryshimeve të pashmangshme. Nëse për njeriun i cili ndodhet në faza të hershme të zhvillimit të tij disa thonë se s’është njeri, Çfarë mund të themi për njeriun i cili është në moshën e tretë dhe ndodhet në fazat e fundit te udhëtimit të tij në këtë botë?
Perceptimi funksionalist i jetës na tregon që njeriu ka vlerë për aq sa ai mund të kontribuojë dhe shoqëria mund të përfitojë prej tij. Historia na kujton që ne antikitet kanë ekzistuar shoqëri të cilat vlerën e njeriut e perceptonin mbi idetë funksionaliste. Kështu, në shoqëri të caktuara mungonte dituria, përshkak se i vrisnin prindërit dhe gjyshërit e tyre. Arsyeja e vrasjeve ishte, fakti që i shihnin prindërit e tyre si një e keqe e cila lidhen me padobinë e tyre për familjen dhe shoqërinë. ‘Njeriu i padobishëm’ një barrë e cila duhet hequr.
Në një nga debatet televizive mbi temën e abortit, ku isha i ftuar, pikërisht kjo ishte çka dëgjova prej një zonje që mbronte lirinë e grave për të abortuar. Deklarata e saj ishte tronditëse.
“Fëmijët janë dhimbje dhe vuajtje e madhe, nëse lindin të rrethuar nga kushte të papërshtatshme. Për këtë arsye do të ishte më mirë të mos kishin lindur dhe për këtë duhet lejuar aborti.”
Në këtë këndvështrim, fëmijët shihen si një barrë, vuajtje, dhimbje dhe mundim në vend që të shihen si bekim dhe privilegj i madh i jetës.
Kjo teori të cilën në postmodernizëm e gjejmë të furnizojë idenë dhe arsyet për abortin, euthanazinë, mungesën e lindshmërisë, eugjenizmin, më e pakta është dehumanizuese.
Përmes abortit njeriu, merr në dorën e tij autoritetin e përcaktimit se kush duhet të jetojë e kush jo. E nëse tani këtë e bëjmë me bebet, nuk do të përbënte habi që herët a vonë ta bënim me të rriturit mes nesh. Thjesht, çështje kohe. Aktualisht jemi duke e bërë me bebet, njeriun e pambrojtur të cilit përmes abortit, i kemi rrëmbyer padrejtësisht, të drejtën natyrore e të shenjtë të jetës.
Paradoksi ynë është se përjetojmë dhimbjen kur përballemi me dramën e vrasjes së vajzave dhe nënave në shoqërinë tonë, por qëndrojmë indiferent kur përmes abortit vriten bebet, sepse këtë të fundit e kemi parë si manifest lirie.
Në thelb kemi njeriun i cili ka keqkuptuar idenë e madhe të lirisë. Por, liria përpara se të shihet si një e drejtë nierëzore, duhet parë si testi ynë i virtytit.
Jemi thirrur ta përdorim lirinë brenda kufijve të të qenurit njerëz. Nga kjo vetëdije le të mbrojnë jetën dhe kultivojnë vlerat më të mira.
“Ti nuk do të vrasësh!”
Urdherimi i pestë në religjonin Judeo-Kristian na fton të kujdesemi për mireqenien fizike, shpirterore, emocionale dhe sociale të vetes dhe të të tjereve. Për këtë arsye, ndalohen vrasja, vetevrasja, aborti, euthanasia, dhe veprimet që kërcënojnë jetën. Ne jemi thirrur të mbrojmë jetën duke punuar të krijojmë kulturën e jetës dhe të punojmë kundër kultures së vdekjes
Leave a Reply