Lakmia për perfitim të shpejte është fëmija anemik i kapitalizmit.
Përpara rreth një viti, e majta në pushtet nisi të përpunojë opinionin publik mbi temën e aspekteve pozitive që lidhen me legalizimin e kanabisit në Shqipëri. Për këtë natyrisht që në ekranet televizive filluan të dalin liberalë të majtë, pjesë e onturazhit të mendimit që nxit idenë se, gjithçka që sjell një përfitim financiar mund të legalizohet.
Disave prej nesh kjo u dukej një retorikë për të mbushur programet televizive me tema të cilat në thelb kishin përmbajtje morale, por se do të vinte kaq shpejt dita që qeveria do të propozonte legalizimin e asaj që shpall se luftoi më shumë për vite, ‘kanabizimin e vendit’ nuk e mendonim.
Kam mbrojtur fort përmes argumentave morale arsyet pse kanabisi nuk duhet të legalizohet, madje që herët mos gaboj viti 2014 kur asokohe deputeti Z. Kokëdhima ishte i pari i cili shprehu në publik këtë propozim.
Në emisionin Opinion kujtoj që debati ishte i nxehtë dhe me argumenta nga të dyja kahet. Më pas u duk sikur propozimi u la në harresë, por hera- herës risillej mbi të njëjtën bazë argumentesh.
Përpara rreth tre muajsh ky propozim mori sërish vëmendje mediatike, kur përfaqësues të se majtës, e lidhën legalizimin e kanabisit me aspektin pozitiv të uljes se krimit, çka për mua është një dialektikë jo vetëm e palogjikshme, por në thelb ka një problem moral.
Problemi është se veprimtaria kriminale që lidhet me kanabisin, nuk ka lidhje me përdorimin e tij për arsye mjekësore, por siç dihet lidhet me përdorimin e tij si ‘bar’ kënaqësish dhe varësie. Si rrjedhojë: pse do të ulte nivelin e krimit kur nuk ka lidhje me krimin për këtë arsye?
Propozuesit e ‘legalizimeve të mëdha’ e shohin legalizimin e ‘barit’ si një anije shpëtimi, mundësi përfitimesh ekonomike dhe taksimi, punësimi, hapje tregu, por kryesorja është:
zhvillimi i sektorit të turizmit të kënaqësive (këtu përfshihet legalizimi i kanabisit dhe prostitucionit/shtëpive publike, për të cilin kam folur jo pak dhe e kam quajtur ‘legalizimi i dhimbjes’) dhe sa herë është folur për njërën, aq herë është folur dhe për tjetrën në debatet televizive.
Për propozimin e legalizimit të kanabisit mbi premisën se ul krimin dhe legalizimin e prostitucionit mbi idenë se ul trafikimim dhe dhunën ndaj vajzave, kemi NJË PROBLEM TË MADH LOGJIK DHE NJË TJETËR MORAL.
Është njëlloj sikur kemi thënë: Legalizimi i krimit minimizon krimin
dhe legalizimi i dhimbjes(në rastin e prostitucionit) minimizon dhimbjen.
Por që krimi të lihet krim dhe të legalizohet, kjo përjashton logjikën. Si rrjedhojë, kërkesa që parashtrohet është; përpjekja për të parë të keqen jo si të keqe (këtu kemi problemin moral) dhe për te gjetur mënyra si mund të përftohen të mira nga e keqja (që s’duhet të jetë më e keqe).
Është njëlloj sikur themi: Pse mos të legalizojmë vrasjet (vendosim me ligj që vrasja nuk është krim) kështu kemi mbërritur në pikën ku mund të shpallim Shqiptarët të lumtur dhe vendin të lirë nga krimi. Në momentin që vrasjen se konsiderojmë më krim, krimi nuk ekziston, pavarësisht se vrasjet vijojnë!
E vetmja mënyrë që e keqja të legalizohet, është të mos shihet më si e keqe. Për këtë duhen që panelet e diskutimit publik të popullohen nga ‘moralistë të rinj’ të cilët herë shpallin se e keqja nuk ekziston, herë të tjera e keqja është relative, e herë te tjera mund te perfitohet prej saj.
Por në rastin e propozimit të legalizimit të kanabisit, idea nuk vjen më si një propozim, a projekt ide, por si një vendim të cilin tashmë e kanë marrë Shqiptarët përmes informacionit që qeveria ka mbledhur nga pyetësori i ndarë disa muaj më parë.
Lidhur me pyetësorin, faktet flasin se kanë dhënë mendimin e tyre vetëm 14.5% e Shqiptarëve nga të cilët 61% janë shprehur po.
Pyetja që kam është: a mjafton!? A është e mjaftueshme që pak më shumë se gjysma e 14% të Shqiptarëve të merren si referencë për të legalizuar atë që deri tani që shkruaj është krim!?
Historia si mësuese e mirë na kujton që ka pasur momente në historinë e shoqërisë njerëzore, kur kombe të caktuara kanë dakordësuar luftën, genocidin, spastrimet etnike.
Mbi këtë premisë a mund ta marim si pikë referimin mendimin e shprehur të një pakice të shoqërisë për legalizimin e çka deri tani konsiderohet vepër kriminale në Shqipëri?
Dje dëgjova propozimin e një deputeti të njohur të së majtës që propozoi rihapjen e qendrave të basteve me pretendimin se një pjesë e fitimeve nga ky aktivitet mund t’i shkojë sportit!
Pyetja që shtrohet është: sa e varfëron ky aktivitet ekonominë e familjeve Shqiptarëve dhe sa nxit tek njerëzit varësinë ndaj bixhozit?
Mjaft t’i hedhim një sy të ardhurave vjetore të kompanive të basteve sportive për të kuptuar që këto para, vërtetë pasuronin një pakicë pronarësh të këtyre kompanive, por varfëronin një shumicë të familjeve me të ardhura modeste, kryefamiljarët e të cilave kishin varësi ndaj këtij vesi. Rritja e depresionit, varësisë ndaj drograve dhe divorci i shkaktuar prej konflikteve familjare si rrjedhojë e bixhozit, ishin tregues të problematikave sociale të cilat qeveritë e kohës ishin të pafuqishme t’i jepnin zgjidhje.
Jo çdo aktivitet që premton përfitime financiare është një e mirë për shoqërinë. Mjaft të marim si pikë referimi vitin 97’ i cili kulmoi në dramën më të madhe shoqërore pas komunizmit, sepse shumica vlerësoi më shumë përfitimet financiare, se sa dëmet e paimagjinueshme ndaj njeriut, familjes dhe shoqërisë, që bashkëlidheshin më këto përfitime.
Proverbi i lashtë Biblik na kujton të vërtetën e pamohueshme e cila shpall:
“Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund të çon në shkatërrim.”
Politikat dhe ligjet që në thelb relativizojnë të keqen, ose më keq akoma, e legalizojnë atë, janë politika të cilat shembin themelin e shoqërisë.
Akil Pano
Leave a Reply