Njeriu; zot i natyrës, por skllav i makinerisë që krijoi dhe arkitekt i shkatërrimit të vetes. Megjithë njohurinë ndriçuese mbi materien, thellësisht mbetet i paditur si mund të jetësojë të mirën dhe si të shndërrojë botën në vëllazëri.
Shumicës prej nesh nuk na pëlqen të shikojmë brenda vetes për të njëjtën arsye që nuk na pëlqen të hapim një letër që ka lajme të këqija.
Lajmi i keq është se jemi të sëmurë, ndërsa lajmi më i keq akoma është se ndërsa shohim simptomat e sëmundjes tonë, s’bëjmë asgjë. Kjo zgjedhje fatale e të mos bërit asgjë, është treguesi i anemisë së mendjes se cilës i mungon forca e vullnetit.
Arsyeja e kësaj gjendje vjen si rrjedhojë e korruptimit të natyrës tonë dhe dorëzimit të vullnetit njerëzor forcës që e kontrollon atë pa mëshirë. Shën Pali e spjegon kështu paradoksin e natyrës njerëzore:
“Por unë jam i mishtë, i shitur mëkatit si skllav. Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.”
(Letra drejtuar Romakëve 7:14-15)
Zot ndihmona të çlirohemi nga e keqja që mbartim brenda vetes, shëroji plagët që i hapim njëri-tjetrit, kujdesu për të vegjlit të cilëve u kemi rrëmbyer prindërit dhe i kemi lënë jetim, vëri frerë arsyes dhe kur ajo ka humbur arsyetimin. Falna që jetën e kemi projektuar me veten në qendër, ndërsa botën e kemi shndërruar në një fushëbetejë të përgjakshme!🙏
Leave a Reply