Sa pak (mbase aspak) ndalemi në momente si ky. Një ‘Samaritan i Mirë’ në kohë trazirash, përmbytjesh, braktisjesh, boshatisje, antivlerash.
Ndoshta nuk do t’i mësoj kurrë emrin burrit i cili mbi shpatulla mban peshën e një njeriu të pamundur të shpëtojë veten. Sot dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen dhe nderimin tim për veprën e tij me karakter Biblik:
“por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj,” Mateu 20:26
Modeli i qytetarit, punonjësit të administratës, policit, mjekut, arsimtarit, politikanit dhe udhëheqësit që shërben, është në mungesë. Të gjithë dëshirojnë të shërbehen e jo të shërbejnë; të përdorin të tjerët si mjet për pushtetin, e pushtetin si instrument mirëqënie dhe sundimi. Kjo është ekonomi e thjeshtë mendimi. Rezultati, pika e vdekur… kjo gjendje statusquo-je pa fund e pa zgjidhje.
Por kjo foto dhe gjendja që krijon në botën e mendimit (tek ata që mendojnë) janë pasqyra ku kemi nevojë të shihemi. Sa të ngjashëm a të pangjashëm jemi me këtë model të munguar shërbimi, virtyti, dashurie!? Çdo njeri mund të përmirësojë botën duke nisur me veten dhe tjetrin. Konsensusi ynë i heshtur ka qenë se çelësat e përmirësimit të vetes i lamë brenda kështjellës së egoizmit tonë. Kështu, tjetri jashtë nesh humbet vlerë dhe bëhet një numër, ndërsa vetja përkeqëson gjendjen nën ethet e egoizmit.
Çlirimi nga vetja e sëmurë mund të nisë duke parë veten si në një pasqyrë tek tjetri. Mjerimi i tjetrit është reflektim i mjerimit tim. Vuajtja, anemia, indiferentizmi dhe pafuqia që shohim janë reflektim i botës që mbajmë brenda nesh. Është koha të shohim tjetrin si një pasqyrë ku shohim veten. Nëse e bëjmë, herët a vonë do të nisim të veprojmë pa u menduar dy herë, pasi tek shpëtimi i tjetrit do të shohim shpëtimin e vetes.
(Efektivi i Forcave të Armatosura duke evakuar një qytetar të bllokuar nga vërshimi i ujit në Fier!)
Leave a Reply