.Heronjtë nuk i përkasin botës tonë. Ata hyjnë në botë me një mision shpëtimi, dalin prej saj duke ndalur vrullin e jetës së botës, duke ndihmuar njerëzit të mendojnë, e mbase ëndërrojnë… Vepra e tyre krijon një çarje në kohë, momentumin ku njeriu nis të përjetojë atë që prej kohe ka ndalur; mendimin, endrrën.
Arjani është njeriu thjeshtësisht i zakonshëm, i njëjtë me ne, në përballje me të gjitha betejat tona jetësore, por pa mëdyshje; më i miri në llojin tonë.
Ai është etaloni i padukshem i ngritjes lart, bërjes së shoqërisë, shpresësjellesi, lakmusi i cili pa më të voglin dyshim ka lënë ngjyrën e tij në botën tonë ku egërsisht sundon uni, i cili ka lartesuar antivlerat ngjyrëzbehta e dekurajuese të këtij trualli, e që çdo minutë në vazhdim skalit me po të njëjtën baltë llojin tonë.
Një njeri, një burre, një mik për çdo qytetar të këtij vendi, përfaqesuesi i denjë i llojit tonë, i cili na shtyn lehtë të gjithëve të mendojmë arsyet përse ekzistojmë.
Pa pritur, krejt befas, ky njeri na bën te gjithëve një dhuratë e cila kalon përmasat e një gjesti bujar, madje kapërcen kufijtë e shpetimit të disa jetëve njerëzore.
Ai na prezanton me sakrificën sublime e cila zgjon nga skutat e shpirtit të mpakur, virtytin e mirënjohjes dhe përuljen, shpresën se në orën tënde më të vështirë dikush do të ndodhet per t’u gjendur pranë, e të jetë mik.
Një vepër e cila depërton në thellesitë e shpirtit njerëzor dhe ia arrin të ndezë dritën e së mirës.
Një i huaj i cili bëhet i afërmi yne, një samaritan i kohëve moderne ku shumëkush e ka më të lehtë të jetë vetja duke bërë indiferentin.
Familja e Arjanit, i cili tashmë ka hyrë në historinë e Shqipërisë si i afërmi i çdo Shqiptari, sot vuan dhe derdh lotë të nxehtë dhimbje. Një dhimbje e padrejtë që tejshpon shpirtin, mbase e shoqëruar me dilemën e natyrshme njerëzore; ‘nëse mund të ishte ndryshe!’ Askush dhe asgjë nuk mund të zëvendesojë në gjirin e tyre birin, vëllain, bashkëshortin, babain. Mbase koha…kur shumë kohë të ketë kaluar?
Në fakt koha duhet të ndalet mbi monumentin e heroit, që kësisoj ne të mendojmë! Heroi ynë, përmes një akti sublim dashurie, ka rindezur zjarrin i cili shkrin akujt e indiferentizmit dhe na fton të besojmë tek e mira, virtyti, ideali…
Ai hyri në botë si njeriu i zakonshëm dhe doli befas si njeriu i mrekullisë, që na ndal të mendojmë, e ëndërrojmë.
Një Samaritan i cili jep jeten për të afërmit e tij që ndodhen në nevojë të dëshperueshme per shpëtim, është mesazhi dhe modeli I munguar në shoqerineë Shqiptare.
Heroi ynë, natyrisht kishte mundësinë të stepej dhe të mos hidhej në aksionin e tij shpëtues, nëse vetes do t’i kishte drejtuar pyetjen:
“Cfarë do të më ndodhë nëse do të ndalem të shpëtojë këta njerëz?
Në fakt veprimi i tij na ballafaqon me pyetjen të cilën ky burrë do të ketë menduar në fragmentin e një sekonde:
“Cfarë do të ndodhë me miqtë e mi, nëse unë nuk ndalem për t’i ndihmuar? “
Përmasat e vërteta të një njeriu nuk zbulohen kur ai ndodhet në momentet e rehatisë, por në mes të vështirësisë dhe kundërshtive. Mes zjarrit të kundërshtive të jetës, farkëtohen heronjtë, të cilët na vizitojnë vetëm pak kohë. Në largimim e tyre të beftë, mungesa është e pazëvendësueshme, por kështu është dhe prania e përmasave të veprës që shndërrohet në një monument që flet e frymëzon.
Leave a Reply