Fëmijët në fushata elektorale, mjete që realizojnë ëndrrën e pushtetit.

A keni dëgjuar ndonjë forcë politike që në premtimet gjatë fushatave elektorale ndër vite, të ketë shpalosur premtime që synojnë të përmirësojnë cilësinë e jetës së fëmijëve dhe të zbukurojnë botën e tyre?
A keni dëgjuar ndonjë politikan që mes premtimeve gjatë fushatës, të premtojë se forca e tij politike do të ndërtojë:
Parqe, kënde lojrash, teatër kukullash, apo një cirk për qytetin? Po fusha sportive ku të vrapojnë e ndjejnë aromën e barit, pasi fëmijët kështu mund të rriten me dashurinë jo vetëm për ta parë sportin nga ekrani, por për të qenë vetë protagonistë?Po shtëpi kulture, ku mësohet si luhet në instrumenta muzikore, si pikturohet, si luhet shah, si analizohet një libër, apo shkruhet një tregim? Nuk po flas për biznese private që ofrojnë këto shërbime, por për një platforme publike falas, mbështetur nga fondi i taksave, e cila do të ishte në shërbim të fëmijëve tanë, pa dallim nga statusi social dhe ekonomik i familjeve të tyre.
Mbase disa prej jush që po lexoni tani, me të drejtë ndjeni habi. Dhe unë jam i çuditur, si vallë në këto tridhjetë vjet, asgjë sa më lart nuk e realizuam për fëmijët tanë, por çmendurisht bëmë të kundërtën?
Ato parqe, kënde lojrash, fusha sportive, shtëpi kulture dhe teatër, që i trashëguam nga puna e prindërve tanë, i privatizuam e më pas i kthyem në tregje dhe pallate të larta?

Ndërkohë, çfarë bëmë me fëmijët? I harruam në rruciat e ngushta mes pallatesh pallateve që ndërtuam. I lamë të mbuluar me tym makinash dhe pluhur inertesh në kantierin e madh që na rrethon. Fëmijëve u dhamë në duar një telefon me prekje, duke nënkuptuar se tani kohët kanë ndryshuar. Lojën, argëtimin, botën, e gjejnë brenda një telefoni sa dora. Kështu u grabitëm lirinë të vrapojnë duke prekur botën e vërtetë sikundër është, me aromat dhe të papriturat e saj dhe ia zëvendësuam me ekranin e një bote që është projektuar vetëm të shesë e prangosë çdo ditë robër të rinj.

Por, sikur e gjithë kjo dramë të mos ishte mjaft,
në heshtje i kemi dhënë konsensus politikanëve të përdorin fëmijët gjatë fushatave elektorale.
Fëmijë të trafikuar në botën e politikës me qëllim përmirësimin e imazhit të liderit.
Jo pa qëllim përdora një fjalë të rëndë, trafikimin, pasi nëse në temën e prostitucionit kemi hasur vështirësi mbi dilemën nëse për prostitutën rrugëtimi i saj është zgjedhje vullneti, apo vjen si rrjedhojë e rrethanave shtrënguese dhe pamundësive për të zgjedhur ndryshe,
për fëmijët imazhet e të cilëve përdoren në fushata elektorale, pa mëdyshje biem dakord që nuk është zgjedhja e tyre, por e prindërve, rrethanave, mjerimit, e natyrisht dëshira e politikanëve.

Njëlloj si tek punonjësja e seksit, e cila minimizon vlerën e vetes nga qenie me integritet moral në një aksesor-send-objekt që e vendos veten në vitrinë në këmbim të parave, apo favoreve;
Fëmijët përdoren si grimca pudre, për të mbuluar e maskuar dobësitë, e njerëzve që i përdorin.
Kujtoj se përgjatë dekadave në shoqërinë komumiste, fëmijët zinin vend të rëndësishëm në fotot periodike me diktatorin.
Fëmijët sikundër mbanin veshur rrobat më të mira, porositeshin të, buzëqeshnin, shkëlqenin, e rrezatonin një pamje lumturie. Magjia e pranisë së fëmijëve kulmonte me recitimin e poezive për partinë dhe diktatorin që shoqëroheshin me duartrokitje të zjarrta.
Në Shqipërinë e vitit 2021 ende s’i kemi parë fëmijët të recitojnë poezi për udhëheqësit politikë, por ata nuk kanë munguar në fotot e tyre.

Pse një vëmendje kaq e veçantë nga ana e politikanëve për praninë e fëmijëve në foto që më pas publikohen në median sociale dhe kronika televizive?

Përgjigja nuk është e komplikuar. Ekziston një damkë papastërtie të cilën konsesusi shoqëror ka vendosur mbi politikën dhe politikanët. Kjo njollë amoraliteti kërkon të shpengohet prej përfshirjes në politikë të personave me integritet moral dhe shoqëror. Përgjatë tre dekadave të fundit, jo pak njerëz me integritet u përfshinë në politikë. Aktualisht, ka burra dhe gra me integritet të përfshirë në politikë në Shqipëri. Por ka më shumë njerëz me integritet jashtë politikës se sa brenda. Këta, nuk përfshihen në politikë sepse nuk besojnë që prania e tyre do të sjellë një ndryshim real në politikëbërje, ose nuk përfshihen sepse kanë frikë se diku gjatë përfshirjes së tyre në politikë, do të humbasin integritetin e tyre. Si rrjedhojë kërkesa për pastrim nga njolla e të pamoralshmes në politikë, do të mbetet gjithnjë e kohës. Kjo është arsyeja e parë, pse kërkohet që fëmijët të jenë të pranishëm në foto dhe kronika me politikanët. E mira dhe e bukura që personifikon fëmijët, ëndrra dhe shpresa që gjendet në ta, dëlirësia e tyre, qoftë dhe për një moment do të eklipsonte papastërtinë që lidhet me politikën.
Por ekziston dhe diçka tjetër, disi më e thellë sa kemi thenë deri tani mbi subjektin kur liderat politikë përdorin fëmijët si restaurues të imazhit të tyre.
Kur djali ynë ishte i vogël, e shprehte dashurinë e tij për të ëmën me copëza të vogla vargjesh në prozë, vizatime dhe lule. Kur ktheheshim nga udhëtimet në të cilat ai mungonte, menjëherë pas përqafimeve kishim kohën ku djali ynë (në këtë kohë 5-6 vjeç) shpaloste krijimet e tij te dashurisë. Këto ishin momente të papërsëritshme në intimitetin dhe dashurinë brenda familjes. Kur fëmijët i recitojnë poezi, dhurojnë lule e përqafime liderave politikë, komunikojnë me ta të njëjtin manifest dashurie që ndodh në gjirin intim të familjes. Kështu politikani arrin të hyjë jo vetëm në ‘oborrin e jashtëm’ apo ‘korridoret’ e shtëpive, por ai ia ka dalë të hyjë në vendin më të thellë dhe marrëdhënien më intime, duke marrë rrolin e babait dhe të nënës, më së paku në shtresat e pavetëdijes sonë individuale dhe shoqërore.

Përmes këtij çelësi efikas (fëmijëve), udhëheqësit politikë, hyjnë brenda intimitetit të mijëra familjeve duke përdorur fuqinë e imazhit.

Politikanët nuk janë në kërkim të frutit nga Pema e Njohjes që tundoi Evën, e as frutit nga Pema e Jetës. Si çdo njeri pas rënies fillestare, ata e zotërojnë frutin nga Pema e Njohjes, njohin mjetet dhe çdo mënyrë për të ngjitur shkallët e pushtetit. Por frutin e Pemës së Jetës, as që e mendojnë, pasi tek kjo ‘Pemë’ njeriu mund të vijë vetëm me një zemër të penduar.

Fatkeqësisht një pjesë e tyre e shohin pushtetin si qëllimin final të ekzistencës së tyre dhe fëmijët e këtij vendi si një mjet që realizon ëndrrën e madhe të pushtetit.

Fëmijët e kanë vendin në shtëpi pranë familjarëve, në shkollë pranë dijes; në fusha sporti dhe ambjente rekreacioni… prindër, mos e ndotni botën e tyre të bukur në fushatat elektorale. Fëmijët e këtij brezi meritojnë shumë më tepër nga ç’u kemi dhënë deri tani të gjithë ne. Ndaj, nëse e kemi të vështirë t’u japim çfarë kam listuar mê lart, të kujdesemi mos t’u rrëmbejmë fëmijërinë.

Zot, ndihmona të ndërtojmë një botë më të mirë për fëmijët tanë, pasi kjo është prova për ekzistencën tonë, ky është testi ynë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: