Përpara se të ishte një pemë në mes të kopështit, përpara se të ishte një mollë që do të këputej dhe një tundues i cili do të ndizte shpirtin e dëlirë të rrebelonte ndaj Krijuesit, ishte nje Bir.
Një Bir i cili u ofrua të shpengojë njeriun, perpara se te gjitha keto te ndodhnin.
Një Zot i Gjithëdijshëm i cili mund të kishte ndërprerë hallkën fillestare në zinxhirin e shkakësive, zgjedh rrugën më të vështirë. Pajisja e njeriut me vullnetin e lirë, i cili e ngre atë prej botës së krijesave inferiore dhe e vendos mbi një platformë të lartë fuqie, e vendos Krijuesin e tij të zbulojë një rrugë akoma më të lartë. Është e qartë që njeriu nuk shpëtohet nga ky ‘vullnet fuqie’, në fakt përmes tij ngjarja në Eden, tregon që njeriu humbi gjendjen e paqes së përjetëshme .
Romaku Seneka në letrat e tij drejtuar Lucilit, i referohet Epikurit ndërsa shkruan:
Epikuri thotë: “Çdokush del nga jeta ashtu siç ka hyrë në të.” Mbi këtë shpallje të Epikurit të cilën e gjejmë dhe në njërin prej librave më të lashtë të Testamentit të Vjetër të Biblës, në librin e Jobit:
“Lakuriq dolla nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit”. Jobi 1:21
Seneka do të shtojë përbërës të rëndësishëm nga përzjerësi I jetës pas Edenit. Ai thotë:
“Kjo nuk është e saktë, sepse ne vdesim më të liq seç kemi lindur. Për këtë faji është i yni dhe jo i Natyrës. Natyra do të ankohej me të drejtë. Si? Unë ju solla në këtë botë të zhveshur nga frika, nga bestytnitë, nga pabesia dhe vese të tjera; dilni prej saj me cilësitë që ju dhashë!”
Fatkeqësisht kërkesa e drejtë e ‘natyrës’ është e pamundur. Është e pamundur për njeriun të gjejë tek vetja, burimin e shpëtimit të tij, pasi aty nuk ekziston.
Edeni transmeton tek ne mësimin e madh;
Nuk është ky vullnet fuqie që na shpëton, pasi cilësisht me mëkatin fillestar, ajo së cilës i referohem me ‘vullnet fuqie’ shndërrohet në ‘vullnet dobësie’ në një anemi dhe pavetëmjaftueshmëri të vullnetit i cili humbi fuqinë të ruajë gjendjen e të qenit të shpëtuar, e natyrisht aftësinë të shpëtojë atë që ka humbur.
Që vullneti të ruajë dhe të zgjedhë shenjtërinë, duhet sëpari të shpëtohet përmes veprës së hirit hyjnor, rigjenerimit të qenies.
Në njërën anë kemi mundësinë në potencë të krijimit të njeriut pa qenë i pajisur me vullnetin e lirë, kjo do ta vendoste atë disa shkallë më poshtë në rendin e krijimit. Pra, njeriu do të ishte një qenieinferiorë ndaj gjallesave me inteligjencë të ulët.
Dhe nga ana tjetër krijimin e njeriut sipas ngjarjeve që përshkruhen në librin e Zanafillës; njeriu krijohet mbi platformën e fuqisë së lirisë së vullnetit.
Mbi këtë subjekt Shën Agustini i Hipos shkroi:
“Ne e keqpërdorëm pavdekësinë dhe kështu vdesim; Krishti mirëpërdori vdekësinë dhe kështu ne jetojmë.”
Përmes një akti të keqpërdorimit të lirisë së vullnetit në Eden, Adami i humbi të gjitha, për të gjithë pasardhjen e tij. Përfshi dhe lirinë e vullnetit, çka do të thotë pakthyeshmërinë e njeriut në gjendjen fillestare prej aktit të tij të vullnetit.
Por dashuria gjithnjë emeton një rrugë më të lartë.
Sipas Frommit, të japësh është shfaqja me e lartë e fuqisë dhe akti sublim i dashurisë shihet si një forcë aktive në veprim.
Përmes një akti sublim dashurie, Krishti merr mbrapsht të gjitha që Adami humbi për pasardhjen e re të njerëzve të besimit.
Krishti, i vetmi person i cili zotëronte fuqinë e një vullneti të pakorruptuar prej së keqes, përmes kryqit bën të lirë bijtë e skllavërisë.
Fuqi ndërvepruese mes dashurisë së Zotit dhe rrebelimit të njeriut. Romancë hyjnore e gdhendur në thesaret e qiellit, përpara shkrimit të ngjarjeve në arkivat e tokës. Përpara se të ishte një pemë në kopësht, ishte një kryq në qiell.
“Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës.” Zbulesa 13:8b
Një Atë i cili krijon njeriun mbi plaftormën e lartë ‘vullnet fuqie.’
Nje Bir i cili rikrijon njeriun dhe e shpëton nga skllavëria e mëkatit dhe vdekja.
Fryma e Shenjtë rigjeneron dhe ndërton njeriun e besimit çdo ditë sipas modelit të Birit të përsosur.
(Me ‘vullnet fuqie’ nuk kam parasysh mendimin e Niçes kur përdor këtë term, por vullnetin e lirë në gjendjen para mëkatit fillestar. Sipas meje vullneti mund të quhet i lirë dhe vullnet fuqie, nëse mbetet i paprekur nga mëkati fillestar,)
Leave a Reply