Nga, PITRIM SOROKIN (1889-1968),
Përgatiti prof. Gjergj Sinani
Fillojmë nga dhënia e një karakteristike të ndryshimeve që shkakton lufta në përbërjen e popullsisë së vendeve ndërluftuese dhe pjesërisht të vendeve neutral. Pasoja themelore e luftës , në këtë sferë dukurish, qëndron në pakësimin e popullsisë dhe në ndryshimin e përbërjes së saj cilësore nëpërmjet një ndarjeje të veçantë të shkaktuar nga lufta. Kjo tezë ka një paraqitje mjaft të thjeshtë, por mjafton të zhvillohet pak përmbajtja e saj për të kuptuar rezultatet shkatërrimtare që kjo katastrofë e njerëzimit shkakton në tërë jetën shoqërore dhe në historinë e popujve ndërluftues. Sa më shumë zhytesh në studimin e këtyre pasojave, aq më tepër detyrohesh të njohësh rolin tepër të rëndësishëm të luftës në shpjegimin e ndryshimeve që shkaktohen në jetën shoqërore, në zhvillimin dhe rënien e popujve të tërë… Pakësimi i popullsisë shkaktohet drejtpërdrejt nga lufta në formën e viktimave të para të saj:të vrarët, të plagosurit etj… dhe në mënyrë të tërthortë në formën e ngritjes së përqindjes së vdekshmërisë dhe të pakësimit të lindjeve në pjesën e popullsisë civile të vendeve ndërluftuese dhe gjithashtu, pjesërisht në vendet neutral, të lidhura me to…
Lufta ‘punon mirë’. Ajo zgjidh ne një mënyrë ‘të thjeshtë dhe të sigurtë’ nyjet gardiane të mijëra problemeve shoqërore të pazgjidhshme: ajo zhduk tepricën e popullsisë, në krahasim me mjetet e ekzistencës, teprinë e ofertës së punës së dorës në krahasim me kërkesën ajo heq ‘një prani njerëzish të pakëndshëm’, degëzon dendësinë e popullsisë, etj.
Shkurt, në qoftë se pranohet se jeta ekziston për vdekjen , atëherë lufta në këtë kuptim, i bën ‘shërbime’ të panumërta njerëzimit. Ajo është fëmija e dashur dhe përfaqësuesi i plotfuqishëm i Madhërisë së saj, Vdekjes, dhe ajo nuk e tradhton kurrë sovranen e saj. Por në qoftë se qëndrojmë në një pikëpamje pak të ndryshme, duke njohur se objektivi i jetës, është jeta dhe jo vdekja, në qoftë se njihet parimi se ‘jeta e njeriut është një qëllim në vetvete’ ( parim që shpesh, është shpallur si një paragjykim, në mos në teori, të paktën në praktikë), përfundimet do të jenë të ndryshme. Humbja e miliona jetëve është një e vërtetë që pasqyrohet në mënyrë të pashmangshme mbi të gjitha anët e jetës shoqërore. Ajo është një humbje ekonomike kolosale, një shkatërrim. Duke u nisur nga kjo pikëpamje (ekonomi-energji) një humbje e kotë 10-20-30 milion jetësh, ndihet, në mënyrë të pashmangshme sa në sferën ekonomike aq në fushën jo ekonomike të jetës shoqërore. Po, në të njëjtën masë edhe prodhimtaria dhe aftësia e mbrojtjes edhe krijimtaria e popullit, herët ose vonë, do të shtrembërohet në të gjitha fushat për shkak të një pakësimi barbar të radhëve të miliona jetëve dhe, si do ta shohim më poshtë, të jetëve më të mira.
Ndërkaq mbetet vetë fakti i vdekjes së miliona njerëzve. Për mua personalisht , ky është fakti më i rëndësishëm që ka një përcaktim të pavarur nga pikëpamja ekonomike. Dhe tani të kalojmë në anën cilësore të çështjes .
Në krahasim me pakësimin sasior të popullsisë, ndryshimet cilësore , të shkaktuara nga lufta, pikërisht në përbërjen e popullsisë , janë shumë më të rëndësishme. Nga kjo pikëpamje lufta ka qenë dhe mbetet një mjet i përzgjedhjes negative që shkakton një veçim në ‘kah të kundërt’, dmth që përfshin elementet ‘më të mirë’ të popullsisë, duke lënë të mbijetojnë dhe të shumëfishohen elementet ‘më të këqinj’. Termat ‘më të mirë’ dhe ‘më të këqinj’ janë terma vlerësues… Me më ‘të mirë’ dhe ‘më të këqinj’ janë terma vlerësues…Me ‘më të mirët’ unë kuptoj elementet e popullsisë ;a) biologjikisht më të shëndoshë,b) energjikisht më të aftë për punë, c)shoqërisht:me një moral të lartë,d) psikologjikisht të pajisur me një vullnet të fortë, me një talent më të madh, më të plotësuar dhe të zhvilluar intelektualisht. Veç kësaj lufta merr më shumë burrat se gratë. Nuk është aspak nevoja për të provuar të vërtetën e thjeshtë cilën shumë njerëz e harrojnë, se përsosmëria e organizmit shoqëror, mbarësia dhe krijimtaria e shoqërisë në fusha të ndryshme, veprimtaria dhe fatet e saj historike, varen para së gjithash , nga natyra e anëtarëve të saj. Për djallëzorët mund të shkruhet një kushtetutë ideale, megjithatë ajo do të mbetet në letër. Ndërsa shoqëria,e përbërë nga engjëj të pafajshëm, mund të këtë një kushtetutë mjaft të keqe ose të mos ketë asnjë, e megjithatë marrëdhëniet shoqërore ndërmjet anëtarëve të saj të jenë të shkëlqyera. Një shoqëri e përbërë nga batakçinj ose nga budallenj, me gjithë reformat që mund të ndërmarrë do të bëjë batakçillëqe dhe do të mbetet shpirtërisht shterpë për aq sa anëtarët e saj do të zotërojnë cilësi të tilla.
Çdo shoqëri e gjerë përbëhet nga anëtarë që nuk janë aspak në një gjendje të barabartë ndërmjet tyre, jo vetëm për nga aftësitë e fituara, por edhe për nga aftësitë e lindura; ka anëtarë të seksit mashkullor dhe të seksit femëror, pleq dhe fëmijë, persona të shëndoshë dhe të sëmurë, njerëz të ndershëm dhe kriminelë, gjeni dhe budallenj, persona energjikë, veprues dhe të fortë dhe individë pa vullnet, të dobët, dështakë, etj. Është fare e lehtë të kuptohet çështja se cilët elementë të popullsisë shkatërrohen, kryesisht, nga lufta dhe cilët ajo lë të mbijetojnë dhe të shtohen. Kjo çështje nuk mund të jetë pa pasoja për pasurimin, krijimtarinë dhe fatet historike të shoqërisë.
Gjatë luftës kosa e vdekjes korr para së gjithash, popullsinë e moshës më të aftë për punë. Lufta merr sidomos ata që janë më të shëndoshë…ajo merr sidomos burrat dhe jo gratë, duke çekuilibruar kështu përbërjen e popullsisë ndërmjet sekseve në dobi të këtyre të fundit… Lufta merr kryesisht elementet moralisht të shëndoshë dhe lë të mbijetojnë elementet moralisht më të meta, kriminelët. Përse? Sepse kriminelët, normalisht, nuk rekrutohen në ushtri dhe nuk i afrohen asaj. Prandaj ata nuk rendin drejt rrezikut për tu shuar në luftë dhe kanë shanse të jetojnë më shumë se elementet moralisht të shëndoshë të popullsisë. Ka dhe më. Kjo gjendje mund të formulohet dhe ndryshe.
Në luftë, nga ana tjetër, duke qenë të gjitha kushtet e barabarta, njerëzit që kanë një ndjenjë të thellë të detyrës kundrejt vendit, Atdheut, vriten më shumë se ata që nuk e kanë këtë sens të detyrës. Të parët, për shkak të shtytjeve të thella morale nuk e mënjanojnë rrezikun, nuk kërkojnë të tërhiqen në prapavijë, ti shmangen shkuarjes në front, të zënë një vend të sigurtë. Jo, ata vrapojnë drejt rrezikut, në qoftë se kërkohet. Ata shkojnë drejt vdekjes në qoftë se është e domosdoshme. Për ‘shpëtimtarët e lëkurës’ është ndryshe:ata bëjnë ç’është e mundur për t’u tërhequr në prapavijë, ata kërkojnë ti shmangen dhe ti dredhojnë rrezikut, shkurt, ata kanë më shumë shanse për të mbijetuar se të tjerët… Kjo ka të bëjë po aq me luftën civile, sa edhe me luftën ndërmjet shteteve, por më shumë me të parën. Përvoja e luftërave të shkuara, si dhe e luftërave civile bashkëkohore, tregon se, nga çdo anë, luftëtarët e ndershëm e të bindur vriten, ndërkohë që të ligjtë tërhiqen. Lufta, në mënyrë të drejtpërdrejtë gëlltit, para së gjithash, ata që janë më të prirur në rrafshin shpirtëror( që zotërojnë një vullnet më të fortë, që janë më të zhvilluar, më të talentuar, se sat ë patalentuarit). Fjala e urtë romake thotë:’Parcere subjects et deberallare suberbos!’, (‘Kurseni ata që nënshtrohen dhe godisni krenarët’)…Kjo fjalë e urtë është zbatuar në mënyrë të pashmangshme gjatë gjithë luftërave antike. Të gjithë ata, që ishin më të fortë dhe më krenarë, më të vullnetshëm dhe më të talentuar, që mund të paraqisnin rrezik për fituesin, masakroheshin…
Ndërkaq, vëreni se, në vetë ushtrinë përqindja e humbjeve midis oficerëve dhe drejtuesve të tjerë, është gjithnjë më e lartë se përqindja e humbjeve midis ushtarëve të thjeshtë. Dhe nuk ka dyshim se, në tërësi, niveli i zhvillimit, niveli kulturor i kuadrove, duke filluar që nga nënoficerët dhe kapitenët, është shumë më i lartë nga ai i masës së ushtarëve. Ky është truri i ushtrisë, shpirti i saj, kuintesenca dhe aristokracia e saj kulturore. Përqindja e madhe e humbjeve midis kuadrove vërteton edhe njëherë parimin e paraqitur më lart. Ndërkaq gjatë luftërave misionet e rëndësishme dhe të rrezikshme në ushtri u besohen njerëzve dhe grupeve më të aftë; të guximshëm, plot iniciativë, të talentuar, të sigurtë dhe të ditur. Gjithashtu, shanse që këto shtresa të masakrohen rriten. Njerëzit e guximshëm e pranojnë rrezikun dhe vdekjen, për sa u takon frikacakëve dhe të flashktëve- nga trupi dhe nga shpirti-ata kërkojnë të struken në vende më të sigurta…
Gjatë një lufte të gjatë dhe të ashpër, vështirësitë prekin, nga të gjithë popullsia civile, në mënyrën më të ashpër, ‘proletariatin intelektual’,inteligjencën;para ngritjes së çmimeve, të ardhurat e tyre shtohen më pak,(disa njësi të pasura të ‘proletariatit intelektual’ nuk futen në hesap), prandaj mjerimi godet më fort këtë shtresë. Dhe prandaj, përpjesëtimisht, vdekshmëria në gjirin e kësaj shtrese rritet më shumë se në shtresat e tjera. Kjo ndihmohet nga një reaksion i gjallë dhe i ashpër i këtij grupi ndaj dukurive të shkaktuara nga lufta. Kështu është pikërisht kjo shtresë që bëhet ‘truri i vendit’.
Kjo, që sapo u tha mjafton për të kuptuar se teza e argumentuar është e vlefshme që të zbatohet në të gjitha luftërat e rëndësishme. Përsa i përket luftës civile, ajo është krejt e padiskutueshme. Çdo luftë civile është veçanërisht vdekjeprurëse në këtë shkallë. Nga thelbi i saj ajo përben kosën e vdekjes, që shkatërron me qëllim, nga njëra anë dhe tjetra, elementet më të aftë, më të talentuar, më të fortë,që zotërojnë një vullnet më të madh dhe që janë më të ngritur. Studioni historinë e luftërave civile në Athinë dhe në Romë, atë të revolucioneve angleze dhe franceze, ndërgjegjësohuni për përvojën dhe pasojat e luftës sonë civile, dhe ju do të shikoni se përqindja e humbjeve midis tribunëve eminentë ’më të mirë’ dhe politikanëve, oratorë dhe dijetarë, piktorë dhe kapitenë, shkurt, personave të kualifikuar, është në mënyrë të pakrahasueshme më e lartë se përqindja e humbjeve midis masave të gjëra. Ndërsa Polikratët, Hipiasit dhe Hiparkët, Efialtët dhe Kleonët, Alcibiadëtdhe Kritiasit, Pompetë, Qezarët, dhe Antoniot, Lavuazierët dhe Maratët, Robespierët dhe Dantonët, Kondorsetë dhe Cenierët dhe figura të tjera të shquara udhëheqësish dhe mendimtarësh, poetësh dhe dijetarësh , që janë vetëm disa, në mos një( për shembull Lavuazieri) në një milion persona të zakonshëm midis masave të gjëra, ndërsa bien në dhjetëra, ruajalistë, jakobinë, vandeas, nga rangu i zhirondinëve mbijetojnë dhe japin një përqindje humbjesh në mënyrë të pakrahasueshme më të vogël se këto elita. Në këtë kuadër lufta civile ka qenë dhe mbetet njësoj. Ajo është e pamëshirshme dhe godet, para së gjithash, elitat nga të dy kampet, dmth personat e veçantë që dalin nga masat e gjera. Ky rregull I përgjithshëm është vërtetuar edhe nga përvoja e luftës sonë civile. Ne tani quhemi të bardhë dhe kjo nënkupton elementët më të pajisur intelektualisht, më të ditur dhe kualifikuar. Një përqindje e madhe midis tyre u vra dhe një pjesë e tyre u vetëvra (gjeologu Inostransev, profesori Khvostov etj.), një pjesë vdiq nga uria, të ftohtit, dhe nga kushtet e vështira të jetës, (Shakmatov, Turaev, Blok etj). Më shumë se vdekja e pastër dhe e thjeshtë, lufta civile i shkatërron këto shtresa dhe në mënyrë të tërthortë, nga fakti se ajo i shtrëngon elitat të emigrojnë, ata që kanë qenë të tërhequr, që nuk janë vrarë, ajo I hedh në burg, ku ata shuhen nga vdekja e ngadaltë. Eksperienca e ‘heretikëve’ në Spanjë, e hygenotëve në Francë, etj. Tregon pasojat që sjellin këto emigracione masive. Shtoni, gjithashtu, se përveç emigrimit dhe shfarosjes së elementëve të përmendur më lart, lufta plagos, gjymton dhe dërrmon një përqindje të madhe të këtyre ‘të mirëve’ dhe ja kthen popullsisë në gjendje të pakësuar. Lufta e fundit i ka dhënë njerëzimit miliona nga këta persona të sakatuar, ‘baballarë adoptues’ të shndërruar në persona që jetojnë në kurriz të pjesës së tjetër të popullsisë. Shtoni uljen e lindjeve tek njerëzit (gjatë privacioneve, dhimbjeve, ankthit për të afërmi e tyre etj), dhe ndikimi cilësor i luftës mbi popullsinë do të bëhet mjaft i qartë.
‘Jepni më të mirët!’ thuhej në thirrjen romake drejtuar popullit kur kërkonte ushtarë. Kjo thirrje përmban një të vërtetë, lufta merr më të vërtet më të mirët. Lavdia ushtarake kushton shtrenjtë. Paguan, jo si në përrallat popullore, duke i shitur shpirtin e vet djallit, me gjak imagjinar, por me gjakun vërtet më të mirë, me pjesën më të çmueshme e të shpirtit të popullit. I tillë është ndikimi cilësor i luftës mbi përbërjen e popullsisë…Por ka edhe më. Benjamin Frenklini kishte të drejtë kur thoshte se detyrohesh t’ paguash shënimet e parashtruara nga lufta jo aq gjatë armiqësive është një pikë uji në det, në krahasim me paragjykimin që ajo tërheq. Ka në botë një dukuri relative trashëguese. Ajo shpall: si është fara, ashtu do të jetë dhe fryti, të tilla do jenë dhe të korrat. Lufta gëlltit jo vetëm prodhuesit më të mirë, por edhe pasardhësit e tyre , duke lënë të jetojnë e të shtohet një material njerëzor i cilësisë së dytë dhe të tretë…’Në qoftë se fara është e keqe , e korra është gjithashtu e keqe’. ‘Të këqinjtë’, që, pa veçimin nga lufta do të kishin qenë, në krahasim me të mirët , të hedhur në plan të dytë,tani, duke mbijetuar zënë vendet e para. Ata bëhen prodhuesit e brezave. Ata japin një gjak, që fillon të rrjedhë nga venat e popullit. Për sa i takon gjakut, ‘të më të mirëve’, ai derdhet kot në fushat e betejave… Pra gjymtimi nga lufta është i pandreqshëm dhe asgjë nuk mund ta shpërblejë. Një ditë Napoleoni kur i raportuan numrin e madh të të vrarëve në fushën e betejës, ka thënë se një natë e Parisit do ta riparonte këtë. ‘ Jo madhëri do mund ti përgjigjeshim ne atij dhe çdo shefi , jo vetëm një natë, por as mijëra net të Parisit nuk do të mund ta riparojnë këtë humbje të prodhuesve më të mirë. ‘Në qoftëse humbja sasiore e njerëzve mund të mbushet nga frytet e ‘Llumit’, paragjykimi cilësor në formën e ‘farave më të mira’ që kanë vdekur është krejt i pandreqshëm. Kjo është mbi ‘forcat njerëzore’. Të gjitha netët e Parisit mund të japin një korrje të bollshme barërash të flashkëta të njerëzimit dhe jo një korrje të mirë të ‘bijve të burrave ‘ të rangut të parë.
Popujt, që kanë një kohë të gjatë pa bërë luftë, janë edhe në planin ushtarak më të fortë se popujt militarist. Ekziston për këtë shembulli i SHBA, që gjatë historisë të tyre kanë njohur vetëm dy luftëra të rëndësishme: luftën për Pavarësi dhe atë të ndarjes për çlirimin ne zezakëve. Pas kësaj, që sapo u tha, mund të mos të tronditemi as për materialin e shkëlqyer të republikës tej Atlantikut, as për lulëzimin e saj dhe zhvillimin e shpejtë dhe as për lehtësinë me të cilën ka ditur të zhvillojë forca të mëdha ushtarake gjatë këtyre viteve dhe është bërë forca mbisunduese e botës. Nuk është pa interes ta shikojmë nën këtë kënd edhe historinë tonë. Gjatë shekujve ajo mban gjurmën fatale të ndarjes nga lufta. Ne kemi qenë dhe do të mbetemi një popull militar… Në këtë kuadër, disa epoka te ne kanë qenë në të vërtetë përcaktuese. Një nga ato është epoka e Pjetrit të Madh, ‘këtij gogoli që gllabëroi tërë botën’. Është me të vërtet e vështirë të gjendet një burrë tjetër që të ketë shkaktuar një paragjykim të tillë në popullsinë tonë. Me anë të luftërave të pandërprera dhe me transformimet madhështore spektakolare, por që kanë qenë shumë pak të dobishme për masën popullore , ai ka bërë që të shuhet lulja ë ‘më të mirëve ‘ të Rusisë, në jo më ka se 30% të popullsisë mashkullore aktive. Ai e ka blerë madhështinë e jashtme të Rusisë me një çmim që I ka kushtuar vendit tërë të ardhmen e tij. Në vazhdim kjo është pasqyruar nga keqësimi i skllavërisë, gjatë tërë një shekulli sundues ngecjeje në zhvillimin kulturor të masave dhe në shumë fusha të tjera, deri në ditët tona. Fatkeqësisht, unë këtu nuk mund ti lejoj vetes ta interpretoj historinë tonë nga pikëpamja e ndikimit të luftës mbi fatet ton ate jetës. Vetëm do të thosha se ky ndikim ka qenë fatal…
Tashmë unë do të skicoj vetëm disa fjalë mbi sjelljet e të gjallëve, mbi natyrën e tyre, artet ose reflekse e tyre. Në këtë anë ndikimi i luftës është tepër i madh. Ajo shtrembëron plotësisht ndërgjegjen, ndjenjat dhe veprimet jo aq të ushtrisë sa dhe të popullsisë civile. Ky shtrembërim mbështetet mbi këtë parim biologjik: funksioni krijon organin; veprimi i kryer rikosheton mbi shpirtin dhe organizmin e ekzekutuesit. Vetëm naivët, mund të mendojnë se veprimet që ne bëjmë kalojnë, për ne ( dhe për të tjerët), pa lënë gjurmë. Nuk është aspak kështu. ‘Çdo veprim, çdo fjalë e hedhur në këtë botë, që jeton përjetësisht, është një farë, që nuk mund të vdesë’ (Karlajli). Veprimet tona, me rikoshet, lënë një gjurmë mbi ne vetë, shndërrojnë sipas imazhit të tyre shpirtin tonë , trupin tonë dhe tërë sjelljet tona. Kjo shprehet akoma më shumë në veprimet e ngulitura nga lufta.
Duke qenë nga thelbi i saj krejt e kundërta e jetës paqësore, lufta ngulit tek popullsia tipare dhe forma sjelljeje krejt të kundërta me të parën. Jeta paqësore frenon veprimet e vrasjes, të dhunës, të egërsisë, të grabitjes, të spiunimit, të mashtrimit, dhe të shkatërrimit. Përkundrazi, lufta i kërkon këto veprime, i ngulit këto reflekse, i thërret në jetë dhe ndihmon me të gjitha mënyrat suksesin e tyre. Vrasjen, plaçkitjen, dhunën, nënshtrimin, gënjeshtrën, mashtrimin, dhe shkatërrimin e armikut, lufta i ngre në akte të larta, në merita; ai që i kryen këto veprime paraqitet si një hero dhe në vend të ndëshkimit atë e shpërblejnë për kryerjen e tyre, në vend të dënimit e rrethojnë me lavdi. Jeta paqësore zhvillon iniciativën, punën prodhuese, krijimtarinë, lirinë individuale; lufta nxit varësinë pa kushte, nënshtrimin e papërgjegjshëm (disiplina), I zë frymën insiativës vetjake, shpirtit të veprimit (‘ nënshtrohu, zbato, dhe mos diskuto), anulon lirinë individuale (ligjet luftarake, gjyqet dhe urdhrat pa apel), ngulit dhe bën zakon veprimet thjesht shkatërruese , shkul dhe çmëson punën prodhuese paqësore. Jeta paqësore fryn te popullsia dhe përforcon tek ajo ndjenjat dhe veprimet e një qëndrimi dashamirës kundrejt njerëzve, të dashurisë, të respektit kundrejt personit, të të drejtave, lirisë së tij dhe të mirave. Lufta është një aparat që synon ti ç’rrënjosë këta reflekse dhe këto ndenja një aparat që ngulit dhe përforcon ndjenjat dhe reflekse e ligësisë, të urrejtjes, të shkatërrimit, të mos respektimit të jetës, të lirisë, të të drejtave dhe të të mirave të personit. Jeta paqësore krijon kushtet dhe ndihmon zhvillimin e mendimit në fushën e shkencës, të arteve dhe të kulturës, në përgjithësi. Lufta u zë frymën. Ajo e lidh lirinë e mendimit, e shtyp dhe e shkatërron me mijëra proçedura dhe mjete.
Mos u habisni nëqoftëse pas luftërave të rëndësishme jeu ndesheni në vend me rritjen e krimit, të banditizmit, të grupeve plaçkitësish dhe vrasësish të paguar, që janë cmësuar nga puna paqësore, me veprime shkatërruese nga masat, me lulëzimin e dhunës, me dobësimin dhe çarjen e së drejtës dhe të moralit, me rënien e punës paqësore dhe prodhimtarisë së saj, me spekullimin, me gënjeshtrën dhe mashtrimin , me rebelimin dhe me shpërthimin masiv të forcës brutale, me përvetësimin e të mirave, me varfërinë e përgjithshme, me egërsinë, me ashpërsinë dhe me rritjen e injorancës…Kush krijon luftën i krijon edhe të gjitha këto. Pasojat e këtij lloji janë veçanërisht të fuqishme gjatë luftërave civile. Në këtë kuptim të përçudnimit të sjelljes së popullsisë, këto rrjedhime janë shumë më të hidhura se ato të një konflikti të përgjithshëm. Tashmë… do te evokoj ndikimin e luftës mbi organizimin shoqëror. Meqë lufta ndryshon përbërjen e popullsisë dhe karakteristikat e saj, ajo nuk mund të mos ndryshojë ndërtimin e vetë shoqërisë. Pasoja thelbësore e luftës në këtë fushë është ndryshimi i organizimit të shoqërisë në drejtim të socializmit ushtarak.
Me shoqëri militaro-socialiste ideale ose e çuar në ekstrem unë kuptoj një mekanizëm që karakterizohet nga:
1)një vëllim i pakufizuar i ndërhyrjes, tutelës dhe rregullimit qeveritar për gjithë jetën dhe raportet ndërmjet të qeverisurve, duke filluar nga marrëdhëniet ekonomike e deri tek ato fetare, juridike, estetike etj.
2) një vëllim i pamjaftueshëm autonomie dhe vetëqeverisjeje në të gjithë fushat e jetës dhe lidhjet e ndërsjellta
3) në një masë të caktuar, despotizmin barazimtar. Në një shoqëri të tillë pushteti është I pakufizuar. Ai nuk ka limite në vëllimin e ndërhyrjes në jetën e qytetarëve dhe në rregullimin e saj. Për sa I takon gjëndjes së autonomisë së të drejtuarve, ata nuk kanë fushë veprimi. Si ushtarët në rresht, ata kanë vetëm një detyrim: ti nënshtrohen pa rezerva direktivave të pushtetit…
Në lidhje me këtë, as që mund të shtrohet çështja e lirive individuale. Në të njëjtën mënyrë inisiativa private, paprekshmëria e të drejtave të pronësisë etj. zhduken… Shkurt e tillë është shoqëria militare-socialiste ideale.
Nuk përfshihet këtu socializmi absolutisht përfitues, i lire, I krijuar nga vullneti I lirë I personave që bashkëveprojnë pa asnjë shtrëngim. Nga ana tjetër duke qenë të gjitha kushtet të barabarta , lufta ndryshon organizimin e shoqërisë pikërisht në drejtim të afrimit të tij me këtë tip ideal…Duke mbetur të gjitha kushtet njësoj shoqëria militaro-socialiste ose e disiplinuar, e transformuar në një makinë ushtarake të vetme, e varur nga pushteti që komandonte në kohën e luftës, ka më shumë shanse të fitojë dhe të mbijetojë se sa një shoqëri e decentralizuar, e padisiplinuar, e patransformuar në një ushtri, në një kamp të vetëm ushtarak. Shtimi I këtyre shanseve për mbijetesë në luftën për ekzistencë të grupit arrin gjithmonë , në mënyrë të ndërgjegjshme ose të pa ndërgjegjshme , në përforcimin e socializmit ushtarak, kur vjen lufta.
…Ne pamë se lufta merr më të mirët. Në qoftë se ajo zgjat për një kohë të gjatë një pjesë e madhe e ‘më të mirëve’ zhduket. Humbja e elementëve më të mirë të popullsisë…shënon pakësimin e forcave të shoqërisë, që do ti kundërviheshin prirjes së natyrshme të çdo pushteti ndaj absolutizmit, despotizmit dhe shtrirjes së pakufizuar të rregullimit. Llumi mbijetues nuk mund ta luftojë këtë prirje si do të kishte mundur ta bënte gjaku më i mirë i popullit, që është zhdukur në luftë. Ata që mbeten nuk kanë as energjinë, as talentet, as dashurinë e lirisë dhe aftësinë për të mbrojtur të drejtat e tyre, si do ti zotëronin ata që janë vrarë. Qeveritarët mund të bëjnë më këtë ‘llum’ atë që u duket atyre më e mirë, pa ndeshur kundërshtim energjik. Murmurima nuk shkon në kryengritje dhe, nëqoftëse ajo bëhet, kjo do të japë vetëm jehona të paorganizuara. Pa dy ose tre tentativave të dështuara, ‘llumi’ do të kthehet në fatin e vet.
Ne pamë se lufta dhe militarizmi i injektojnë popullsisë disa reflekse dhe zakone. Kazerma dhe radhët ushtarake, kjo është shkolla e varësisë civile. Një ushtar nuk ka vullnet. Ai është një zbatues i verbër urdhrash. Ai nuk duhet të ketë personalitet, disiplina ushtarake kërkon t’ia shkulë këtë . Ushtari është vetëm material i thjeshtë që e disponon pushteti. Përveç kësaj, lufta ngulit veprimet e mosrespektit ndaj jetës dhe të ‘ drejtave të njeriut dhe të qytetarëve, ajo i mohon plotësisht ato, etj. Të gjitha këto tipare gjatë luftës, sidomos të zgjatur- i komunikohen tërë shoqërisë… kjo bëhet thjesht një fortesë e rrethuar organizimi shoqëror i së cilës ka qenë gjithmonë tipi i socializmit ushtarak… Këto konsiderata mjaftojnë për të kuptuar përse lufta sjell dhe përforcon socializmin ushtarak… Vetë sistemi i trupave dhe i ushtrisë ka qenë, është dhe do të jetë një sistem mjaft i theksuar militaro- socialist. Organizmi shoqëror i ushtarakëve dhe i fortesave të rrethuara është i afërt me tipin ideal të shoqërisë militaro-socialiste…
Në këtë vit ne jemi vëzhgues dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këtë proces. Që nga viti 1914 , kurba e ‘socializmit shtetëror’= socializëm ushtarak në të gjitha vendet ndërluftuese, deri edhe në Anglinë, e lirë dhe individualiste dhe në SHBA të Veriut (që nga momenti i hyrjes në luftë) ka filluar të rritet dhe sa më tepër që amplifikohet lufta, po aq pushtohet situata e vendit. Lufta mbaroi dhe ne pamë se kjo kurbë në Perëndim filloi të ulej ’ denacionalizimi i industrisë, që punonte për luftën, heqje e kontrollit dhe e rregullimit shtetëror , heqja e reparacioneve të mallrave ushqimorë, të sistemit të triskave ushqimore, heqjen e gjendjes së luftës dhe të kufizimeve të lirisë së shprehjes etj.)
Në këtë kuadër lëvizja e kurbës së socializmit ushtarak gjatë këtyre viteve tek ne ka qenë mjaft spektakulare. Nga momenti që në tërë historinë tonë, ne kemi qenë një popull militarist, pra, ne duhet të ishim dhe praktikisht ne kemi qenë një shoqëri me karakter të theksuar militarist. Socializmi ushtarak, si të thuash, ka hyrë në ‘mishin dhe gjakun’ e popullit tonë… Absolutizmi, despotizmi dhe centralizimi i regjimit të vjetër, janë dëshmitë e para të një afrimi të shoqërisë sonë ndaj tipit militaro-socialist; mungesa e të drejtave, lirive dhe të autonomisë së individit nën regjimin e vjetër, janë dëshmi të tjera të së njëjtës dukuri;zhvillimi i dobët i individualizmit, i inisiativës personale, instinkti i grumbullimit të popullsisë, zakoni i tij për nënshtrim-është dëshmia e tretë. Gjatë tërë historisë sonë, sidomos nën Pjetrin e Madh dhe pas tij, ne kemi qenë të orientuar në një drejtim;drejt socializmit ushtarak. Lufta ka gjetur tek ne një truall mjaft të përshtatshëm për të kultivuar tërë madhështi farën e saj të zakonshme; socializmin ushtarak. Ndërkaq kjo kurbë filloi të lëvizë shpejt, shpejt arritja e shoqes legjitime të luftës-urisë- e ka nxitur rritjen e kësaj kurbë, sidomos në fushën ekonomike dhe ushqimore . Socializmi ynë ushtarak është mishi i mishit të historisë sonë të mëparshme , i shfaqur gjatë valës së luftërave dhe urisë. Lufta nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka zbuluar këtë veti të organizimit tonë shoqëror. Uria-me ekzistencën para 1918 të diferencimit të të mirave- ka ndihmuar luftën . Prej këtej rrjedh dhe socializmi ushtarak , si i tillë, ishte i pashmangshëm dhe përpjekjet për ta luftuar ishin të paracaktuara të dështonin. Pavarësisht nga shpresat e shumë njerëzve , lufta civile duhej ta përforconte dhe jo ta dobësonte këtë prirje . Ne kemi qenë spektatorë të këtij procesi …
Kujt i pëlqejnë pasojat që shkakton lufta ndaj popullsisë dhe organizimit shoqëror, le ti thurë ditirambe. Kujt nuk i pëlqejnë këto pasoja, le ti mallkojë. As njëri as tjetri nuk hyjnë në detyrën time, por vetëm studimi i lidhjeve të shkakut me pasojën ndërmjet luftës dhe rrjedhojave të saj…
profesor i sociologjisë në Universitetin e Harvardit, shkencëtar me famë ndërkombëtare, autor i më shumë se 30 librave dhe shumë artikujve për sociologjinë, ka vdekur në SHBA në 1968. Për herë të parë ai u ndesh me vdekjen në 1918, kur u dënua me vdekje nga gjyqi i Volodges. Tek jeta dhe vepra e tij shohim dhe njëherë paradoksin e ideve dhe revolucioneve. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i lëvizjes shoqërore-revolucionare. Para revolucionit ai kishte njohur jetën ilegale , arrestimet, burgun, internimet. Ishte kundër terrorit dhe luftës civile që nisën bolshevikët. Shkurti 1917 e gjeti atë në skenën e jetës politike në krahun demokratik të partisë së tij. Ai mori drejtimin e gazetës ‘Volia Naroda’ ( Vullneti i Popullit’ dhe për një kohë ishte këshilltari personal i Kerenksit dhe anëtar i Këshillit Republikan të Rusisë. Pas Revolucionit të tetorit u arrestua dy herë dhe në sajë të një falje të papritur, fitoi lirinë. Absurditeti dhe tmerri i luftës civile e detyruan ta braktiste jetën politike dhe ti kushtohej tërësisht shkencës. Në 1919 e gjejmë profesor në Universitetin e Peterburgut , ku formoi dhe katedrën e sociologjisë.
Fama e tij vjen në rritje. Në 1920 dolën dy vëllimet e tij, ‘Sistemet e sociologjisë’. Midis punimeve të kësaj epoke, në artikullin ;ndikimi i luftës mbi përbërjen e popullsisë, mbi tiparet dhe organizimin e saj shoqëror’, ai shpresonte se me mbarimin e luftës civile jo vetëm që nuk mbaroi, por më pas erdhi edhe NEP-i. Tashmë artikujt e Sorokinit filluan të mos i pëlqenin më pushtetit dhe me porosi të Leninit, në 1922 , ai , së bashku me shkencëtarë dhe filozofët të tjerë, u dëbuan nga Rusia. Pas një qëndrimi të shkurtër në Pragë, vajti në SHBA, ku dha sociologjinë në mjaft universitete amerikane dhe në 1930 u vendos përfundimisht në Harvard. Ai u bë klasik në fushën e sociologjisë, që kur ishte gjallë, gjë që ndodh radhë në shkencë, sidomos në atë shoqërore. Por në vendin e tij ai nuk u vlerësua. ‘Asnjë nuk është profet në vendin e tij!’Në këtë numër të revistës botuam disa fragmente të një artikulli të tij, të cilat jo vetëm të zhysin në mendime, por edhe të lejojnë të analizosh, nën një pikëpamje mjaft origjinale, në krahasim me ato që janë dëgjuar deri tani lidhur me revolucionet, dukuri të së kaluarës, por edhe me zhvillime të së sotmes
Leave a Reply