Ndihesha sikur s’kisha një vend ku të shkoja dhe se s’mund të funksionoja më as si një qenie njerëzore. Në çdo vend që gjendesha, më dukej sikur të gjithë më shihnin dhe e dinin se me se merresha për të jetuar. Ndihesha e papastër, e mashtruar, me një respekt të humbur, e dhunuar dhe një individ i padenjë për shoqërinë. Nuk e njihja më Anin! Shpesh kisha menduar për t’i dhënë fund jetës. Gjithçka ndodhte në fushëbetejën e mendjes dhe nëse nuk do të kisha kërkuar ndihmë, do të humbisja gjithçka”.
Kjo është deklarata e Anit, një ish-prostitutë dhe striptiste.
Por, a mund të hiqen linja paralele mes kësaj dëshmie rrëqethëse të një ish-prostitute dhe atyre mijëra vajzave dhe grave që ushtrojnë prostitucionin? Në fakt, Ani, e cila dëshmon se duke bërë prostitutën kishte humbur identitetin e saj, është etaloni i denjë për kornizimin e jetës emocionalo-shpirtërore dhe sociale të një prostitute.
Dëshmia e Anit i jep zë zërit të mekur të çdo vajze të shndërruar në një punëtore të seksit, e cila ka provuar se të jesh prostitutë do të thotë shumë gjëra. Të jesh prostitutë do të thotë të ndihesh e pisët, e mashtruar, me respekt të humbur, e dhunuar dhe një individ i padenjë për shoqërinë.
Të paktën Ani ndihej kështu. Shtegu i dramës së Anit kaloi nga humnera e zbrazët e humbjes së identitetit, madje disa herë e ndali rrugëtimin në betejën e vullnetit për t’i dhënë fund jetës.
Ky është realiteti i jetës së një prostitute, një realitet i mbushur me eksperienca të kërcënimit për jetën, dëmtime serioze fizike dhe psikologjike. Statistikat e publikuara paraqesin se pjesa më e madhe e prostitutave vuajnë nga çrregullimi posttraumatik i stresit (Post Traumatic Stress Disorder):
Sipas të dhënave të publikuara, nga numri i prostitutave të intervistuara, të cilat janë pyetur nëse janë kërcënuar apo nëse është ushtruar dhunë ndaj tyre, u janë përgjigjur me “po” pyetjeve si më poshtë:
– Të kërcënuara me armë: 78%
– Të abuzuara fizikisht: 82%
– Të përdhunuara: 82%
– Të përdhunuara më shumë se 5 herë: 73%
– Të pastreha: 84%
– Të dhunuara fizikisht në fëmijëri: 49%
– Të abuzuara seksualisht në fëmijëri: 65-95%
Në panelet e debatit televiziv, dikush e ka karakterizuar prostitucionin në elitar dhe të rëndomtë, ose e thënë ndryshe, si prostitucioni që ushtrohet në dhomat e hoteleve luksoze, në shtretërit komodë dhe çarçafë të mëndafshtë dhe si prostitucioni, i cili zhvillohet në sediljet e pasme të makinave apo qoshet e errëta të rrugëve të ngushta. Mendoj se ky kategorizim forme që i bëhet prostitucionit nuk ndihmon asnjërin prej nesh që të kuptojë se çfarë është prostitucioni në të vërtetë.
Prostitucioni karakterizohet nga trishtimi i syve të një prostitute për qytetin e saj të humbur, i cili tashmë ka braktisur çdo ëndërr të saj. Ai karakterizohet nga brenga e thellë e shpirtit të një vajze, e cila e di që ka humbur përgjithmonë dashurinë e përqafimit të babait dhe aromën e ngrohtë të shtëpisë ku ka lindur. Prostitucioni karakterizohet nga dhimbja e ëndrrave të lëna në mes, nga braktisja e vetes dhe transformimi i pashmangshëm vrastar, i cili ndodh brenda qenies. Individi shndërrohet nga qenie me integritet moral, në një objekt i lëshuar me qira për plotësimin e nevojave që s’ngopen kurrë.
Prostitucioni është dekadenca e thellë e moralit individual, e kur në një vend ai legalizohet, s’është asgjë më shumë se dekadenca e moralit kolektiv.
Diskutantët pasionantë, të cilët kanë marrë përsipër të flasin mbi këtë çështje, diskutojnë për amendamente, nene, paragrafë e ligje duke i shkëputur këto të fundit nga çështja thelbësore, që është morali.
Morali është guri i themelit i çdo familjeje, institucioni dhe i çdo kombi. Një komb që nuk i konsideron pikat e referimit të moralit, është si një anije pa busull që lufton me dallgët gjigante në mes të oqeanit. Në fakt, çdo ligj dhe nen i miratuar dhe i shkruar është një përpjekje për të legalizuar moralin, sepse morali është standardi për të mirën dhe të keqen.
Pyetja që shtrohet është: “Cili është morali që do të qeverisë këtë çështje?
Toni Nasif (Tony Nassif), themeluesi dhe presidenti i fondacionit kulturor “Cedar”, thotë “Kush e kishte menduar ndonjëherë që çështja e errët dhe e turpshme e prostitucionit tani do të merrej në mbrojtje dhe do të pranohej nga shumica në kulturën popullore? Vite më parë kjo nuk shihej si diçka e turpshme, por kishte një stigmë që i vihej një burri që shkonte me një prostitutë.
Disa mund të thonë: ‘Gjërat që njerëzit bëjnë në privatësinë e dhomës së tyre nuk janë shqetësimi im’. Kjo është e vërtetë, por e vërtetë është dhe tjetra, që thotë se ajo që ndodh brenda dhomës në intimitet, një ditë do të ketë ndikim mbi të gjithë. Mendoni pak për sëmundjet e ndryshme veneriane dhe në veçanti virusin HIV AIDS”.
Megjithëse në vendet perëndimore ka një shift paradigme në terminologjinë e përdorur për prostitucionin, kjo nuk e shndërron prostitucionin në modern e elitar.
Termat tashmë të vjetruar janë zëvendësuar me terma të rinj. Disa vite më parë, fjala “prostitutë” është hequr prej revistave mjekësore dhe është zëvendësuar me “punonjëse të seksit”. Këta persona tanimë nuk njihen si persona të cilët punojnë në prostitucion, por në “industrinë e seksit”. Ndërsa tutorët (pimps) me shumë mundësi nga këtej e tutje do të njihen me termin tashmë të njohur në kulturën tonë si menaxherë shitjeje (sales manager), ose koordinatorë të seksit.
E gjithë ideja e ndryshimit të terminologjisë gjuhësore qëndron mbi nevojën për ta paraqitur çështjen e vjetër të prostitucionit si çdo biznes tjetër i ligjshëm e i ndershëm. Mirëpo kjo nuk mund të ndodhë, sepse ka një diferencë morale midis të ushtrosh prostitucionin, nga të lash enët në një restorant, të shesësh në supermarket, apo të punosh në shërbimin mjekësor.
Kjo diferencë morale qëndron e ngritur dhe e pandryshuar dhe në rastin kur kërkesa për këtë shërbim është e lartë.
Për shkak se çështja e legalizimit/dekriminalizimit të prostitucionit këto ditë është në fokus dhe disa aktorë nga shoqëria civile janë prononcuar mbi këtë çështje, ndiej nevojën për t’u ndalur mbi tezat kryesore pro legalizimit/dekriminalizimit duke sjellë argumente të reja që hedhin dritë mbi tezat pro dhe argumentojnë të kundërtën e tyre.
Legalizimi/dekriminalizimi i prostitucionit nuk e kontrollon industrinë e seksit, por në të kundërt, e përhap atë më shumë.
Pas legalizimit që iu bë industrisë së seksit në Holandë në vitin 2000, industria e seksit pësoi një rritje me 25 për qind. (Daley, 2001:4) Sot Holanda ka të ashtuquajturat “Fondacione të prostitucionit”, qëllimi i të cilave është ta promovojnë dhe ta bëjnë sa më të pranueshëm biznesin e seksit dhe të mbrojnë interesat e klientëve të tyre. (NRM Bureau, 2002:115-16) Duke parë mungesën e grave për të punuar në sektorin e seksit, Raporti kombëtar holandez mbi Trafikimin tregon se në të ardhmen një zgjidhje e propozuar për këtë treg mund të jetë sjellja e prostitutave nga vendet që janë jashtë BE-së, të cilat zgjedhin me vullnetin e tyre të lirë të punojnë në këtë treg dhe se atyre mund t’u ofrohet asistencë ligjore dhe akses në treg. (NRM Bureau, 2002:140) Shtëpitë publike në Zvicër janë dyfishuar që pas legalizimit të pjesshëm të prostitucionit.
Legalizimi/dekriminalizimi i prostitucionit rrit kërkesën për prostitucion.
Pasi barrierat ligjore hiqen, atëherë hiqen dhe barrierat e etikës dhe ato sociale, kështu legalizimi i prostitucionit i dërgon mesazhin gjeneratës së burrave dhe djemve që gratë janë objekt seksi dhe që prostitucioni është i padëmshëm dhe kënaqësi. Ndërsa për burrat, shërbimi i seksit tashmë është komoditet, për gratë e përfshira në këtë biznes sjell konkurrencën për të performuar në një mënyrë që do të garantojë sukses.
Legalizimi/dekriminalizimi i prostitucionit rrit prostitucionin ilegal dhe atë të rrugës.
Legalizimi presupozonte largimin e prostitutave nga rruga, por shumica e tyre nuk dëshirojnë që të regjistrohen për kontrollet mjekësore, siç parashikohet me anë të ligjit të legalizimit të prostitucionit. Legalizimi nuk heq stigmën e prostitucionit, por i bën këto gra më vulnerable ndaj abuzimeve, sepse duke u regjistruar ato nuk janë më anonime dhe për këtë arsye shumica e grave në prostitucion zgjedhin të punojnë fshehurazi. Anëtarë të Parlamentit të Holandës, të cilët fillimisht promovuan idenë e legalizimit të shtëpive publike, panë më vonë që legalizimi rrit presionin dhe stresin te këto gra. (Daley, 2001:A1) Në Australi, pas legalizimit të prostitucionit, pati një rritje të madhe në sektorin ilegal.
Legalizimi/dekriminalizimi i industrisë së seksit promovon trafikimin e seksit.
Legalizimi/dekriminalizimi i prostitucionit janë shkaku kryesor për trafikimin e seksit. Argumenti kryesor që u parashtrua në Holandë për legalizimin, ishte se çonte në ndalimin e trafikimit të grave, të cilat emigronin për prostitucion. Një raport i bërë për Grupin Qeverisës të Budapestit (Governemental Budapest Group) tregon se 80% e grave që ushtronin prostitucionin në shtëpitë publike në Holandë, janë të trafikuara prej vendeve të tjera. Në vitin 2000, qeveria e Holandës parashtroi kërkesën për të marrë një gjykim nga Gjykata Europiane për të njohur prostitucionin si një aktivitet ekonomik. Kjo u jepte mundësinë grave nga BE dhe nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik të merrnin leje pune si punonjëse të seksit në industrinë e seksit në Holandë, natyrisht nëse do të provonin se ishin të vetëpunësuara. Organizata të ndryshme në Holandë deklarojnë që kjo ka krijuar një derë të hapur për trafikantët për të sjellë vajza dhe gra, të cilat më parë i përgatisin të thonë dhe të provojnë se janë të vetëpunësuara si punonjëse të seksit. Organizata të ndryshme raportojnë, që ka rritje të viktimave të trafikimit. (Bureau NRM, 2002:75) Në janar të vitit 2002, prostitucioni në Gjermani u stabilizua ligjërisht si profesion. Përpjekjet e para për legalizimin e prostitucionit në këtë vend filluan që në vitin 1993. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit raportet tregojnë që 9 në çdo 10 gra, të cilat punojnë në industrinë e seksit në Gjermani, vijnë nga Europa Lindore.
Legalizimi/dekriminalizimi i industrisë së seksit rrit prostitucionin e të miturve.
Një argument tjetër që u parashtrua në Holandë për legalizimin e prostitucionit, ishte se ky ligj do të ndihmonte përfundimin e prostitucionit mes të miturve, por, në fakt, shifrat tregojnë të kundërtën. Pas legalizimit të prostitucionit, numri i të miturve në prostitucion është rritur tri herë, kjo sipas një organizate të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Amsterdam. Mes këtij grupi të miturish numërohen me përafërsi 5000 fëmijë vajza, që janë nigeriane.
Legalizimi/dekriminalizimi i prostitucionit nuk i mbron prostitutat.
Në 146 viktima të biznesit të seksit nga 5 vende të ndryshme, ku prostitucioni është i ligjshëm, 80% e grave të intervistuara dëshmuan se vuanin ushtrimin e dhunës fizike prej tutorëve dhe klientëve, si dhe kishin komplikacione shëndetësore si rezultat i kësaj dhune. (Raymond et al: 2002) Ne dëgjojmë shumë pak për faktin se industria e seksit është duke krijuar një treg global të seksit, dhe këtë e bën mbi trupat e grave dhe të fëmijëve. Në vend të kësaj të vërtete dëgjojmë si të ndihmojmë, që prostitucioni të jetë një punë më e lehtë për gratë dhe ta rregullojmë atë me anë të ligjeve. Më shumë dëgjojmë si t’i mbajmë gratë në prostitucion dhe shumë pak si t’i nxjerrim këto gra jashtë prostitucionit. Qeveritë, të cilat legalizojnë prostitucionin, kanë përfitime të mëdha financiare dhe, nga ana tjetër, kjo krijon varësinë ekonomike nga sektori i seksit. Së fundi, në një sondazh të bërë në SHBA, prostitutave të intervistuara u është drejtuar pyetja, nëse do të donin të largoheshin nga prostitucioni. 87% e tyre kanë thënë: “Po”. Të gjitha përpjekjet për ta sjellë prostitucionin sa më natyrshëm, për ta rehabilituar, për t’i dhënë mbrojtje ligjore dhe për ta shndërruar në një industri të mirëfilltë biznesi, nuk zhbëjnë atë që në fakt prostitucioni është.
Megjithëse në vendin tonë indiferentizmi individual mbi çështjen e moralit anashkalon që çështja e shumëfolur e prostitucionit të kalojë përmes lenteve të moralit, prostitucioni do të mbetet gjithmonë moralisht i rënë, traumatik dhe denigrues për qenien, familjen dhe shoqërinë
Leave a Reply