Kam heshtur këto dy ditë pas postimit të fundit lidhur më protestën e studentëve. Por sot kam një fjalë për ju, miq studentë.
Farsa e mbrëmshme televizive në Topchannel dhe televizione të tjera, ku nën emrin student u infiltruan të punësuar nga qeveria dhe aktivistë të partive politike, nuk duhet t’ju dekurajë, por më shumë t’ju nxisë në kauzën tuaj të drejtë.
Tashmë nuk diskutohet legjitimiteti i kërkesave të tuaja, por rruga si këto kërkesa të plotësohen. Ju jeni shumë pranë plotësimit të kërkesave tuaja, aq pranë sa do të habiteshit po ta dinit. E vërteta është se asnjë qeveri nuk është komode nën presionin që i ushtrohet për një kauzë të drejtë. E tillë është kauza juaj.
Të dashur studentë, duhet të zgjidhni përfaqësinë tuaj. Nga disa prej jush dëgjova dje përmes medias që zgjedhja e një përfaqësie nuk është e mundur.
Praktikisht është mëse e mundëshme: 3-5 përfaqësues për çdo fakultet, do të çonte në krijimin e një përfaqësie studentore me rreth 50 studentë. Djem dhe vajza me integritet, të papërfshirë në forume të partive politike dhe të spikatur gjatë protestës.
Nëse nuk zgjidhet një përfaqësi e juaja, atëherë rrezikoni shpërbërjen, keqpërdorjen apo instrumentalizimin e protestës prej grupeve të tjera të interesit. Nuk duhet të keni frikë të zgjidhni përfaqësinë tuaj, pasi është e vetmja mënyrë si mund të siguroni unitet, qëndrueshmëri dhe qartësi në rrugën tuaj. Nëse siguroni unitet, qëndrueshmëri dhe qartësi (vizioni juaj mbetet i qartë) atëherë nuk do të kalojnë shumë ditë dhe filli I rezistencës ndaj jush do të këputet.
Ju inkurajoj të ruani qëndresën tuaj paqësore. Kur njeriu lufton për një kauzë të drejtë, nuk shqetësohet se çka qëndron përballë tij zotëron armë më të fuqishme. Pushteti mund t’i disponojë të gjitha armët, por historia tregon se dhe armët më të fuqishme nuk mund të shtypin përgjithnjë grupin shoqëror që lufton për një kauzë të drejtë.
Përballë jush, pushteti i medias tashmë është i pagojë, pushteti financiar nuk mund t’ju shpjerë në vendin e kompromisit dhe pushteti politik nuk mund t’ju veshë kostumin e tij.
Kam dhe një këshillë të fundit për ju:
Tashmë keni nisur të ecni në udhë më të larta të dijes. Ju jeni bërë orakuj për drejtësinë dhe integritetin, gurë themelorë të cilët janë braktisur në shoqërinë tonë, pasi njeriu njëdimensionalësh që ndërtuam përgjatë 28 viteve tranzicion ka pasur vetem objektivin e njëkahshëm të pasurimit dhe ndërtimit të ekonomisë, por njeriu është shumë më tepër se kaq dhe është thirrur të ecë në udhë më të larta.
Mos urreni ata të cilët qëndrojnë në kahun tjetër të rezistencës tuaj. Dashuria është forca më e madhe në univers. Kjo është udha më e lartë dhe më e vështira, e cila s’qëndron prapa drejtësisë dhe integritetit, por i paraprin. Jam i sigurtë që ndërsa keni nisur të bëheni orakuj të drejtësisë dhe integritetit të munguar, diku përgjatë këtij shtegu të ngushtë dhe të vështirë do të gjeni mahnitjen e dashurisë.
Me bekimin dhe lutjet për ju 🙏
Akil Pano
Leave a Reply