Hapi i madh i besimit nis me një lutje. I takon Zotit të hedhë zjarrin, ose të na vizitojë me heshtjen. Zjarri na shpie tek reformimi, heshtja tek lotët e shërimit.
Ne zjarr trimërohemi të shërbejmë, në heshtje mësojmë të dëgjojmë zërin e Bariut. Kemi nevojë për zjarrin dhe heshtjen. Karmeli dhe Kerithi ishin eksperiencat që ndërtuan njeriun e Zotit.
Jeta juaj publike dhe ajo private duhet të vijnë në balancë. Sinteza e të dyjave është pika e palëvizëshme, e ngjashme me ç’ka Arkimedi kërkonte të mbështeste levën e tij për të lëvizur globin.
Në këtë pikë mbështesni levën tuaj të besimit që e aktivizon lutja.
Ky është çelësi i suksesit në jetën tuaj.
Ju jeni krijuar të përballeni me sfidat dhe vështirësitë dhe të ngadhënjeni. Ju jeni krijuar të rriteni, ndërtoni dhe zgjeroni kufijtë tuaj duke mos bërë kompromis me gjendjen e status-quo’s që ju rrethon. Ju jeni krijuar të ndikoni dhe të ndriçoni, të jeni bij te paqes dhe shërimit; jeni bërë të riparoni të çarat dhe sillni bashkimin; natyrisht që jeni krijuar për publiken.
Por, miq tregoni kujdes se çfarë ndodh me ju pikërisht kur gjendeni krejt vetëm. Cilat janë forcat, pasionet dhe mendimet që ju kontrollojnë? Cilat janë veprimet tuaja, ne sferën e padukshme, kjo duhet t’ju merakosë, pasi herët a vonë këto do të ndikojnë dhe drejtojnë sferën tuaj publike.
A furnizohet jeta juaj private nga burimi i qytetit të përjetshëm?
Modeli i përsosur i jetës së Jezusit të Nazaretit na sfidon të gjithëve. Jeta e tij publike mbeshtetej krejtësisht në atë private, e cila u bë e dukshme për të gjithë lexuesit e ungjijve vetëm përshkak se ai lejoi grupin e afërt të dishepujve të vështronin jetën e tij nga shumë afër.
Mësimi i Jezusit të Nazaretit na shtang kur përballemi me guximin e deklaratave dhe thellësinë e të vërtetave të tij:
“Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti. O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra qet goja. Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.”
(Cituar Mateu 13:33-35)
Nëse lemë pasdore njeriun në privaten e tij, herët a vonë publikja do të vuajë. Nëse nuk tregojmë kujdes për të investuar në jetën shpirtërore, atëherë do jemi si një avion i cili ka djegur njërin prej dy motorrëve që mundësojnë fluturimin e tij.
Më vjen ndërmend vizita e Jezusit në shtëpinë e ngrohtë të Lazarit. Shtëpia e Lazarit ishte tejmbushur; taksidarë dhe njerëz gjithfarë kishin mbërritur të shihnin e dëgjonin mësuesin, ndërsa Jezusi tregonte shëmbëlltyrat e tij. Motra e Lazarit, Marta ishte në krye të punëve të mikpritjes. Shërbimi i saj i palodhur në publiken ishte i padiskutueshëm. Por s’do të zgjaste shumë dhe Marta do të kërkonte pikërisht tek Jezusi ndihmë. Mjaftonte një fjalë e tij drejtuar motrës së saj Maries e cila qëndronte pothuaj palëvizur dhe përpinte çdo fjalë të Jezusit dhe Marta do të kishte dikë me të cilën do të bashkëndante peshën e shërbimit të saj.
Por, Jezusi sërish do të na habisë të gjithëve me fjalët që i drejtoi Martës:
“Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë”. Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;
por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet”.
(Cituar Luka 10:40-41)
Cila ishte pjesa më e mirë të cilën Jezusi evidenton? Shpirti dhe nevoja e tij të ushqehet, pasi herët a vonë privatja jonë do të perkufizojë publiken. Miq, kjo do të mbetet një e vërtetë e pandryshueshme;
Përmasat e jetës tuaj do të përkufizohen nga thellësia e saj.
Leave a Reply