Trau i rëndë i taksës

Në fillim mendova të abstenoj dhe mos të shkruaj për publikun mbi çështjen e taksës për rrugën e kombit. Laicizmi mbi të cilin qëndron ngritur sistemi ynë shoqëror, imponon mendimin;

“prifti te merret me punët e kishës dhe Zotit, janë profesionistët, politikanët dhe ekspertët të cilët duhet të flasin mbi çështjet ku ngatërrohet politika!”

Duke u nisur prej kësaj pikëpamje gati bëra paqe me veten dhe po hyja brenda kështjellës me mure të fortifikuara të një status quo-je indiferentizmi të akullt e rehatie të rreme. Por dëgjova një zë i cili më thirri. Për çudinë time nuk vinte nga qielli, por nga toka e të parëve.

Zëri ishte tronditës. Ishte klithma e vuajtes së një njeriu, shumë njerëzve, një populli.

Thirrja impononte urgjencë. Ishte një burrë i cili s’është mësuar të derdhë lotë, por unë dëgjova të qarën e tij. Qëndronte i rrethuar nga shumë burra të tjerë të cilët s’mund të derdhnin lotë, por unë dëgjova lëngimin e pafuqisë së tyre. Qenia vokale e Aristotelit më erdhi ndër mend dhe kuptova se epoka jonë nuk është e ndryshme prej botës me padronë e skllevër, në fakt është më e egër.

Burri vazhdonte të thërriste. Ato pak fjalë shpalosën përpara meje dramën e jetës së tij. Ai tregoi për fëmijën që mund t’i duhej ta çonte për mjekim në spital, por duhet të kalonte nga trau i rëndë i taksës, pasi nuk kishte rrugë tjetër e cila lidhte fshatin e tij me qytetin. Tregoi për babain e tij i cili kishte punuar 27 vjet në minierë, foli për sëmundjen e tij të rëndë në mushkri dhe për ndihmën sociale që familja merrte nga shteti. Rreth pesë mijë lekë të reja për një familje me shtatë persona. Varfëri ekstreme. Burri vijonte të thërriste me forcë, rrjedha e mendimit i kërkonte të harronte për një moment se mushkritë e tij nuk mund të mbështesnin dot peshën e rëndë të fjalëve që unë dëgjova.

Diku nga fundi, fryma nisi ti merrej dhe në këtë betejë pafuqie, burrat rreth tij nisën të thërrasin dhe zërat e tyre krijuan korin e thirrjes së kësaj drame e cila brenda saj mbart subjektin i cili kontraston botët.

Nuk munda t’i rezistoja realiteti të kësaj drame të ethshme. Vendosa të shkruaj këto pak rreshta duke shpresuar se kryeministri i vendit tim, ose së paku persona të cilët e këshillojnë do të kenë mirësinë t’i lexojnë.

Tregohet një histori për birin e njërit prej mbretërve më të famshëm që ka jetuar ndonjëherë. Ky ishte i biri i mbretit Salomon. Emri i tij ishte Rehoboam. Kur Salomoni vdiq, nisën revoltat popullore si rrjedhojë e taksave të larta. Rehoboami i cili tashmë ishte ngjitur ne fronin e babait të tij, kishte nevojë për këshilla si duhet të trajtonte problemin e taksës që kishte shkaktuar revoltën. Mirëpo Rehoboami fatkeqësisht nuk mori aspak në konsideratë këshillat e njerëzve të urtë të cilët rekomandonin uljen e taksave, gjë që do të çonte në uljen e tensioneve dhe revoltës popullore, por në vend që të dëgjonte njerëzit e urtë, dëgjoi këshillën e të rinjve të cilët i rekomanduan të kundërtën; rritjen e taksës dhe shtypjen e popullit.

Rezultati ishte katastrofik. Nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit, dhjetë u rrebeluan dhe mbretëria u nda në dy pjesë. Prej këtij konflikti u krijua mbretëria e Izraelit më kryeqytet Samarinë dhe mbretëria e Judës me kryeqytet Jeruzalemin.

Ftoj përulësisht kastën e cila qeveris vendin, të dojë popullin që ka marrë përsipër të udhëheqë. Dashuria dhe dhembshuria duhet të qëndrojnë ne themel të moralitetit të ligjit. Në të kundërt, ktheni vështrimin prapa dhe mësoni nga historia.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: