Zoti si Bariu i Madh, gjithnjë kërkon delen e humbur; Si Zoti i shtëpisë, është në kërkim të monedhës së humbur; Ndërsa si një At, Ai pret dhe nuk kërkon asgjë… Sigurisht, nga pozicioni i Atit, Ai i njeh të gjithë bijtë e Tij. Durimi i Tij pret, ndërsa hiri vepron.
“Zemra ime ngashërohet brenda meje, dhemshuria ime ndizet e tëra.” Hosea 11:8b
Hiri i Zotit është gjithnjë në veprim. Askush s’mund t’i vendosë kufij hirit. Brenda shtëpisë, hiri shkrin akujt e legalizmit fetar, ndërsa jashtë në tokën e largët të mëkatit ai zgjon kujtimet e mirësisë dhe ngrohtësinë e përqafimeve të Atit.
Njëlloj si biri plangprishës në rrugën jashtë shtëpisë, shpesh përpiqemi të krijojmë një identitet të ndryshëm nga ai i familjes. Kjo rrugë, është një e tatëpjetë që kalon përmes shtegut të braktisjes dhe mohimit, përmbysjes dhe boshatisjes së vlerave dhe përpjekjes për t’u rimbushur me vlera të tjera dhe gatishmërinë për t’iu adoptuar një jete tjetër. Por pasi koha kalon dhe plangprishësi endet të gjejë burime të reja në menyrë që të sigurojë ekzistencën e tij, përballet me realitetin e pashpresë të kësaj bote. Prezantimi i vërtetë me botën ndodh pasi burimet e të mirave kanë shterur, miqtë pakësohen dhe mungesës materiale i shtohet ajo shpirtërore. Uria dhe vetmia duket se janë instrumente të cilat hiri përdor, të rizgjojë në zemrën e plangprishësit kujtimet e ëmbla në shtëpinë e atit. Pa më të voglin dyshim që hiri zgjon shpresën dhe dëshirën e kthimit në shtëpi. Shën Agustini flet për njeriun i cili jeton larg në shkretëtirën e kësaj jete dhe që aty ai sheh për nga qyteti i përjetshëm duke shpresuar në krahun e Zotit.
“Shpirti i njeriut do të shpresojë nën hijen e krahëve të Tu; ata do të dehen me plotësinë e shtëpisë tënde dhe në përroin e kënaqësive të tua do t’i japësh të pijnë, sepse në ty është burimi i jetës dhe në dritën tênde ne shohim dritën. Më takoni me një njeri në dashuri, ai e kupton përse e kam fjalën. Më takoni me një njeri që ka etje, një të uritur, një person fare larg në këtë shkretëtirë i cili është i etur dhe vështron për nga burimi i qytetit të përjetshem. Këtë njeri më jepni, ai e kupton çfarë flas.”
“Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.” Hebrenjve 4:16
Një lutje:
Zot mbulona me hirin tënd kur jemi brenda shtëpisë, mos lejo që zemra jonë të gjejë siguri diku tjetër veçse në dorën tënde. Shkriji akujt e legalizmit dhe mos lejo farën e hipokrizisë të hedhë rrënjë në ne. Ndihmona të kërkojmë vullnetin tënd dhe jo lartësimin që vjen prej njeriut. Mos na e kurse hirin, në momentet e rrëmbimit prej joshjeve të lakmisë dhe mos lejo dëshirat e paperëndishme të ngjizin mëkatin në ne. Jepna hirin kur jemi larg dhe mos lejo të harrojmë shijimin e mirësisë dhe plotësinë e të jetuarit në dritë. Ti je Bariu i Mirë, Zoti i Grigjës dhe Ati ynë. Dorëzohemi tek ty, në hirin dhe mirësinë tënde.
Leave a Reply