Provoni të ndalni së treguari të tjerëve përmasat e problemeve tuaja. Arsyeja e parë; shumë pak janë ata të cilët duan t’ia dinë.
Së dyti; përballë problemeve të mëdha të gjithë ndihen të vegjël…
Miq, provoni të gjeni ngushëllimin dhe rrugëdaljen tek dikush që është më i madh se problemet. Danieli ndihej më i sigurtë në fundin e gropës i rrethuar nga luanët gojëkyçur, se mes njerëzve të cilët villnin vrer dhe akuza therëse në pallatin e mbretit. Arsyeja është e qartë; siguria e tij mbështetej në një autoritet më të lartë se ai i një njeriu, qoftë ky dhe mbreti më i pushtetshëm i perandorisë më të madhe të kohës.
Davidi kishte kuptuar se nëse krahasonte përmasat e gjigandit me shtatin dhe forcën e tij, asnjëherë nuk do të ishte në gjendje të merrte fitoren. Ai e dinte se fati i betejës së tij ishte i vulosur, përpara se beteja të niste. Ndërkohë që të gjithë ishin të mpakur nga frika e gjigandit, Davidi tashmë kishte kuptuar që përballë Zotit të Gjithëpushtetshëm, Goliathi ishte asgjë. Davidi s’kishte nevojë të njihte forcën e Goliathit, pasi ai njihte fuqinë e Zotit. Ai e dinte që ai dhe Zoti ishin shumica dhe kur ai ishte krejt vetëm përballë gjigandit, apo një ushtrie të madhe. Miq, mund të ndodhë që vetëm një gur i vogël, në dukje krejt i parëndësishëm e i panevojshëm, shpesh i gjykuar si mjeti i papërshtatshëm , është në gjendje të sjellë ndryshimin e madh.
Mos u çuditni nëse ju them se, një lutje e vogël njëherë ndali diellin, hapi detin, siguroi ushqimin, shëroi të sëmurin, ngjalli të vdekurin…
Ndalni së krahasuari ‘gjigandët’ dhe të pamundurat e jetës me veten. Nëse i krahasoni me Zotin, atëherë gjigandët do të zvogëlohen aq shumë sa do të humbasin vlerën dhe përmasat që ju i keni dhënë gjithmonë në mendimet tuaja.
Miq, një lutje e vogël si lutjet e personazheve të Biblës, mund të lëvizë malin e lartë të problemeve dhe shqetësimeve tuaja.
Mos hezitoni të vini pranë Zotit i Cili dëgjon dhe pergjigjet.
(Foto e artikullit: Danieli në Gropën e Luanëve, nga Peter Paul Rubens)
Leave a Reply