Dy letrat – Historia e mrekullueshme e njeriut i cili çlirohet nga droga dhe shpëton prej vdekjes.

Renisi provoi disa herë të vriste veten. Tmerri i asaj agonie pa fund që përjetonte, kishte fshirë prej tij dëshirën për të jetuar. Ëndrrat e mëdha për të qenë futbollist i famshëm, ishin kthyer në brengën e jetës së tij. I zhgënjyer me sistemin shoqëror në Shqipëri, zemërthyer dhe pa shpresë, Renisi, si pa e kuptuar, u bë frekuentues i rregullt i lokaleve të bixhozit dhe sporteleve të skedinave të futbollit. Mendimi se një ditë mund t’i buzëqeshte fati dhe se do të fitonte shumë para, e shtyu të merrte hua shuma të mëdha, të cilat më vonë kuptoi që nuk mund t’i shlyente. Shpejt, ky fiksim u shndrrua në një makth të vërtetë prej të cilit s’mund të dilte. Ndërsa borxhet rriteshin çdo ditë, shpresa se mund t’ia dilte zvogëlohej. Vargonjtë e jetës pakuptim në kthinat e errëta të një arsye që gradualisht shtrydhej brenda morsës së fuqishme të dëshpërimit, çdo ditë rritnin peshën e tyre. I kapur prej deshpërimit dhe mungesës së shpresës, Renisi filloi të përdorte lëndë narkotike. Droga e rrëmbente për një moment prej kthinave të errëta të dëshpërimit, duke i falur pak çaste mashtruese shpërfillje. Të kthyerit mbrapsht në realitetin që e rrethonte ishte një ferr i vërtetë. Ankthi, zhgënjimi dhe pafuqia për të ndryshuar jetën e tij të pashpresë dhe plot borxhe e kishin sjellë në vendin ku vdekja i shëmbëllente me çlirimin e vetëm prej kësaj peshe të stërmadhe.
Vendosi të shkruaj një letër në të cilën me pak fjalë u përpoq të rradhiste mendimet e tij të zymta. Letrën e shkroi për babain dhe nënën.

Arsyetimi se tanimë kishte mundësinë e fundit prej nga mund të ushtronte lirinë e një shpirti të skllavëruar që shihtë vdekjen si çlirimin e vetëm, disi e qetësonte.

Po mendonte për veten. Egoist, si gjithnjë. Por dhe vdekja egoiste është. Ajo nuk vë askënd në kandar. Dikush mendoi njëherë se vdekja nuk është një aristokraci për pak, por një demokraci për të gjithë. Pasi, të gjithë vdesin. Të pasurit, të varfrit, njeriu i lirë dhe skllavi. Por tani, Renisi mendonte se ai mund ta komandonte vdekjen. Së paku, kënaqësinë që s’e kish marrë nga jeta, do provonte t’ia rrëmbente vdekjes. Ai mendonte se vdekja duhet të vuante. Ajo nuk do të zgjidhte për të as kohën, as vendin dhe as mënyrën! Akti final i jetës së tij të vogël, duhet të ishte përpjekja e fundit për t’i dhënë kuptim lirisë së tij të mbetur nga gjithë ajo liri e humbur. Këto mendonte Renisi, ndërsa shkruante fjalët e fundit me dorën që i dridhej mbi letrën që nuk qëndronte e shtrirë mbi sipërfaqen e tavolinës së vjetër të bukës. Letra ishte njomur prej lotëve pa formë të dëshpërimit. Duart i dridheshin dhe ai nxitonte të mbyllte këtë akt, që e niste drejt një shtegu pa kthim. Fjalët dhe lotët që derdheshin nxitimthi pa formë mbi letrën e zhubravitur, ngjanin me dezertorë, të cilët kishin braktisur vendin e tyre në fushë-betejë dhe tani nuk dinin më se kush ishin, në luginën e dritëhijeve të mendjes ku pamëshirë zhvillohej beteja e ashpër e asaj pak dëshire të mbetur për të jetuar, e cila luftonte përballë dështimit të çdo përpjekje vullneti të humbur. Maja e lapsit ishte thyer prej shtrëngimit pa kontroll të gishtërinjve, por Renisi vazhdonte të gërvishte gërma mbi letrën që grisej.

Nga ato pak orendi në shtëpinë e tij të vjetër, letra e lagur që grisej vazhdueshëm shëmbëllente me jetën e tij. Pikla të nxehta shiu dëshpërimi, lagnin letrën, duart dhe tryezën e vjetër. Mendimet i qarkullonin turbullt dhe ngadalë. Dukej sikur letra e zhubrosur, e vetme i bënte rezistencën finale, aktit të fundit që një njeri i dëshpëruar mund të bëjë përpara se të mbyllë sytë, për të nisur udhëtimin pa kthim drejt botës tjetër. Errësira që e qarkonte, ia kishte kyçur arsyen dhe frika, i kishte paralizuar çdo gjymtyrë. Diçka që s’mund ta kuptonte, e mundonte nga brenda! Ndjeu trokitjen e etjes, një etje e madhe që duhej shuar. Provoi të ngrihej pa përfunduar letrën. S’ka si uji, mendoi, ndërsa pinte zhurmshëm prej bidonit me grykë të gjerë ujin i cili derdhej mbi mjekërr dhe rroba. Ndërsa pinte, në mendimet e tij, nisi të flasë me etjen.

– “Sikur ti të kënaqeshe ndonjëherë… unë s’do të isha ky! Ah, sikur t’i të ishe më e arsyeshme, unë s’do të isha i rrëmbyer. Kurrë nuk më the, ndal. Ndërsa ‘mjaft’, mungon në fjalorin tënd krejtësisht. Mendoja se një ditë do t’ia arrija të plotësoja kënaqësitë e tua, por asnjëherë s’munda të kuptoj boshllëkun në të cilin ti jeton. Gjithmonë kërkon më shumë dhe kurrë s’është mjaft. Kam qenë skllavi yt, i lidhur përjetë me ty dhe i dashuruar me kurthet e tua. Veçse tani po vendos të largohem përgjithnjë. Më vjen keq që stë plotësova dhe pushtova njëherë të vetme, siç e kisha menduar. Pi prej këtij uji që rrjedh zhurmshëm, njëlloj siç jetën e jetova me vrullin të të kënaq ty. Por ti! Ti, mbete po ajo… një pus i thellë që s’mbushesh kurrë.”

Litarin të cilin e kishte vendosur fshehurazi poshtë krevatit të vjetër ku prindërit i flinin që prej kohës që ishin martuar, e tërhoqi duke u shtrirë, e zgjatur njërën dorë poshtë tij. Litari i mbështjellë pa kujdes, po nxirrte nga poshtë shtratit, sende të mbuluara prej pluhurit të harresës që prej kohës kur askush nuk e kujtonte se si këto, kishin mbërritur në shtëpinë e tyre. Foto ekipesh nga kampjonatet e futbollit vendas dhe të huaj. Faqe gazetash të viteve të shkuara. Gjithfarë gjërash, midis të cilave dhe një fletushkë e vogël e mbuluar prej pluhuri aq sa titulli s’mund të lexohej. Me litarin që mbante në njërën dorë, nisi të pastrojë pluhurin mbi fletushkë. Tani mund të lexonte titullin e vendosur në krye. “Letra e dashurisë së Atit.” Më poshtë shkruhej: “Pjesë të shkëputura nga libri i librave, posaçërisht për ju.” Diçka më e fortë se vendimi që kishte marrë dhe litari në njërën dorë ia kujtonte, i thoshtë që duhet ta lexonte këtë letër të shkurtër. Ashtu, i rrethuar prej errësirës dhe ngërthyer nga frika, nisi të lexojë:

Fëmija im!

Ndoshta Ti nuk më njeh, por unë di gjithçka rreth teje! E di kur ti ulesh dhe kur ti ngrihesh!

I njoh mirë të gjitha rrugët e tua.

Madje di edhe numrin e flokëve në kokën tënde.

Pasi ti u bëre në imazhin tim.

Në mua ti jeton, lëviz dhe ke ekzistencën tënde.

Ti je fëmija im.

Të kam njohur që përpara se të lindje.

Të kam zgjedhur ty që kur planifikova krijimin.

Ti nuk ishe një gabim, pasi gjithë ditët e tua janë shkruar në librin tim.

Unë caktova kohën e saktë të lindjes tënde dhe vendin ku do të jetoje.

Ti je krijuar në mënyrë të mrekullueshme.

Të formova në barkun e nënës tënde.

Dhe të solla në jetë në ditën e lindjes tënde.

Më kanë keqprezantuar ata që as nuk më njohin.

Nuk jam i largët dhe zemërak. Unë jam shprehja e plotë e dashurisë Madje është dëshira ime të derdh dashurinë time në ty.

Thjesht sepse ti je fëmija im dhe unë jam ati yt.

Unë të ofroj më shumë se ç’mund të të ofronte ati yt tokësor.

Sepse unë jam Ati i përkryer.

Çdo dhuratë të mirë që ti merr, vjen nga dora ime …Sepse unë jam siguruesi yt dhe plotësoj gjithë nevojat e tua.

Plani im për të ardhmen tënde ka qënë gjithmonë plot shpresë.

Sepse unë të dua ty me një dashuri të pashterrshme.

Mendimet e mia për ty janë aq të panumërta sa kokrrizat e rërës.

Dhe unë gëzohem për ty me britma gëzimi.

Kurrë nuk do të ndaloj duke të të bërë mirë.

Ti je thesari im i çmuar.

Unë dëshiroj të të jap begati me gjithë zemrën dhe shpirtin tim.

Dhe unë dua të të tregoj ty gjëra madhështore dhe të mrekullueshme.

Nëse më kërkon me gjithë zemrën tënde, do të më gjesh.

Gjej gëzimin tënd në mua dhe unë do të plotësoj dëshirat e zemrës tënde.

Sepse unë jam ai që t’i ka dhënë këto dëshira.

Unë mund të bëj gjëra që janë përtej imagjinatës tënde.

Sepse unë jam ngushëlluesi yt më i madh.

Jam gjithashtu Ati që të ngushëllon ty në të gjitha shqetësimet e tua.

Kur je i lënduar, unë jam pranë teje. Ashtu si bariu kujdeset për qengjin e tij, ashtu edhe unë të kam mbajtur pranë në zemrën time.

Do të vijë një ditë kur unë do të fshij cdo lot nga sytë e tu dhe do të largoj tutje çdo dhimbje që ti ke vuajtur në këtë tokë.

Unë jam Ati yt, dhe unë të dua ty ashtu si dua birin tim, Jezusin.

Dashuria ime për ty u shfaq me Jezusin. Ai është përfaquesi i vërtetë i qënies time. Ai erdhi të të tregojë se unë jam me ty, jo kundër teje dhe të të tregojë se unë nuk i numëroj mëkatet e tua.

Jezusi vdiq që ti dhe unë të mund të pajtohemi. Vdekja e tij ishte shprehja më e madhe e dashurisë sime për ty. Unë dhashë gjithçka që doja në mënyrë të fitoja dashurinë tënde!

Nëse ti pranon dhuratën e birit tim Jezus, ti më pranon mua.

Dhe asgjë nuk do të na ndajë kurrë më nga dashuria ime…

Eja në shtëpi dhe unë do të bëj festën më të madhe që është bërë ndonjëherë në qiell …Gjithmonë kam qënë Ati, dhe gjithmonë do të jem Ati …Pyetja ime është…A do të jesh ti fëmija im? …Unë po të pres …

Me dashuri, Ati Yt.

Zoti i Gjithpushtetshëm.

Të gjithë letrën e lexoi me një frymë. Ishte pa fjalë. Kjo letër kaq personale kishte mbërritur në momentin final. Çdo fjalë e saj, kishte rëndësi jetësore. Në njërën dorë mbante litarin, në tjetrën këtë letër dashurie. Nuk e kuptonte se si një instrument ndëshkimi si ky litar, i kishte sjellë vetëm pak çaste përpara aktit final të përfundimit të jetës, një letër dashurie të mbushur plot jetë dhe shpresë. Sapo kishte lexuar që dikush e donte dhe se ishte i çmuar. Dikush ishte i gatshëm t’i jepte një të ardhme dhe shpresë. Për herë të parë lexoi se ishte krijuar për një qëllim të lartë dhe se ky fakt po zgjonte brenda tij dëshirën të eksploronte këtë të fshehtë e cila kish qenë për të e veshur me mister. Nisi të lëvizë me të shpejtë brenda shtëpisë. Me tre hapa të mëdhenj u largua prej dhomës së prindërve dhe ndali në ambjentin pa tavan i cili mblidhte familjen çdo mbrëmje. Ngultazi shihte lart, traun e drunjtë nën çati. Shtrëngonte litarin dhe traut nën çati, s’ia ndante sytë. Kështu qëndroi, gati i ngrirë, në një heshtje e cila s’mund t’i dëgjonte mendimet, as qarjen e shpirtit që vuan më shumë kur balsami nis të shërojë plagët e thella, e kur drita nis të s’mbrapsë errësirën prej rrethimit të parë, të dytë e deri prej qelive dhe skutave të shpirtit të cilin e ka pas rob të sajin. Papritur heshtja thyhet prej zhurmës së litarit që bie mbi dyshemenë e drunjtë. Renisi lëvizi drejt tryezës së vjetër mbi të cilën qëndronte letra e lagur nga psherëtimat e jetës së tij. Me një lëvizje të prerë, vendosi pranë letrës së psherëtimave, letrën e dashurisë. Veshtrimin e lëvizte majtas dhe djathtas, mbi letrat të cilat flasin për jetën e tij. Letra e lagur prej lotëve i flet për të shkuarën. Letra e dashurisë, i flet për të ardhmen.

“Ky isha, por ky tjetri mund të jem. S’kam pse t’i jap fund, por në një mënyrë tjetër duhet t’i jap fund asaj që më mundon, në mënyrë që të jetoj. Tani, e di. Kam një At qiellor i Cili më do pa kushte dhe është i gatshëm të më pranojë. Duhet të vdes nga e vjetra, që të jetoj për të renë. Zot më ndihmo. Ti mund ta bësh. Të lutem më prano dhe ndrysho dhe më mbush me shpresë dhe jetë.”

 

Ps. Kjo është historia e djalit i cili per vite me rradhë jetonte i lidhur prej prangave të drogës, bixhozit dhe depresionit dhe disa herë provoi vetëvrasjen.

Ai përjetoi një transformim të thellë dhe të dukshëm, pasi lexoi pjesë nga Bibla dhe kërkoi ndihmën e Zotit për transformimin e jetës së tij. Sot, ai jeton i lirë prej varësive dhe ofron ndihmesën e tij ndaj personave të cilët jetojnë nën varësi të ndryshme.

(Për të ruajtur imazhin e personit, emri I personazhit dhe përshkrimi I historisë janë artistikë. Ngjarja dhe personi janë reale.)

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: