Çfarë Është Burri?

Në mëngjes, nisa të mendoj për rrugëtimin e veshtirë dhe betejat që kemi përpara për të ndarë me të gjithë njerëzit planin e Zotit për shpetimin dhe vlerat-standartet morale që ndërtojnë shoqërinë dhe shtetin. Sa më shumë kohë kalon, më shumë mendoj që në vendin tonë duhen burra. Burra me integritet të lartë të cilët nuk përkulen prej tundimit joshës së pushtetit që vjen sëbashku me një rrugë të rrëshqitëshme nën këmbë, përshkak të kompromisit dhe prishjes së konvencioneve (rregullave) të lojës.

Zoti na ka vendosur ne dhe familjet tona në mes të kësaj fushe të gjërë (shoqërisë Shqiptare) e cila pergjatë këtyre 26 viteve krijon dhe improvizon rregulla të reja sa herë që lind nevoja e njerëzve me pushtet politik-ekonomik.

Kjo sjell parreshtur destabilizim dhe mungesë shprese. Puna dhe misioni ynë është njeriu, përfshi dhe ‘prishësit e rregullave’ të rendit socio-politik në vend. Puna dhe misioni ynë i përbashkët, është të mbrojmë dhe ndërtojmë familjen, e cila fatkeqësisht ndodhet e vetme në fushëbetejë, e përballur me tensione të vazhdueshme të brendëshme dhe e rrethuar prej sfidash të jashtme.
Burri…

(Një ndihmë e vogël për të dalluar burrin nga mashkulli. Jo vetëm për gratë dhe vajzat!)

Çfarë në të vërtetë është burri?

Nëse pyetja do të ishte: çfarë është një mashkull? Përgjigja është më e thjeshtë, por çfarë është një burrë? Pikërisht këtu çështja komplikohet.

Ju ka rastisur ndonjëherë të dëgjoni ato të seksit më të brishtë të cilat të tërhequra nga silueta e një të riu shtatlartë, të thonë:

“Çfarë mashkulli!?”

Nuk është e vështirë të gjendet një mashkull. Dhe speciet për nga natyra me një inteligjencë më të ulët nga ajo e njeriut janë në gjendje të sjellin në jetë meshkuj, madje meshkuj cilësor. Por mashkulli i këtij lloji mund të jetë mbështetje e mirë në një, mbase dy fusha; jeta ka shumë të tilla.

Meshkujt prej natyre mendojnë që mund të shkëlqejnë në çdo fushë të jetës.

Këtu ngatërrohen punët në lëmin tonë…

Shumë meshkuj i kanë hyrë politikës, por burrat mungojnë. Meshkujt na qeverisin prej dekadash, burrat janë në mungesë. Nëse ndonjëherë ju ka ndodhur të jeni zhgënjyer prej një burri, përshkak se nuk ju ka mbajtur premtimin, mos e bëni me faj… në fakt jeni ju ata që keni gabuar në vlerësimin tuaj. Ata që ju kanë zhgënjyer në mosmbajtjen e premtimeve, thyerjen e besës, shkaktarët e lotëve, janë meshkujt, burrat s’janë të tillë.

Ndaj mos u a llogaritni fajin arsyes së trishtë të lotëve tuaj, thjesht mendoni se janë meshkuj dhe se këta mund t’i lindë çdo specie prej natyre inferiore nga ajo e njeriut.

Rraca e meshkujve që prej padijes sillen superior rritet me një shpejtësi marramendëse. Njëlloj si grami në fushë… Kulti i tyre është ‘Vetja,’ e para dhe e fundit në të vetmen gjuhë që zotërojnë.

Modeli që i frymëzon është suksesi, shkalla për të ngjitur, pragmatizmi. Oksigjeni i tyre është egoizmi, pasioni i tyre, aktrimi.

Mbase mendimi se mjaft të jesh mashkull dhe i bën të gjitha, e ka pikënisjen në pritjen plot ankth të baballarëve në oborrin e maternitetit. Gëzimi i ardhjes në jetë të një fëmije mashkull eklipson çdo gëzim tjetër familjar për një kohë të gjatë.

Por vështirë se mendohet nëse një ditë ky mashkull do të arrijë të bëhet burrë.

Makineria e fabrikës tonë socio-kulturore e ka pothuajse të pamundur të prodhojë një stof të tillë. Burri është ai i cili duhet kërkuar më shumë se çdo gjë tjetër në shoqërinë tonë.

Më shumë se profesionisti. Më shumë se intelektuali. Më shumë se akademiku. Më shumë se politikani. Më shumë se biznesmeni punëdhënës. Më shumë se qytetari aktiv i kauzave shoqërore. Sot në kërkim duhet të jetë burri.

Por çfarë është burri?

Ai dallon lehtë nga meshkujt, pasi nënën, djepin dhe shtëpinë e ka ndryshe nga ata. Gjinjtë që e kanë mëndur burrin janë ndershmëria dhe besnikëria. Djepi që e ka përkundur është integriteti. Shtëpia që e ka rritur është virtyti.

Burri lufton për të drejtën pa dhunuar inferiorin e tij.

Ai nuk tërhiqet nga fjala, nuk refuzon të bëjë të mirën dhe nuk hesht përballë së keqes.

Nuk e kënaqin padrejtësitë, por e drejta. Nuk përdor gjuhën e mashtrimit, por armë ka të vërtetën. Nuk përfiton nga pafuqia e të dobëtit, por e ngre atë nga pluhuri ku ndodhet.

Burri fal, toleron, sakrifikon.

Ai dashuron, ëndërron, përkushtohet. Mbulon, kërkon dhe pret me durim.

Në martesë ai është sinteza e së fortës dhe së butës. Forca që udhëheq dhe butësia që mbështjell shkrihen brenda tij. Në familje ai është ati i dhembshur dhe njeriu që punon deri në vetëmohim për të siguruar.

Ai është një mik tek i cili mund të mbështetesh.

Burri, ai është esenca, etaloni matës i munguar, kurora e gjithë krijimit. Ai është shëmbëllimi i hyjnores prej nga jemi krijuar.

Ps: burri nuk mund të jetë prodhim i momentit, e as një dëshire çasti. Rrugëtimi i tij nis me nënën, djepin, shtëpinë, ndërsa vazhdon me modelin që e frymëzon dhe betejat e çdo dite.
Uroj që në vatrat tona të rriten burrat e shumëkërkuar.

Zoti ju bekoftë miq!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: