Deputetët e vjetër të partive më të mëdha në vend, të cilët nuk gjetën emrin në listën për këto zgjedhje, duhet të jenë mirënjohës që për 26 vjet patën mundësi t’i shërbenin popullit të tyre. Shumë prej tyre, nisën një rrugëtim të cilin nuk e dinin si do të përfundonte. 26 vite të shkuara, krejt të rinj dhe paeksperiencë politike, e as shtetformuese, e megjithëkëtë, kjo s’do t’i pengonte, përshkak se ata kishin një ëndërr! Ëndrra e tyre ishte Shqipëria. Shqipëria si gjithë Europa! Ëndrra e tyre ishte ëndrra e çdo Shqiptari, i cili shpresoi se në ditët e rinisë së tij do e bënte Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar. Një vend të begatë, tokën e shpresës dhe alternativave, vendin ku shteti i së drejtës do të kujdesej për të siguruar liri dhe mirëqënie, siguri dhe drejtësi për të gjithë njëlloj. 26 vite kaluan sa hap e mbyll sytë dhe sot natyrisht që mund të themi se Shqipëria nuk është si 26 vite më parë, por nuk është as siç e kishim ëndërruar se do të ishte një çerek shekulli më pas!
Rri e mendoj se çfarë bëm gabim? Çfarë duhet të kishim bërë më mirë dhe çfarë lamë pa bërë në Shqipërinë tonë!?
Po e nis me të parën.
I besuam një grupi njerëzish dhe nuk qarkulluam elitat. Si rrjedhojë mendja e vendit migroi dhe mbetja inferiore për nga arritjet profesionale ndaj grupit shoqëror që zgjodhi të largohej, me shpejtësi ndërtoi establishmentin e oligarkëve të rinj të cilët nisën të sundojnë, në vend që të shërbenin.
Të lindur në epokën e sistemit i cili udhëhoqi Shqiptarët me skeptrin e autoritarizmit, prej natyre e kishim më të lehtë të pranonim sundimin e një diktature të re të cilën e menduam se ishte liberal-demokraci e kulluar. Kulti i liderit suprem i cili ishte monumental në shtresat e nën-ndërgjegjes tonë na shoqëroi këtë çerek shekulli të diktaturës së re.
Në 26 vjet Shqiptarët kanë admiruar deri në adhurim personazhet e politikës, paçka se shumë syresh shaheshin e mallkoheshin me fjalë duke i atribuar atyre të gjitha mënxyrat dhe fatin e keq të të qenurit Shqiptar, pa ndihmë e përkrahje në këtë botë.
Të vetëdijshëm për kultin e pushtetit të tyre, vetëm një pjesë jo e madhe e djemve tanë, arriti t’i rezistoi tundimit më të madh që sjell më vete pushteti. Tundimi përballë të cilit shumë u dorëzuan, ishte abuzimi me pushtetin. Keqpërdorimi dhe përdorimi i pushtetit për interesa personale, familjare dhe klanore. Në këtë tatëpjetë dalldije pushteti, nuk ishin pak ata burra të cilët braktisën familjen duke u lëshuar pas dashuriçkave të reja, apo pasioneve kënaqësish mishore, investimesh në dukje premtuese, por me një fund përmbyllës të dhimbshëm. Nuk ishin pak ata të cilët keqpërdorën të mirën e përbashkët, për të ndërtuar mirëqenien e tyre. Nuk di nëse do të kishim mundur të qëndronim në anën e tyre, për t’i dhënë një këshillë! Nuk di nëse do të kishim mundur të distancoheshim prej sterotipit Shqiptar që prej disa brezash gjendet në kulturën tonë, e që lartëson atë që vjedh sistemin, apo pronën e përbashkët. Madje e shpërblen personin që vjedh duke i dhënë ‘dekoratën’ e një personi të aftë i cili meriton të martohet me vajzën e shtëpisë!
Dyshoj se kemi qortuar, a këshilluar dikë, e për këtë i kërkoj falje të gjithë atyre që zgjodhëm të na përfaqësonin, e që i dorëzuam në kënaqësitë dehëse të mëkatit që jep pushteti.
E nëse do të kishim dritën e mjaftueshme për të qëndruar në anën e tyre, nuk e di, nëse djemtë tanë do të kishin lejuar dikë të fliste e t’i këshillonte për këto të vërteta të cilat me përulësi po i ndaj si një këshillë zemre me ju, kandidatët e rinj të listave të reja:
Miq të rinj! Sot, jeni njerëz normal. Kështu do të jeni dhe pasi të uleni në karriget e sallës së parlamentit të Shqipërisë. Në fakt, lutem dhe shpresoj që kështu të vazhdoni të mbeteni. Njerëz normal. Kjo nuk do të jetë një ndërmarrje e lehtë, ndërsa do të uleni në karrigen e pushtetit. Për shumë nga ju është një karrige e panjohur, diçka tërheqëse që mbase ju intrigon. Kjo karrige shpejt do t’ju bëj tërheqës, të dashur dhe të admiruar nga pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri. Por mbani mend, se e gjitha kjo, është vetëm për një kohë, pasi pushteti që merret nga njerëzit nuk është i përjetshëm. Ai vjen ngadalë dhe me përpjekje, por largohet shpejt dhe lë pas një boshllëk dhe lavdi që venitet menjëherë.
Miqtë e mi!
Mos e lejoni pushtetin të ushqejë në ju egon personale, por përdoreni të ushqejë qindra familje që përjetojnë urinë.
Mos e lejoni pushtetin të ndërtojë në ju kultin e njeriut të paprekshëm prej nevojave të njerëzve, por përdoreni pushtetin të ndërtojë strukturat e nevojshme mbështetëse për krijimin e alternativave të punësimit dhe krijimin e politikave të përkundesit për njerëzit e pa mundur në shoqërinë tonë.
Dhe së fundmi;
Miq të mi, mos e lejoni pushtetin t’ju rrëmbejë aq shumë sa një ditë të harroni identitetin tuaj, familjen dhe miqtë të cilët ishin pranë jush kur ju nuk kishit pushtetin dhe as përfitimet që vijnë sëbashku me të. Kujtoni që pushteti është për pak kohë dhe se me ikjen e tij, vetëm këto tre gjëra mbeten, sigurisht nëse nuk do t’i keni braktisur për pushtetin;
Identiteti, familja dhe miqtë e vërtetë.
Jeni në lutjet e mia
Leave a Reply