Shqiponja që jetonte jetën e një pule!
Nje fermer, ndersa ecte në pyll, gjeti një zog të vogël Shqiponje i cili kishte rënë nga foleja. Fermeri e mori me vete zogun e Shqiponjës në fermën e tij dhe e vendosi brenda kotecit të pulave. Pasi koha kalonte dhe Shqiponja e vogël rritej, duke ngrënë të njëjtin ushqim me pulat dhe duke jetuar me to, filloi të merrte zakonet e tyre. Një ditë, një natyralist vizitoi fermën dhe e pyeti fermerin s’i ishte e mundur që mbreti i të gjithë shpendëve jetonte në kotec, bashkë me pulat dhe sillej njëlloj si ato? Fermeri iu pergjigj se që prej kohës që e kishte marrë, e kishte ushqyer me të njejtin ushqim si pulat, madje ishte trajnuar prej tyre që të ishte si to, kurrë nuk kishte mësuar të fluturonte dhe përderisa sillej si pulë, nuk ishte më një Shqiponjë. “Por me gjithë këtë , ajo ka zemrën e një shqiponje,” ia priti natyralisti “dhe patjeter që mund të mësojë si të fluturojë.” Ai e mori shqiponjen ne dore, e ngriti drejt qiellit dhe tha: “Ti I perket qiellit dhe jo tokes. Shtriji krahët dhe fluturo.” Shqiponja dukej e cuditur, ajo nuk e dinte se kush ishte dhe ndërsa shihte pulat duke ngrënë ushqimin e tyre, me një lëvizje të krahëve, kerceu nga dora e burrit dhe shkoi prane pulave. Natyralisti e mori shqiponjën dhe u ngjit me të në çatinë e shtepisë. Tani, me zë të prerë i drejtohet asaj:
“Ti je nje shqiponjë! Hapi krahët dhe fluturo.”
Por shqiponja kishte frikë. Ajo s’ishte ngjitur më parë mbi çati! Kjo, ishte diçka e panjohur që e frikësonte. Kështu, kërceu prej dorës dhe shkoi pranë pulave. Natyralisti këmbëngulës e mori shqiponjën dhe sëbashku me të, u ngjit në majën e një e mali. Aty ai po mbante në duar mbretin e shpendëve. E lëvizte me vrull krahun e tij lart dhe poshtë, duke e inkurajuar shpendin me fjalet:
“Ti je një shqiponjë, ti i përket qiellit, hapi krahët dhe fluturo.”
Shqiponja vështroi horizontin duke përplasur krahët dhe ngadalë hovi lart dhe nisi te fluturojë në qiell.
Mund të ketë ndodhur që shqiponja diku në fluturim, apo duke vështruar e ulur mbi një shkëmb të lartë, të ketë kujtuar me nostalgji jetën e tokës, pulat dhe kotecin, por ajo nuk u kthye kurrë më pas, të jetonte jetën e një pule.
Miq, njëlloj si zogu i shqiponjës, të gjithë kemi rënë prej nivelit të lartë të jetës për të cilën u krijuam. U krijuam të jetonim jetën ‘zoi’, burimi i së cilës është i pashtershëm dhe i përjetshëm. U krijuam të ecnim në rrugë të larta të lavdisë, virtytit dhe dinjitetit njerëzor. Por me një kërcim të beftë, prej ‘Edenit’, braktisëm të mirën supreme dhe përqafuam momentin e një kënaqësie që zgjat veç pak. Udhët e larta të qiellit, i këmbyem me kthinat e pluhurosura të tokës. Pa kushte, iu nënshtruam jetës së poshtme, dhe kultivuam shqisat e përshtatjes, duke harruar çdo lidhje/kujtim që na kthen drejt ‘Edeninit’. Por thellë, në thelbin e njeriut, gjendet diçka më e fortë se kujtesa tashmë e fshirë, në ndërgjegjen e tij. Ky është realiteti shpirtëror i njeriut, i cili krijon një tërheqje dhe dëshirë të paspjegueshme, për të zbuluar qëllimim e ekzistencës dhe kuptimin e jetës. C.S. Lewis tregon se Zoti sjell në rrugën tonë sugjerime prej qiellit, në mënyrë që të intensifikojë mallin për qiellin. Mallin për realitetin e marrëdhënies me Zotin dhe dëshirën për përjetësinë. Njeriu është krijuar për Zotin dhe deri sa njeriu ta kuptojë këtë të vërtetë, jeta e tij nuk do të ketë kuptim. Mendimtari dhe filozofi I madh, Agustini i Hipos, në përfundimin e tij mbresëlënës për njeriun, tha:
“Ti na ke krijuar për vete dhe zemra jonë nuk mund të qetësohet, nëse nuk pushon në ty.”
Miq, ju keni gjithë lirinë të jetoni jetën e një pule! Por, mos harroni…jeni krijuar të jeni një Shqiponjë dhe të fluturoni lart.
Ju jeni krijuar për udhët e lavdishme qiellore.
Leave a Reply