Në këtë jetë, mund të humbni shumë dhe rrëzoheni, por nëse s’keni humbur besimin, keni gjithë potencialin të ngriheni lart dhe filloni nga e para garën tuaj. “Mos ki frikë, vetëm ki besim!”
Modelet më të qëndrueshme dhe historitë e suksesit, lidhen me mënyrën si njerëzit sillen me eksperiencat e arkivuara në raftin e kujtimeve të tyre. Nëse lejoni historitë e braktisjes të gjenerojnë tek ju zhgënjimin, momentet e rrëzimeve, t’ju mbushin me dekurajim, lëndimin të sjellë tek ju mosfalje, përpjekjet e dështuara të së djeshmes, të sjellin tek ju mungesën e shpresës, druaj se jeni duke projektuar një të ardhme jo me shumë diferenca prej së shkuarës.
Nëse mendoni se ju vleni më shumë sa çfarë jeta ju ka dhënë deri tani, nëse mendoni se ia vlen të përpiqeni për një të ardhme ndryshe, më lejoni t’ju jap një këshillë që do t’ju ndihmojë:
Pastroni arkivën në raftin e kujtimeve. Përpara se të nisni, sigurohuni që të keni nxjerrë mësimet e përshtatshme nga e shkuara. Largoni prej raftit tuaj; zhgënjimin, dekurajimin, mosfaljen dhe mungesën e shpresës. Vetëm kështu mund të nisni udhëtimin tuaj të sigurt drejt një të ardhme të cilën e ndërtoni ditë pas dite me përkushtim, besim dhe shpresë.
Leave a Reply