Gjithçka kalon shpejt. Vetë jeta ngjan me një lëvizje qerpikësh. Fëmijët lindin, rriten, martohen… Gjithçka kalon si një film me metrazh të shkurtër, i cili s’mund të ketë për protagonistë, të njëjtët aktorë. Njeriu priret të ngjisë majat e suksesit. Kamja, pushteti, lavdia dhe çdo arritje, është për një kohë. Një lëvizje qerpikësh dhe kalon. Pasuria s’mund të ndjekë, pushteti është një marrëzi dhe lavdia përngjet me një lule që fishket shpejt. E përkohëshmja që jetojmë, është vetëm një hije e së përjetëshmes për të cilën jemi krijuar. Varri, s’është veçse një magazinë e përkohëshme e tendës që lemë prapa, e që kurrë s’do të lindë nevoja ta përdorim. E vjetra, mishorja, ajo e cila prej kohërash të shkuara kur mëkati fillestar korruptoi njeriun, duhet të mbetet në qytetin e vjetër. Qyteti i tokës, shpejt do t’i lerë vendin një qyteti tjetër, i cili do të zbresë nga lart. Aty s’do të ketë më dhimbje, lot, e lëngata. Aty s’do të gjendet frikë, ankth dhe shqetësime. Nuk do të ketë sëmundje dhe vdekja do të jetë fshirë. Nuk do të ketë sundues e robër. Sundimtari i vetëm, do të jetë, Zoti i dashurisë. Ky është qyteti në të cilin mbretëron dashuria.
Por, tani; Jemi zënë kaq shumë me tokën sa kemi harruar që shtëpia jonë e vërtetë s’është këtu. Ne jemi mërgata e qiellit që shtegton parreshtur drejt kufirit të kohës!
Leave a Reply